26 vite pritje.  Tifozi merr leje nga burgu për të parë Partizanin kampion në derbi.

Dashuria për futbollin dhe, mbi të gjitha, për ekipin e zemrës nuk njeh pengesa. Madje, as kur bëhet fjala për… burgun. Ndoshta gjithkush mund të habitet kur ta lexojë, por një histori e rrallë që vjen nga Saranda do të bindë edhe më skeptikët.

Dëshmia më e mirë është ajo e Vladimir Sinanit. Pakkush mund ta njohë këtë personazh, të paktën jashtë rrethit të tifozëve të Partizanit, e megjithatë gjesti i tij ka marrë dhenë dhe në media. Që në qytetin bregdetar tifozët e kuq janë të shumtë dhe ata nuk humbasin ndeshjet më të rëndësishme, kjo dihet, por askush nuk do ta besonte që ka edhe nga ata ultras që kërkojnë enkas leje nga burgu për të parë derbin.

Dhe ky i së dielës nuk ishte një derbi çfarëdo. Fitorja 2-1 kundër Tiranës u dha titullin kampion “demave” pas 26 vitesh mungesë. Pritja ishte realisht e gjatë nga hera e fundit që kanë mundur që të marrin trofeun më të rëndësishëm në vend. Ndaj, këtë ditë të madhe për popullin e kuq, Vladimiri nuk mund ta humbiste assesi.

Ai kishte kërkuar leje për të fituar për disa orë lirinë dhe për të parë ekipin e zemrës. Drejtuesit e burgut nuk ia kanë refuzuar kërkesën tifozit në fjalë dhe sikundër duket edhe në këtë foto, ai ishte i pranishëm në “Selman Stërmasi” për të gëzuar bashkë me të tjerët titullin e 16-të në historinë e klubit. Këtë lajm të rrallë e ka përhapur në rrjetet sociale vetë kryetari i shoqatës së tifozëve të Partizanit në qytetin e Sarandës. Me anë të një postimi, bashkëngjitur me këtë foto të Vladimir Sinanit, ai rrëfen sakrificën e këtij tifozi special, që as “hekurat” nuk ia hoqën mundësinë për të parë “demat” si kampionë.

“Partizani kampion! Vëllezër të Uraganit ‘Ultras Guerrils’, ky është sarandjoti Vladimir Sinani (i quajtur ndryshe Ladi Faikas), i cili vuan burgun dhe për të parë Partizanin kampion, mori leje nga burgu. Marshoi me ‘Guerrilsat’ e Sarandës drejt Tiranës. Kush e do Partizanin, edhe në planet tjetër të jetë, do të zbresë në mes të uraganit… Ky është ndryshimi ynë me tifozëritë e tjera. Faleminderit Ladi”, shkruhej në këtë postim, ku rrëfehej historia e këtij tifozi, që nuk iu hoq e drejta që të shihte ekipin e zemrës.

Madje, Vladimir Sinani udhëtoi si të gjithë tifozët e tjerë. Ai jo vetëm që ka marrë leje nga burgu, por ka udhëtuar bashkë me tifozët e tjerë sarandjotë drejt kryeqytetit. Mësohet se Sinani është dënuar për një ngjarje të disa viteve më parë dhe i kanë mbetur rreth 2 vite derisa të rifitojë lirinë. 64-vjeçari është një tifoz i zjarrtë i Partizanit. Gazeta u përpoq ta intervistonte Sinanin, por ai këmbënguli të qendronte në heshtje.

Nga: ILIR CARA