Vendoset akcize per biodiezelin rritje cigareve 20 leke/pakete

Vendoset akcize per biodiezelin, rritje cigareve 20 leke/pakete

Pas rezultatit të dobët të mbledhjes së akcizës, nis rritja e taksave. Biokarburantet dhe cigaret janë të parat. Ato bëjnë gropë të madhe në buxhetin e shtetit, sipas konfirmimit të bërë nga dy ministra pas mbledhjes së djeshme të qeverisë. Si masë e menjëhershme është propozimi i projektligjit nga qeveria për përjashtimin nga regjimi tatimor i lehtësuar i biokarburanteve. Gjithashtu u paralajmërua ngritja e akcizës së cigareve me të njëjtin ritëm deri në vitin 2017, pra, me 20 lekë për paketë në çdo vit. Të gjitha mallrat e forta rezultojnë me rënie të ndjeshme kundrejt tetëmujorit të një viti më parë (përveç karburanteve, ku pati rritje mbi 6%). Nga 1 janar 2014, hyri në fuqi ligji për rritjen e masës së akcizës së cigareve me 20 lekë/paketë. Tregtarët i paraprinë kësaj mase me rritjen e importeve në muajin dhjetor 2013 në masën 174%, krahasuar me dhjetorin 2012, duke krijuar stok për muajt e parë të vitit 2014. Në të njëjtën frymë, si për çështjen e duhanit, qeveria është e angazhuar, siç u shpreh dje ministri Ahmetaj, për t’i dhënë një mbështetje të fuqishme energjisë së gjelbër. “Qeveria, sot, bën një korrigjim të rëndësishëm në regjimin fiskal të biodiezelit”. tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Ai deklaroi se nga studimet që kanë bërë së bashku me partnerët ndërkombëtarë, regjimi fiskal aktual, jo vetëm që nuk e ka promovuar energjinë e gjelbër, por ka shërbyer si një “gropë e zezë” për buxhetin e shtetit dhe ka shërbyer edhe si praktikë korruptive në vite dhe vite rresht. “Jemi të bindur se korrigjimi i kësaj mase, për sa i përket biodiezelit, do të sjellë konkurrencën e ndershme dhe mbi të gjitha, do të sjellë një mbështetje reale për energjinë e gjelbër dhe prodhimin vendas të energjisë së gjelbër”, theksoi Ahmetaj.

Projektligji

Ndryshimi parashikon heqjen e rimbursimit të akcizës për biodiezelin. Kjo zbatohet me shfuqizimin e një neni në ligjin ekzistues. Në bazë të projektligjit të qeverisë të miratuar dje për t’iu dërguar Kuvendit, neni 10 “Regjimi tatimor”, i ligjit nr. 9876, datë 14.2.2008, “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, i ndryshuar, shfuqizohet. Po çfarë ishte ky nen, që shkakton evazion?

Regjimi tatimor aktual


Sipas nenit që do të shfuqizohet, biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse, të rinovueshme, që përdoren në sektorin e transportit, si dhe lëndët e para, që përdoren për prodhimin e tyre u nënshtrohen një trajtimi të veçantë tatimor, që i bën ato të konkurrueshme në treg. Nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji në vitin 2008 deri në vitin 2018, niveli i akcizës për këto produkte do të jetë zero. Ky ligj i ndërmarrë në kuadër të Protokollit të Kiotos për ndryshimet klimatike, ka për qëllim sigurimin e furnizimit dhe promovimit me burime energjetike të rinovueshme, nëpërmjet nxitjes e kultivimit të bimëve energjetike, për të mbrojtur mjedisin. Por, me sa duket u ka shërbyer vetëm tregtarëve të naftës.

Rimbursimi për biokarburantet

Biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse, të rinovueshme, mund të disponohen dhe të tregtohen në formë të pastër ose si përzierje me produktet e përpunimit të naftës bruto. Në tregun tonë ka qarkulluar vetëm biodiezel me vajra nafte, i cili e ka deri në këtë moment akcizën e rimbursueshme 37 lekë/litër. Në bazë të ligjit, vlera e akcizës që rimbursohet, caktohet pas konfirmimit nga laboratori kimik doganor. Organet tatimore, edhe gjatë qeverisjes “Berisha”, kanë hasur probleme me biodiezelin. Këtë e vërteton masa e vendosur në vitin 2012 për përbërjen e produktit. Kështu, ligji thotë se, biodiezeli i përzier me diezel, për lëvizje automjetesh, në përqindje, duhet të ketë minimalisht 5% për vëllim, ndërsa qeveria e ka ngritur këtë kufi në 20%.

Strategjia e harruar


E veçanta e këtij ligji është se vendos edhe objektivat e qeverisë për futjen në treg të biokarburanteve. Kështu, në ligjin që mbetet në fuqi, përcaktohet se, “Përcaktimi i sasisë minimale vjetore në treg të biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, e cila nuk mund të jetë më e vogël se 3%, do të fillojë nga viti 2010, ndërsa nga viti 2015 e në vazhdim, kjo sasi nuk mund të jetë më e vogël se 10%”. Duket se askush nuk e ka pasur mendjen te ky objektiv kur kanë bërë ligjin, por as ata që po e ndryshojnë nuk e kanë në plan për momentin.

Përbërja

Sipas përcaktimit të vitit 2012, me produkt BIO do të nënkuptohen: a) esteri metilik i acidit yndyror; b) etili tertio-butyl-ether; c) alkooli etilik (etanol), i denatyruar me denatyrues special


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama