Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’.

Presidenti Meta vendosi dje që të zhdekretojë ditën e zgjedhjeve më 30 qershor 2019. Partia ‘Zgjidhja’ e përshëndet këtë qëndrim të vonuar, por ende në kohë të kreut të shtetit, sepse në kushtet e tanishme nuk mund të zhvillohen zgjedhje demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

‘Zgjidhja’ deklaroi që në 11 maj, gjatë Kongresit të I-rë, se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe u bëri thirrje të gjitha partive pjesëmarrëse që të tërhiqeshin nga gara.

‘Zgjidhja’ deklaron se vetëm shtyrja e zgjedhjeve nuk mjafton. Duhet nisur urgjentisht një reformë e thellë kushtetuese dhe elektorale që vendi të dalë nga krizat ciklike. Nuk duhet humbur asnjë minutë kohë që vendi të arrijë një Pakt Kombëtar konsensual, për të reformuar sistemin politik dhe zgjedhjet. Rënia e paralajmëruar e 30 qershorit është rënia e gurit të parë të murit që ka ndarë shqiptarët këto 3 dekadat e fundit. Shqiptarët duhet të bëhen bashkë për ta shembur të gjithin për të nisur një jetë të re për shtetin dhe për veten e tyre. Rama dhe të vetët duhet ta respektojnë vendimin e presidentit. Nuk duhet t’i shkojnë me kokëfortësi e papërgjegjshmëri përplasjes. Nevojitet urtësi dhe mençuri. Është koha për reflektim! Zgjatja e krizës është me pasoja të rënda dhe të pakthyeshme.