Vendos disiplina burgosen tifozet e Tiranes & Vllaznise

Vendos disiplina, 'burgosen' tifozet e Tiranes & Vllaznise

Vllaznia do të luajë 10 ndeshje pa tifozë, Tirana 15, ndërsa grupimi i tifozëve të këtyre të fundit “Tirona Fanatics” nuk do të lejohet të marrë pjesë në asnjë ndeshje të këtij sezoni. Këto janë vendimet kryesore që janë marrë gjatë mbledhjes së Komisionit të Disiplinës për ngjarjen e shëmtuar që ndodhi në stadiumin kombëtar “Loro Boriçi”. Një masë e tillë dhe kaq e rreptë ishte e pritshme duke parë që ndeshja mes kuqebluve dhe bardhebluve, që u luajt ditën e enjte në Shkodër ishte një nga aktet më të shëmtuara të ngjarjeve sportive në vend. Komisioni i Disiplinës pasi është njohur me të gjitha pamjet, faktet dhe dokumenteve zyrtare të vëzhguesit dhe delegatëve ka marrë këtë vendim për të dyja skuadrat. I mbajtur dje në ambientet e zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, Komisioni i Disiplinës nuk i ka lënë me kaq masat ndëshkuese për të dyja klubet. Përveç faktit që do të luajnë pa tifozë në shumë ndeshje, skuadrat janë gjobitur edhe me shuma të majme lekësh. Vllaznia është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra, ndërsa Tirana me pesë milionë.

Pasi janë njohur me këto masa të rrepta, por që shkojnë përshtat pas asaj që ndodhi në stadiumin “Loro Boriçi” klubet nuk janë pajtuar dhe kanë bërë me dije se do t’i apelojnë vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe do të kërkojnë patjetër zbritjen e këtyre dënimeve. Mes ndeshjeve më interesante që do të luhen pa tifozë është edhe Derbi Tirana- Partizani, që do të luhet me stadiumin e boshatisur. “Tirona Fanatics”- Ndëshkim i rëndë për një nga tifo-grupet më të organizuara në Shqipëri, Tirona Fanatics. Këta të fundit nuk do të lejohen të marrin pjesë në aktivitetet sportive për këtë vit. Sipas komisionit të Disiplinës, kjo nuk është hera e parë që ky tifo grup kryen akte të tilla dhe pas disa përsëritjesh është marrë ky vendim drastik për t’i përjashtuar nga sezoni 2014-2015. Pasi kanë mësuar këtë vendim, tifozët e Tiranës kanë shpërthyer në akuza ndaj Federatës duke thënë se këto vendime janë vërtet të ekzagjeruara.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës

-KF Vllaznia për dështim në përmbushje të përgjegjësive për organizmin e një ndeshjeje futbolli, përgjegjësi për sjelljen e gabuar të spektatorëve me pasojë hedhjen e sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar akte të dhunës dhe ndërprerje të përkohshme të lojës dënohet me zhvillimin e 10 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe 1.000.000 (një milionë) lekë gjobë bazuar në nenet përkatëse. -KF Tirana për përgjegjësi në sjelljen e gabuar të spektatorëve të saj me pasojë hedhjen e sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar akte të dhunës dhe ndërprerje të përsëritura të lojës si dhe duke pasur akte të ngjashme të përsëritura dënohet me zhvillimin e 15 ndeshjeve pa spektatorëve në stadiumin e saj si dhe 500.000 lekë gjobë bazuar në nenet përkatëse. -Grupimi i tifozëve “Tirana Fanatiks” për sjellje të dhunshme të përsëritura në stadiume dënohen me mospjesëmarrje në të gjitha aktivitetet futbollistike për sezonin 2014-2015 bazuar në nenet përkatëse. -KF Partizani për sjellje të gabuar të tifozërisë së saj dhe hedhjen e fishekzjarrëve në fushë dënohet me 50.000 lekë gjobë bazuar në nenin 66/1 të KDS.

Vendim i ekzagjeruar, do e apelojnë patjetër

Pas vendimit të Komisionit të Disiplinës për ta dënuar 10 ndeshje stadiumin “Loro Boriçi” dhe për të gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra skuadrën e Vllaznisë kanë reaguar menjëherë këta të fundit, të cilët janë shprehur se ky vendim është absurd dhe do të apelohet patjetër ditën e hënë në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Klubi i Futbollit Vllaznia bën të ditur se e konsideron të ekzagjeruar vendimin e sotëm të Komisionit të Disiplinës për skuadrën tonë. Në rrethana të tilla ditën e hënë do të bëjmë ankimimin tonë pranë Komisionit të Apelit”, shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit të Vllaznisë. Ndeshjet për të cilat do të qëndrojë i mbyllur stadiumi duken vërtet shumë, ndërsa edhe gjoba me të cilën është shoqëruar ky vendim është e tepërt sipas kampit kuqeblu. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama