Afera korruptive ne Sharre.

Tarifa te fshehura per ndertuesit pengojne investimet, frenohet ekonomia vendase. –

23 shkurt 2019

Pasi Shoqata e Ndërtuesve shprehu qëndrimin që do të mbajë ndaj tarifës së fshehur për derdhjen e dherave të punimeve në landfillin e Sharrës, “News 24” ka folur direkt me ndërtuesit.

Këta të fundit thonë se në fund të ditës vendimi i papritur i koncesionarit “Integrated Energy B.V” (me miratimin e bashkisë) për të vjelë 480 lekë për çdo ton dhera të hedhur në Sharrë, do të rëndojë në fund të ditës blerësit. I këtij mendimi është ndërtuesi Arjan Leskaj. “Praktikisht, çdo gjë i është ngarkuar ndërtimit, sigurisht në fund të ditës ndërtuesi e shkarkon te konsumatori, por nuk është gjë e mirë sepse sjell frenim të ekonomisë, rritje të kostos artificiale.

E gjitha kjo ka krijuar një situatë shumë shqetësuese për Shoqatën e Ndërtuesve. Ne përditë kemi ankesa nga amtarët”. Një tjetër ndërtues, Hajredin Fratari, e sheh situatën edhe më të zymtë. Sipas tij, tarifa absurde e landfillit monopol do të mbajë larg vendit edhe investitorët e huaj, të cilët nuk e kanë një detyrim të tillë në rast se zgjedhin që paratë e tyre t’i investojnë në vende të tjera.

“Janë taksa të fshehta dhe që shkojnë rreth 60 % dhe investitorët e huaj çuditen me gjithë këto taksa që kemi ne. Çdo investitor i huaj, sa merr vesh për taksa, largohet për në Maqedoni apo Mal të Zi. Landfilli po abuzon e në vend të paguajë ai, paguajmë ne. Këto janë taksa absurde që po vendosen. Unë ndërtoj dhe në Romë dhe habitem e nuk arrij ta kuptoj se si të detyrojnë për dherat t’i çosh atje dhe të paguash dhe një taksë për të. Ndërtimet që bëj në Romë më jepnin lekë për dherat që i çoja sepse u nevojiteshin ato dhera privatëve të tjerë për mbushje”.

Tarifa e shkarkimit të dherave, që shkon deri në 100 euro për kamion, cilësohet e padrejtë nga ndërtuesit që operojnë prej shumë vitesh në tregun shqiptar dhe që deri përpara pak kohësh, nuk iu është dashur të paguajnë asgjë. Madje, ky sektor ndihet i diskriminuar nga politikat e Bashkisë së Tiranës, e cila i ka rënduar së tepërmi me taksa. “Për mua është veprim i pastër korruptiv, i panegociuar me biznesin se çfarë janë mbetje dhe dhera. Për mua është një rast skandaloz. Sektori i ndërtimit është sektori më i ngarkuar me taksa.

Përpara ka qenë pa taksë fare, ndërsa tani po detyrohemi nga Inspektorati t’i çojmë në landfill dhe t’i paguajmë taksë landfillit, një gjë që është e padrejtë”, shprehet Arjan Leskaj. Prej dy muajsh, koncensionari 30-vjeçar i landfillit “Integrated Energy B.V”, me vendimin e paprecedentë, sigurisht me “OK” e Bashkisë së Tiranës, ka shtuar edhe masat e kontrollit të kamionëve që vijnë nga kryeqyteti dhe zonat përreth. Përveç tarifave të majme nga këto të fundit, të cilat janë të detyruara t’i shkarkojnë kamionët vetëm në Sharrë, kompania paguhet edhe nga bashkia për çdo ton mbetje organike të prodhuara nga banorët e kryeqytetit.

Bizneset e ndërtuesit i kanë shprehur shqetësimin e tyre qeverisë përmes një letre, duke i kërkuar t’ia heqë të drejtën kësaj kompanie të tarifojë mbetjet, ndërsa thonë se janë gati ta çojnë rastin në gjykatë nëse qeveria nuk reagon.

Gazeta Panorama