‘Graviteti Magjik’/ Ekspozohen në Tiranë 180 gravura të artistit Marc Chagall. –

Ekspozohen për herë të parë në Qendrën për Hapje edhe Dialog në Tiranë 180 gravura të artistit ruso-francez Marc Chagall.

Nga: Valeria Dedaj.

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” e artistit të famshëm ruso – francez Marc Chagall është çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD). Janë më shumë se 180 gravura dhe grafika të artistit të njohur të shekullit të XX Marc Chagall (1887-1985), që ekspozohen për herë të parë në Shqipëri.

Marc Chagall në shtatëdhjetë vjet aktivitet si artist, provoi pikturën, grafikën, qeramikën, vizatimin deri tek vitrazhi, mozaiku, endja në tezgjah, skulptura monumentale dhe skenografia. Artisti ka krijuar një univers në të cilin figurat njerëzore, kafshët dhe skena të marra nga traditat hebraike jetojnë krah për krah me referenca biblike dhe fetare.

Chagall filloi të prodhonte gravura në Berlin, kur ishte 35 vjeç. Pas kthimit të tij nga Rusia, ai e provoi dorën së pari në gravurat e ekzekutuara për autobiografinë e tij, “Jeta ime”. Pasi shkoi në Paris, i kërkuan për të prodhuar një seri gravurash për një libër artisti. Chagall e refuzoi zgjedhjen e teksteve, që iu propozua dhe në vend të tyre sugjeroi të ilustronte romanin “Shpirtra të Vdekur” nga Nikolai Gogol.

Rezultati i kësaj pune është një nga kryeveprat e artit modern në gravurë. Më pas vijoi me gravurat për ilustrimin e ‘Fabulave’ të mrekullueshme të La Fontenit. Në moshën 88-vjeçare realizon 50 ilustrime, që reflektojnë interpretimin e Chagall-it të magjikes Shekspiriane tek drama “Stuhia”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 12 janar 2019.