Unioni i Gjyqtareve kunder Tahirit leter Nishanit Po cenohet pavaresia e sistemit te Drejtesise

Unioni i Gjyqtareve kunder Tahirit, leter Nishanit: Po cenohet pavaresia e sistemit te Drejtesise

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar sot kundër ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i cili përmes një letre dërguar kreut të shtetit 3 ditë më parë bënte publik emrat e gjyqtarëve të cilët sipas tij kishin dhënë vendimeve të kundërligjshme dhe i kërkonte presidentit që të rishqyrtonte vendimet në fjalë.

 

Përmes një letre drejtuar presidentit të vendit, Unioni i Gjyqtarëve ka shprehur shqetësimin se në këtë mënyrë po ‘cenohen standardet ndërkombëtare bashkëkohore të trajtimit të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe vendimeve të tyre’, çka sipas tyre dëmton pavarësinë e gjyqësorit, besimin e publikut tek drejtësia.

 

LETRA E UNIONIT TE GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË

BORDI DREJTUES

Nr. 48 Prot.

Datë 21/04/2014

 

Drejtuar : Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Bujar Nishani

Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Ministrit të Drejtësisë

Komisionit të Ligjeve pranë Kuvendit të Shqipërisë

Delegacionit të Bashkimit Evropian

Misionit EURALIUS

Misionit OPDAT

Projektit JuST të USAID

Njësisë për Shtetin e së Drejtës pranë OSBE

Të gjitha mediave.

 

Lënda: “Lidhur me trajtimin në publik të ankesave ndaj gjyqtarëve”.

I nderuar z. President!

Të nderuar përfaqësues të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv!

Të nderuar përfaqësues të asistencës ndërkombëtare për drejtësinë!

Të nderuar përfaqësues të mediave.

Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me gjyqësorin, në emër të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, anëtar me të drejta të plota në Shoqatën Ndërkombëtare të Gjyqtarëve, që ka status këshillimor në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës, na lejoni të risjellim edhe njëherë në vëmendjen tuaj standardet ndërkombëtare bashkëkohore të trajtimit të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe vendimeve të tyre, në raport me publikun e gjerë.

Së pari, Parimet Bazike të Kombeve të Bashkuara mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, në pikën 17 të tyre parashikojnë se “Një akuzë apo ankesë e bërë ndaj një gjyqtari në kapacitetin e tij/saj profesional dhe gjyqësor duhet të shqyrtohet me shpejtësi dhe drejtësi, bazuar në një procedurë të përshtatshme. Gjyqtari duhet të ketë të drejtën e një procesi të drejtë dëgjimor. Hetimi i rastit në fazën fillestare duhet të mbahet konfidencial, përveç kur vetë gjyqtari kërkon ndryshe”.

Së dyti, Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës drejtuar shteteve anëtare mbi Gjyqtarët: Pavarësinë, Efiçencën dhe Përgjegjësitë (2010), në pikën 16 të tij, parashikon se “Vendimet e gjyqtarëve nuk duhet të jenë subjekt rishikimi, përveç procedurës apeluese ose rishikuese, sikurse parashikohet në ligj.”, ndërsa në pikën 18 se “Teksa komenton vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ duhet të shmangin kriticizmin që minon pavarësinë ose besimin e publikut tek gjyqësori. Ata gjithashtu duhet të shmangin veprimet që mund të tregojnë mungesën e vullnetit të tyre për t’iu bindur vendimeve të gjyqtarëve, përveç se mund të deklarojnë qëllimin e tyre për të apeluar.”

Sa më lart, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë vlerëson se qasja e trajtimit në publik të ankesave ndaj gjyqtarëve duhet t’i përmbahet këtyre standardeve dhe parimeve, në të kundërt dëmton pavarësinë e gjyqësorit, besimin e publikut tek drejtësia dhe interesat e mirëadministrimit të drejtësisë në përgjithësi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama