Van Gal Shanset per finalen jane 50-50

Van Gal: Shanset per finalen jane 50-50

Nuk ka favoritë në gjysmëfinalen mes Holandës dhe Argjentinës. Për këtë është i sigurt trajneri i holandezëve, Luis Van Gal, i cili është i bindur se ekipi i tij do të luajë ndaj një skuadre, jo vetëm kundër Mesit. “Kjo është ajo për të cilën të dyja skuadrat kanë mbërritur deri këtu”, u shpreh me humor trajneri holandez.

Në një konferencë për shtyp që zgjati fiks 15 minuta, aq sa parashikon rregullorja e FIFA-s, Van Gal është përgjigjur shkurtimisht për tema të ndryshme, si për të treguar se po të mos ishte i detyruar, do të kishte preferuar të mos fliste për këtë ndeshje. “Mendoj se kjo sfidë nuk ka favoritë. Në një gjysmëfinale, të dy shtetet janë të të njëjtit nivel. Rezultatet kanë qenë të tilla si në fazën e 1/16, ashtu edhe në çerekfinale. Mendoj se është një ndeshje 50-50 dhe duhet të jemi pak me fat. Në Holandë themi: monedha duhet të bjerë ashtu siç ke zgjedhur ti”, u shpreh tekniku, që gjithsesi është i ndërgjegjshëm për rrezikun e kundërshtarit, që ka në përbërje një element të cilësisë jashtëzakonisht të lartë si Lionel Mesi.

“Nëse shënon aq shumë gola, do të thotë se ke një vlerë më të madhe se futbollistët e tjerë. Ai arrin të bëjë veprimin e duhur në momentin më të rëndësishëm. Parimisht, ai e kishte të vështirë të tregonte gjëra të tilla me kombëtaren dhe në këtë turne dëshiron ta ndryshojë këtë paraqitje. Ne, duam të mos e lejojmë ta bëjë një gjë të tillë. Do të jetë një sfidë mjaft interesante”, ishte shpjegimi i tij mbi paraqitjen e numrit 10 të Argjentinës, për të vazhduar më pas me përshkrimin për “shokët e Mesit”.

“Mendoj se si ekip do të jenë më të fortë se Kosta Rika… por nuk është se jam shumë familjar me formacionin e tyre. Mendoj se edhe në radhët e tyre ka dyshime për elementë të caktuar dhe kanë përdorur formacione të ndryshme në këtë Botëror. Nuk di ta parashikoj fatin, ndaj do të presë të shoh se si do të rreshtohen ata, para se të përshtat ekipin tim në fushën e lojës. Ta keni të qartë, do të luajmë ndaj një ekipi, jo ndaj një lojtari”, vijoi në mënyrën e tij origjinale trajneri holandez.

Në fund, Van Gal ka pasur një mesazh edhe për të gjithë holandezët, duke i ftuar ata që të thyejnë rregullat dhe të mbajnë fëmijët zgjuar për këtë ndeshje, ndonëse në Europë do të jetë ora 22:00. “Unë gjithmonë i lejoja fëmijët e mi të shikonin ndeshjet. Ky është një rast unik! Shihni çfarë impakti ka një Kampionat Botëror! Shumë fëmijë janë me pushime e megjithatë, ata nuk duan të flenë, duke menduar nëse Holanda do të kualifikohet apo jo. Unë i këshilloj të gjithë prindërit të lënë fëmijët të shohin këtë ndeshje, edhe nëse shkon me shtesa apo penallti, meqë Argjentina ka një skuadër të fortë dhe ekziston një mundësi e tillë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama