Ura e Tabakeve

Ura e Tabakëve
Me lindjen e Tiranës si qendër qytetare më 1614, u vu re një zhvillim i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë. E ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare, Tirana fitoi vit pas këtij viti rëndësinë dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve rreth saj, të cilët vit pas viti rritën popullimin e qytetit.

Përveç rrugës Egnatia, e përmendur në lashtësi e që kalonte në pjesën perëndimore të Tiranës së sotme, një aks tjetër i rëndsishëm ishte ai që lidhte Tiranën me malësinë e saj. Ajo quhej, e madje vazhdon të quhet, “Rruga e Shëngjergjit”. Kjo rrugë kalonte në pjesën lindore të Tiranës, në Priskë të Madhe, Qafë Priskë, Domje, Shëngjergj, e më tej vazhdonte në Bizë, Martanesh, Zerqan e deri në Dibër të Madhe. Kjo rrugë ishte e rëndësishme pasi shërbente për lëvizjen nga këto krahina malore të karvaneve me prodhime blegtorale për të cilat këto zona dalloheshin. Kope të tëra bagëtish, për shkak të dimrit të ashpër të malësisë lëviznin në zonat me klimë të butë të kodrinave e fushës së Tiranës. Një pjesë e mirë e këtyre bagëtive në hyrje të dimrit dhe pas shtimit të tyre në pranverë destinoheshin për treg. Banorë të ndryshëm u vendosën në periferi të Tiranës së atëhershme duke pritur karvanët e bagëtive të malësisë. Ato u “specializuan” kryesisht në therjen e bagëtive dhe përpunimin e lëkurëve. Disa familje të vjetra tiranase që prej 2-3 brezash e sot e kësaj dite merren me këtë veprimtari. Të tilla janë familjet Xheleti, Kuka, etj. Pikërisht prej aktivitetit të rregjies së lëkurëvë lagja u quajt “Tabakanë” dhe rruga u quajt “Rruga e Tabakëve”, pra e lëkurërregjësve. Madje këtë emërtim morën edhe sheshi dhe një grup familjesh që mbajnë edhe sot mbiemrin “Tabaku”. Me këtë emërtim u pagëzua edhe ura e shekullit XVIII që lidhte të dy brigjet e Lanës, pra u quajt Ura e Tabakëve. Ajo është dëshmi e zhvillimit të qytetit dhe shtimit të komunikimit me zonat e brendshme.

Ura e Tabakëve dallohet për arkitekturën e saj harmonike si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementëve të saj. Ajo përbëhet nga një hark kryesor mbi të cilin ngrihet ura në formë kurizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësor me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3.5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2.5 metra, ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethor me hapësirë të vogël. Ura e Tabakëve e luajti funksionin e saj për kalimin nga një breg i Lanës në tjetrin deri nga vitet ‘30. Më pas Lana mori drejtim tjetër duke devijuar nga rruga e saj e përhershme.

Urat e vjetra prej guri dëshmojnë për tradita të lashta të vendit tonë në fushën e ndërtimeve. Ato vërtetojnë punën e madhe të mjeshtrave popullorë e konkretisht edhe të atyre Tiranas.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama