Vjedhja e BSH-se nis protesta kunder Fullanit

Vjedhja e BSH-se, nis protesta kunder Fullanit

Ka nisur sot rreth orës 14:30, protesta e shoqërisë civile për largimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanit. Në ditën e tretë të tyre, qytetarët e mbledhur në sheshin “Avni Rustemi” kanë bërë thirrje për shkarkimin e guvernatorit, në të kundërt kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen organeve ligjore.

Ndryshe nga herët e tjera, qytetarët kanë marrë 6 orë leje për mbajtjen e protestës para Bankës së Shqipërisë. Edhe pse të pakët në numër, qytetarët janë shprehur se kjo nuk është me rëndësi, në krahasim me rëndësinë që mbart kjo çështje për  interesat e shqiptarëve.

Një nga protestuesit gjatë fjalës së tij deklaroi se duke filluar nga dita e nesërme do të ndjekin rrugët ligjore për dorëheqjen e Fullanit:

“Ne nga nesër do t’i drejtohemi organeve ligjore. Ju e dini që në këtë institucion ka ndodhur një akt i rëndë. Janë grabitur mbi 7 mln euro, shumë e cila i tremb njerëzit, por nuk tremb guvernatorin, i cili zgërdhihet. Në ju bëjmë thirrje ejani në këtë shesh që ne do ta quajmë Full-Hajni. Po çfarë mund të bëjë një institucion si Prokuroria, kur Guvernatori është në krye të institucionit. Po përpiqen që të manipulohen dhe të fshihen provat. Situate është e rëndë dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë”.

Protesta pritet të ecë në të njëjtin ritëm si ajo e protestës së zhvilluar për armët kimike para kryeministrisë. Ky paralelizëm është bërë për faktin se protestuesit shprehen të vendosur t’i shkojnë deri në fund qëllimit të tyre, që është shkarkimi i Ardian Fullanit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama