Nga Gjekë Gjonaj. –

Kur njeriu  në një afat    të shkurtër kohor  përjeton ngjarje të këndshme domethënëse   në jetë dhe  në krijimtari   natyrshëm  mund të quhet  fatlum.  I tillë është protagonisti i kësaj mbrëmje albanologu, shkrimtari, poeti, studiuesi, folkloristi,  gazetari  dhe  atdhetari  ynë  tashmë i njohur edhe  në rrafshin mbarëkombëtar   prof.dr.Bahri Brisku. Ky intelektual i mirëfilltë  muajëve të fundit  më duket mjaft i përmbushur shpirtërisht dhe emocionalisht, ndoshta si rrallë ndonjëherë më parë, për tri arsye.

Së pari profesori ynë i nderuar pak muaj më parë u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro – Amerikane në një ceremoni të zhvilluar në Detriot, e cila në përbërje të saj ka  emra të shquar të artit, kulturës dhe shkencës shqiptare, me motivacion “Për rezultatet e larta të arritura në botimet e tija në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare.”  Ky vlerësim i madh që iu bë profesor Briskut  është rezultat  i punës së tij të suksesshme  shumëvjeçare në fushën e letrave shqipe, por edhe   e veprimtarisë së tij të bujshme patriotike, e cila  është shembull për brezat  e ri shqiptar se si duhet të luftojnë për mbrojtjen e të drejtave  tona kombëtare.

Së dyti  Bahri Brisku sot  feston 80 – vjetorin e  lindjes, përvjetor që besoj do ta lakmonim të gjithë sikur të gëzonim  shëndetin mjaft të mirë të profesorit.

Së  treti ky personalitet  i dha kulturës kombëtare shqiptare edhe një tjetër vepër të çmuar  „Këngë popullore të  shqiptarëve në Mal të Zi“, fryt i  një përkushtimi të thellë dhe pasioni të madh  ndaj krijimtarisë gojore të shqiptarëve në këtë shtet.

Të gjithë   i kemi dëgjuar thëniet : ” Populli është pasuria më e madhe.  Ai është i mënçuri, ai është i zgjuari, ai e ka urtinë ashtu, origjinale”. Ne, kemi vetëm një detyrë: ta njohim, ta mbledhim e ta botojmë këtë urti. Dhe pikërisht këtë e bëri me shumë dashuri Bahri Brisku, i cili  në një takim të fundit me buzëqeshje siqnqerisht më tha: “ Ky libër që unë kam botuar nuk është imi, është i popullit tim. Unë, vetëm e kam shkruar, – për besë!   Autori  kësaj  pune të madhe, shumë të lodhshme por me vlerë kombëtare iu qas në vitet 50-të të shekullit të kaluar kur shërbente si mësues në vendlindjen e tij në Krajë, të cilën ai e vlerësonte si djepin  e folklorit të shqiptarëve në Mal të Zi.  Prej atëherë gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij ishte “ bleta” që mblodhi “ nektarin” më të mirë të  shqiptarëve në Mal të Zi , letërsinë dhe traditën e tyre gojore, etnografike dhe folklorike, këtë thesar të çmuar popullor për ne dhe brezat e ardhshme. Gjithë këtë punë, lëvizje ,  gjurmim i shënoi   me  laps në fletore dhe me një magnetofon, të cilat vazhdimisht i mbante në  krah  fshatrave të thella të Ulqinit, të Anës së Malit, të Krajës, të Tivarit, të  Malësisë së Madhe ( Hot, Grudë, Triesh e Kojë), të Plavës,  dhe të  Gucisë.  Edhe pse  në kohë të vështira, pa infrastrukturë të duhur rrugore,  shpesh pa automjete ky dashamir i kulturës shqiptare nuk ndiente lodhje. Përkundrazi  mbledhja e folklorit  nga këngëtarë e rrëfimtarë të shumtë i jepte kënaqësi, frymëzim, pasion, vullnet e forcë. Sepse e dinte fare mirë se  në këtë mënyrë është duke bërë një punë të madhe. Në shoqërimin e  folkloristit të ndjerë  Lorenc Antonit i nxitur nga figura poliedrike e kulturës  shqiptare Anton Çeta, themelues i  Arkivit Folklorik  të Institutit  Albanologjik të Prishtinës , pastaj të rrjetit të bashkëpunëtorëve të jashtëm nga trevat e gjera të shqiptarëve në ish Jugosllavi, pjesë e të cilit ishte edhe profesor Basriu,   bashkë  me mbledhësit e tjerë  të folklorit  nga radhët e   shqiptarëve  në  Mal  të  Zi  Imzot  Simon Filipajn, Ismail Dodën,  Patër Zef Jankajn, Anton Berishën, Pjetër Gjuravçajn, Mirash Gojçajn,  Idriz Ulajn e ndonjë tjetër, duke qëndruar me ditë të tëra  në oda të burrave nëpër fshatra të ndryshme shqiptare  bëri të mundur jo vetëm grumbullimin e  këtij thesari popupullor , por edhe sistemimin dhe botimin e pjesërishëm të  tij  fillimisht në revistën  “ Gjurmime albanologjike – Folklor dhe Etnologji ” . Ndërkohë ky   material folklorik  i shërbeu profesor Briksut të  magjistrojë në temën “ Lirika popullore Ulqin – Shestan- Bregu i Bunës” dhe të doktorojë   në temën” Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare”.

Në këtë përmbledhje te vëllimshme prej 630 faqesh  e cila  tash sheh dritën e botimit   në kuadër të 100- vjetorit të pavarësisë së   Shqipërisë dhe siç thashë më parë  80-vjetorit  të lindjes së autorit   janë përfshirë   këngët e djepit, këngët dhe lojërat e fëmijëve, këngët satirike, këngët e punës, këngët e dashurisë,  këngët e  dasmës,  këngët e Rilindjes Kombëtare, këngët popullore për ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vajtimet,  këngët e mërgimit, baladat, këngët qytetare dhe këngët epike të kreshnikëve.

Prof. Bahri  Brisku  me veprimtarinë e tij krijuese shkencore dhe atdhetare pa dyshim mbetet një figurë e nderuar dhe e rëndësishme  e kulturës shqiptare.  Një personalitet  i respektuar i arsimit, një dritë rrezatuese e shqiptarisë e atdhedashurisë. Ai la gjurmë të pashlyeshme edhe në fushën e gazetarisë,   detarisë së  Ulqinit, mbledhjes së kulturës popullore, në fushën e krijimtarisë së prozës e poezisë artistike e gojore.  Ai e kreu detyrën e shenjtë në shërbim të  kombit dhe atdheut të vet.

Profesor, Ju falenderoj për punën shumë të mirë që keni bërë. Ju përgëzoj nga shpirti për qëllimet fisnike që i keni vënë vetes. Ju dëshiroj mbi të gjhitha shëndet dhe mbetem me shpresë  që së bashku do të festojmë edhe 85- vjetorin tuaj,  me një botim të ri, pse jo.