Veliaj Rritje graduale e pensioneve rurale

Veliaj: Rritje graduale e pensioneve rurale

Është mbledhur sot Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave për të diskutuar  projektligjin  “Për  sigurimet shoqërore në Shqipëri”. Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, prezantoi skemën e re të sigurimeve shoqërore për reformimin e pensioneve, sipas së cilës do të ketë një rritje graduale të kontributit për zonat rurale.

Ai deklaroi se me skemën e vjetër që ndiqej nga qeverisja e kaluar, ka pasur një deficit në pensionet rurale, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre shkonte për pensionet urbane. Veliaj propozoi shfuqizimin e formulës së llogaritjeve të pensioneve rurale dhe përdorimin e të njëjtës formulë për zonat rurale dhe urbane.

Ministri deklaroi së në vitin 2005 llogaritet një deficit prej 150 milionë dollarësh në subvencionimin e pensioneve. Sipas tij nëse do të ndiqet skema e vjetër e sigurimeve shoqërore, pensionistët do të marrin një pension qesharak:

“Dy janë rrugët që mund të ndjekim, ose të shpërndajmë pensione qesharake duke ndjekur skemën e vjetër, ose të ndryshojmë skemën e pensioneve”, tha Veliaj.

Sipas tij, projektligji i ri i sigurimeve shoqërore, synon futjen e pensionit social në skemë, dhe rritjen e pensioneve në mënyrë graduale duke filluar që nga janari i 2015:

“Skema e re e fillon shëndoshjen e pensioneve, menjëherë vitin tjetër, por në mënyrë graduale, ndërkohë që shpërblen ata që dalin në pension nga 1 janari i vitit që vjen”, tha ministri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama