Vllaznia arrin fitoren e peste radhazi

Vllaznia arrin fitoren e peste radhazi

Vllaznia ka vijuar serinë e fitoreve dhe i afrohet edhe më shumë mbijetesës. Në sfidën e luajtur në Krujë ndaj Kastriotit, shkodranët kanë fituar me rezultatin 4-2, në një nëntëdhjetëminutësh, që i ka parë gjithmonë miqtë dominues në fushë, të favorizuar edhe nga loja me marsh të ulët të vendasve. Që në start Vllaznia zhvendosi lojën në gjysmëfushën e krutanëve dhe falë presionit të ushtruar arriti të gjejë golin e epërsisë me Krujën në minutën e tetë. Megjithatë, reagimi i vendasve nuk mungon dhe nëpërmjet një aksioni të rrjedhshëm nga krahu i majtë, do të jetë Doku që do të barazojë shifrat në minutën e 22-të. Gjithsesi, në fundin e pjesës së parë shkodranët do të rikthehen në epërsi në minutën e 43-të, me anë të Tafilit, që goditi me kokë një top të krosuar nga Kruja, në vazhdim të një aksioni ku portieri vendas Kukrika i favorizoi miqtë me pasigurinë e tij. Pjesa e dytë do të shfaqej me të njëjtën tablo, me shkodranët dominues dhe vendasit krejtësisht të dorëzuar.

 

Ndriçim Shtubina do të arrinte të shënonte golin e tretë në minutën e 58, duke u ndihmuar nga terreni i rënduar, që e mbajti topin në pozicion ideal për të shënuar. Nëntë minuta më vonë krutanët do të shënonin nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit me Cacën, ndërsa në minutën e 82-të do të ishte Bushiç, që do të vuloste rezultatin final, Kastrioti 2 dhe Vllaznia 4. Pas kësaj fitoreje, trajneri Haxhiosmanoviç ka theksuar se skuadra e tij arriti të marrë maksimumin në një ndeshje, ku pak rëndësi kishte motivimi i kundërshtarit. Dervish Haxhiosmanoviç qëndroi gjithsesi me këmbë në tokë, duke theksuar se gara për mbijetesën nuk është mbyllur ende. “Ne e kishim përgatitur këtë ndeshje sipas mënyrës sonë. Si gjithmonë i marrim sfidat një e nga një. Jemi të gëzuar që gjithçka shkoi mirë. Shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë derisa të sigurojmë qëndrimin në kategori”. Takimi i ardhshëm për Vllazninë në kampionat do të jetë me Tiranën në kryeqytet.

 

Ndërkohë, trajneri i krutanëve, Nevil Dede, si gjithmonë i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij tha se mënyra se si u luajt në këtë ndeshje tregon shumë dhe se të gjithë protagonistët duhet të tregojnë më tepër respekt për veten. Me këtë rezultat krutanët kanë mbetur vetëm me shanse matematike në Kategorinë Superiore, ndërsa fitorja e pestë e Vllaznisë e ka ngjitur këtë skuadër në kuotën e 41 pikëve, duke iu afruar ndjeshëm qëndrimit në elitën e futbollit tonë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama