Vlora Durresi Saranda Velipoja presin fluks turistesh per sezonin e sapo nisur

Vlora, Durrësi, Saranda, Velipoja presin fluks turistesh per sezonin e sapo nisur
Në të gjithë zonën bregdetare vërehet një rënie çmimesh. Por korriku mund t’i rrisë sërish

Tashmë që sezoni turistik ka nisur, shqiptarët po bëjnë planifikimet e fundit për të kaluar pushimet. Kërkesat janë të shumta si për turizmin e ujit dhe rërës, ashtu dhe atë malor, ndërkohë që vihet re një ulje e çmimeve të dhomave të hoteleve apo shtëpive me qira në krahasim me vitin e kaluar. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me çmimet e bareve dhe restoranteve që ofrojnë shërbim në zonat bregdetare të vendit.

Vlorë

Në Vlorë numërohen rreth 40 njësi hoteliere me rreth 1800-2000 shtretër. Kushtet e akomodimit në përgjithësi janë të mira. Statistikat tregojnë se për qytetin e Vlorës çmimet e hoteleve variojnë nga 800-3000 lekë për person. Këto çmime luhaten në varësi të kushteve të hotelit, numrit të shtretërve në një dhomë dhe afërsisë me bregun e detit. Çmimet më të ulëta në përgjithësi i kanë hotelet që ndodhen në qendër të qytetit, ndërsa në hotelet që ndodhen përgjatë bregut të detit çmimet janë të larta, por gjithsesi të përballueshme. Kështu, në zonën e Ujit të Ftohtë, një dhomë me dy shtretër kushton nga 3500 lekë, deri në 8000 lekë për një natë. Ndërsa një shtëpi, për një periudhë kohore nga 10 ditë deri në 15 ditë, varion nga 25000 deri në 40000 lekë. Në çmim përfshihen dy dhoma të mobiluara dhe një ambient gatimi, i cili do të ishte i leverdishëm për familjet apo për një grup shoqëror. Shumë ambiente shtëpish, si dhe dhomat e hoteleve në të gjithë qytetin bregdetar, pothuajse janë të prenotuara. Ndërkohë, çmimet e hoteleve vazhdojnë të jenë të kripura për këtë vit vetëm në zonat e Dhërmiut dhe Himarës, ku plazhet janë tepër të preferuar dhe ku mësohet se çdo personi i duhet të paguajë një shumë prej 2500-3000 lekësh të reja për një natë. Çmimet më të larta janë për periudhën e gushtit, kur këto zona janë të mbipopulluara. Ndërkohë, çmimet e restoranteve vijojnë të jenë të kripura këtë vit. Zonat më të shtrenjta janë Uji i Ftohtë, Radhima dhe Orikumi. Këtu, një drekë normale i kalon 1500 lekët për person.

Durrës

Në plazhet e Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, çmimet e ambienteve akomoduese për një natë pritet të ndryshojnë në ditën e parë të muajit korrik. Rritja e çmimeve në hotelet e këtyre plazheve pritet të variojë nga 15 në 55 për qind. Rritja e kërkesave në pikun e sezonit bën që dhe shumica e bizneseve që ofrojnë shërbime në bregdet, të njohin rritje duke synuar dhe përzgjedhjen e pushuesve që frekuentojnë ambientet e tyre. Në një nga hotelet e njohura të plazhit të Golemit, aktualisht një natë kushton 30 euro çifti, ku në çmim përfshihet vakti i mëngjesit, çadra dhe shezlongët në plazh. Por në datën 1 korrik pritet që çmimi të arrijë në 70 euro për çift, duke zgjeruar edhe shërbimet e ofruara për këtë çmim. Këtu do të përfshihen tre vaktet e të ngrënit, çadrat, parkimi. Ndërkohë, në hotelet e tjera, vetëm me mëngjes një natë varion në 45-50 euro. Marrja e apartamenteve a shtëpive me qira gjithashtu ofron çmime të ndryshme për ata që duan të pushojnë në këtë pjesë të bregdetit dhe të mos shpenzojnë shumë, duke gatuar vetë. Çmimet variojnë nga 15 deri në 40 euro për dhomë ose apartament, ndërkohë që ato ndryshojnë në varësi të largësisë nga brezi i rërës. Mund të gjenden edhe dhoma për 5 euro nata matanë shinave të trenit. Sa më pranë ujit, aq më të larta janë çmimet. Gjithsesi, në krahasim me sezonin e kaluar, çmimet mbeten pothuajse të njëjta dhe pushues të kontaktuar gjatë këtyre ditëve pohojnë se ato janë të pranueshme për këtë periudhë të sezonit. Korriku do të ofrojë të tjera vlera dhe kosto për pushuesit buzë Adriatikut. Gjithsesi, janë pushime vjetore dhe shpenzimi ia vlen.

Saranda

Askush nuk harron se kjo është vera e një viti krize. E përkthyer në shpenzimet familjare e ato personale, kjo ka bërë që çdokush të bëhet sa më “dorështrënguar”. Nga një sondazh i këtyre ditëve, rezulton se edhe prenotimet nuk janë si vite më parë. Rezervimet e dhomave në hotelet e Sarandës, me telefonata, me internet apo përmes miqve të atyre që projektojnë të pushojnë në qytetin e turizmit, kanë një rënie të paparashikuar. Askush nuk di të shpjegojë fenomenin, ndërsa pronarët e hoteleve preferojnë të heshtin në këtë pikë. Të gjitha këto i kanë bërë ata që t’i rishikojnë çmimet dhe ofertat e kësaj vere. Në disa hotele një dhomë dyshe në pikun e sezonit nuk shkon më shumë se 30 euro, duke përfshirë edhe vaktin e mëngjesit. Zbutje të tilla që shkojnë me 10-15% më ulët se çmimet e një vere më parë, mësojmë se kanë bërë e po bëjnë edhe hotele të tjera që ndodhen buzë detit ose në qendër të qytetit. Sigurisht që ka edhe hotele më të shtrenjtë, ku një natë shkon 50 euro e më tepër se kaq. Ndërkohë janë ulur ndjeshëm edhe çmimet e shtëpive apo garsonierave që qytetarët ofrojnë këtë verë, si në Sarandë, ashtu edhe në Ksamil. Një apartament i thjeshtë jepet për 15 ditë pushime kundrejt çmimit 25-30 mijë lekë, një hyrje e madhe për 33-35 mijë lekë dhe një garsoniere për 20-25 mijë lekë, deklarojnë pronarët e tyre. Edhe në këto çmime llogaritet se zbritja shkon më shumë se 20 për qind. Ulje kanë pësuar dhe çmimet e ushqimeve. Askund në lokale jo “klas” dreka nuk e kalon 1000 lekë shpenzim për person. Po kështu, nuk ekziston më çmimi i birrës 250 lekë, qoftë edhe në ambalazhin 0.500 ml, qoftë edhe importi. Madje buzë shëtitores e gjen krikon e birrës për 50 lekë, ku ka mbërritur edhe “kërnacka” e Korçës me 25 lekë.

Velipojë

Ndërkohë, në plazhin e Velipojës çmimet edhe për këtë vit janë mjaft të favorshme. Kështu, një dhomë familjare në hotel shkon deri në 50 mijë lekë për dy javë, ndërkohë që një dhomë në banesat private kushton 30-40 mijë lekë. Çmimet e shezlongëve dhe çadrave janë 300 lekë, ndërkohë që ushqimet mund të konsiderohen më të lirat në Shqipëri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama