Veliaj Dasma me kursimet e nenes

Veliaj: Dasma me kursimet e nenes

Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, tha sot se dasma e tij është bërë me shpenzimet e nënës së tij. Në një intervistë për News 24, Veliaj u shpreh se për ceremoninë në kalanë e Gjirokastrës, ka paguar në bazë të një udhëzimi të qeverisë Berisha.

Ai tha se bashkë me bashkëshorten, Ajolën, kanë zgjedhur të paguajnë tarifën më të lartë, 5000 lekë ora, pasi kanë dashur që t’i mbeten sa më shumë fonde administrimit të kalasë, pasi që në momentin që është zgjedhur deputet në këtë qark, është betuar se do të promovojë në të gjitha mënyrat qytetin e Gjirokastrës.

Sipas tij, kalaja dhe disa zona të tjera në Gjirokastër kanë nevojë për t’u promovuar. Lidhur me akuzat e PD, Veliaj theksoi se, nëse provohet se qoftë edhe një qindarkë e thesarit të shtetit është shpenzuar në dasmën e tij, ai jep dorëheqjen.

“Para një jave që u bë martesa ime, ishte bërë ëdhe një dasmë më parë dhe pas një jave, një tjetër. Nëse unë kam shpenzuar një qindarkë të shtetit shqiptar, të taksapaguesit shqiptar, për dasmën apo edhe për Festivalin e Trashëgimisë Kulturore apo për Konferencën e Pezës, unë jap dorëheqjen, nëse provohet se një qindarkë shkon për këto gjëra, atëherë unë do të jem një nga zyrtarët që bëjnë gjëra pa lek. I lutesha kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës që të hapej tuneli bërthamor, i cili u bë me vullnetarë. Ka qënë një gjetje. T’ia thuash këtë logjikë Partisë Demokratike, kjo nuk bën sens, pasi ishte një parti që bën tenderime për çdo gjë. Por, i sfidoj që nëse një qindarkë e kam harxhuar, jap dorëheqjen” u shpreh ministri.

Veliaj tha se dasma në Pezë u organizua me shpenzimet e prindërve të Ajolës, ndërsa theksoi se të gjitha shpenzimet do të jenë të shënuara në deklarimin e pasurisë së tij pranë ILDKP-së. Ministri theksoi se asnjë nga dasmat nuk shkoi më shumë se 9 milion lekë.

Akuzat e PD, Veliaj i cilësoi si kompliment, pasi sipas tij, duke qënë se PD merret me dasmën e tij, do të thotë që nuk kanë asnjë vërejtje për punën në krye të Ministrisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama