Autoportret

Abdurrahim Buza (1905-1986) u lind në Shkup, në një familje me origjinë nga Gjakova. Me ndihmën e Bajram Currit vazhdoi shkollën fillore në Shkodër dhe Tiranë dhe më pas Normalen e Elbasanit (1923-1928). Si student mori pjesë në të ashtuquajturin revolucion demokratik të qershorit, të vitit 1924. Pas kësaj, iu krijua mundësia për të studiuar në Itali, financuar nga qeveria shqiptare. Për një vit, së bashku me skulptorin Odhise Paskali, ndoqi Akademinë e Arteve të Bukura në Torino dhe më pas vazhdoi përgatitjen si piktor në Firence (1933). Kur u kthye në Shqipëri punoi si mësues vizatimi në Tiranë dhe që nga viti 1947 në shkollën e mesme artistike Jordan Misja ku dhe doli në pension në vitin 1966. Punimet e Buzës u ekspozuan për herë të parë në nivel kombëtar në prill 1945. Karakteristikë e pikturave të tij janë ngjyrat e ndezura dhe një farë naiviteti fshataresk. Piktori ka trajtuar një mori të larmishme temash, nga portretet te peizazhet e Pogradecit dhe Tiranës si dhe temën historike, epike dhe kombëtare. Fryma e vendlindjes së tij, Kosovës, pasqyrohet në rreth 500 piktura në vaj si dhe në 10.000 skica, të cilat janë në ruajtje.

Disa nga veprat e A. Buza.