“Drejtësia”, zhgënjim në Bruksel: Shqipëria mbrapa me sundimin e ligjit. –

18 mars 2019

Komisioni i BE për Punët e Jashtme (AFET) dhe Liritë Civile, Drejtësisë dhe Punët e Brendshme (LIBE) kritikuan Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate për Ballkanin në BE për “stanjacion” përsa u përket çështjeve të sundimit të ligjit.

Seanca e sotme dëgjimore shqyrtoi përparimin e bërë dhe sfidat e vazhdueshme, me të cilat përballen vendet kandidate të BE-së në përmbushjen e kritereve themelore të BE. Mes të ftuarve ishte edhe Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Bisedimet e Zgjerimit në Komisionin Evropian, dhe Gianni Buquicchio, President i Komisionit të Venecias.

Para se të pranohet në Bashkimin Evropian, secili vend kandidat duhet të përmbushë kriteret e Traktatit të Kopenhagenit, të cilat përbëhen nga rregulla themelore që përcaktojnë, nëse një vend ka të drejtë të bashkohet me bllokun apo jo.

Gjatë seancës dëgjimore, Danielsson, i cili vizitoi Tiranën pak ditë më parë, komentoi se sundimi i ligjit është një vlerë themelore dhe thelbësore dhe se një vend duhet të respektojë dhe të promovojë vlerat e përbashkëta duke përfshirë sundimin e ligjit.

Ndërsa vërejmë se ka patur disa përmirësime në rajon, përmirësimi ka qenë I kufizuar dhe disa nga vendet kanë bërë hapa pas dhe jo përpara

Shumë vende që dëshirojnë të bashkohen me BE janë larg arritjes së kritereve dhe në disa prej tyre kemi kthim mbrapa”, tha ai, duke shtuar se shtetet kandidate, si Shqipëria, duhet të tregojnë vendosmëri për të ecur përpara me proceset e anëtarësimit në BE.

“Në Europë po përballemi gjithnjë e më shumë me një tendencë populiste, sipas të cilës ai që fiton zgjedhjet i jep të drejtën shumicës që të qeverisë pa asnjë kufizim. Ky mentalitet, sipas të cilit fituesi merr gjithçka, është i rrezikshëm për shtetin ligjor. Në disa vende kandidate, pavarësisht reformave, rezultatet për reformimin e drejtësisë janë zhgënjyese. Si mund të shpjegojmë që pas 30 vjetësh në vende post-komuniste, gjyqësori le shumë për të dëshiruar? Në disa raste është e nevojshme që të pranohen përjashtime, siç ishte rasti në Shqipëri, ku korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend e bëri të nevojshëm Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i Venecias e pranoi këtë nevojë me kusht dhënien e garancive të duhura. Pa vlerësimin tonë pozitiv, gjykatat shqiptare, sipas gjasave, do ta kishin vrarë këtë proces”, u shpreh Gianni Buquicchio.

Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio tha se Gjykatat Kushtetuese duhet të jenë të pavarura, në mënyrë që ata të mbrojnë sundimin e ligjit, duke vënë në dukje se politikanët janë të prirur t’i sulmojnë këto gjykata, kur nuk u pëlqen gjykimi. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kjo ka rezultuar në situata ku ligje antikushtetuese, nga të cilat përfiton qeveria janë miratuar pa patur mundësi për ankimim, në dëm të vendit dhe sundimit të ligjit.

Buquicchio shtoi se prania e sundimit të ligjit duhet të jetë një “element kyç” për të vendosur, nëse një vend pranohet në BE.

v.l/ Dita