Vallja e Yjve


Yjtë-e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë-palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë-e mall të valë.

Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças,
E si kurrë s'ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që t'a kapë
Rrotull qiejve pa fund
Venë-e-vinë-e-venë prapë...

.......................................


Do të venë fluturim
Kudo janë-e kudo s'janë,
Nëpër qjell që s'ka mbarim,
As fillim, as fund, as anë.

Kur mi të, kur nënë të,
Kur me hire-e kur pa hire,
Do përëajnë gjithënjë
Hapësirë...shkretëtire...

Ata ikin varg-e-varg
Me një etje të pashuar:
Sesà fellë-e sesà larg
Shoq me shoq u pat larguar!...

Kùsh j-u fali-aq dëshërim,
Dh'aqë zjarr e aqë flakë,
Dh'i gatoj me aq durim
Yjtë-e lum e varfanjakë?

Se do një, si për çudi,
Ku prej syresh rreh të ftohet,
Shoq i vet, nga mall'i ti,
Më me zjarr zë përvëlohet...

Dh'i vjen qark më me vërtik
E me dhembje më të nxehtë,
E si ik...si gjithë ik...
E pushton me zjarr të vetë:

Sa më pak e shmbëllen:
Aq më shumë-e ndjek dëshira...
Pa nga malli që s'e gjen,
Dridhet gjithë hapësira.

...Kur po ja! Se që përtej
Ndriten erërat nga pakë:
Yll-i çdukur nëpër qiej
Vetëtiu e mori flakë:

J-a pat shtënë me një ças,
Mun në mes në kraharuar,
Shoq' i vet q'i sillej pàs
Me një sulm të llaftaruar;

Q'e kish flakën mun në gji,
Q'e zhuritte dashurija,
që çkëlqente me zili
Rrotull rrezeve të tija.

Yll i mjerë e yll i lum!
Yll i lum e yll i mjerë!
Sapo drita t'u përgjum,
Sheh një shoq nëpër skëterë;

Ay vin... e gjith vin...,
Gjith më pranë... -e gjith më pranë...-
Sesà ndrin e vetëtin!...
Sesà ndjen një gas pa anë!...

Sesa ndritesh përsëri!
Sesì ndizesh përsëpari!
Sesì djek me dashuri
Posi yll margaritari!...

Dashuri! Heu! Mall i ri!
Dashuri! këng' e durimit!
Ti liri! Ti robëri!
Ti valim i shkrepëtimit!

........................................


Yjtë-e ndezur aqë larg.
Lozin vallen e dëshirës
Dyke ndritur varg-e-varg
Nëpër terr të errësirës.

 



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama