Nga: Engjëll Serjani –

Fshati Dhoksat i Njësisë Administrative Lunxhëri, pjesë e Bashkisë Gjirokastër përzgjidhet për t’u përfshirë në programin zhvillimor të 100 fshatrave të Shqipërisë për turizëm rural.

Programi i posaçëm kombëtar “Programi i Integruar për Zhvillimin Rural”, financuar nga Bashkimi Europian dhe disa donatorë të tjerë, parashikon përfshirjen e 100 fshatrave shqiptar për mbështetjen e projekteve për zhvillimin e argoturizmit dhe turizmit rural.

Gjatë fazës së parë të përzgjedhjes Bashkia Gjirokastër aplikoi pranë Agjensisë së Zhvillimit Rajonal 4 (AZHR4) me dosjet e tri fshatrave të kësaj bashkie.

Përkatësisht fshatrat Dhoksat, Lazarat e Picar.

Në përfundim të procesit të konkurimit dhe vleresimit, komisioni i AZHR4 përzgjodhi fshatin Dhoksat.

Ekspertët e turizmit të njësisë administrative Lunxhëri kanë nisur përgatitjen e dosjes së plotë për të kaluar në fazën e dytë të përzgjedhjes.

Gjatë kësaj faze te re, në fshatrat e përfshirë në këtë paketë zhvillimore, përcaktohen të gjitha modalitetet përsa i takon përfitimit të financimeve.

Kryesisht me investime të integruara për projekte që lidhen me përmiresimin e infrastrukturës.

Po ashtu, me vlerësimin e aseteve tradicionale, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e kapitalit njerezor.

Fshati Dhoksat është një nga fshatrat më piktoresk të krahinës së Lunxhërisë.

Fshati ka në listën e monumenteve edhe disa kulla dhe banesa.

Përveç kostumit të rrallë popullor “lunxhe”, traditës shekullore të ndërtimit të urave dhe krojeve.