UNESCO merr ne mbrojtje Ohrin

UNESCO merr ne mbrojtje Ohrin

Liqeni i Ohrit do të bëhet pjesë e listës së UNESCO-s dhe do të mbrohet me ligj si pasuri e trashëgimi kulturore dhe natyrore. Projekti i prezantuar në Tushemisht të Pogradecit, do të synojë përgatitjen e dosjes së nominimit dhe rehabilitimet fizike të liqenit brenda 30 muajsh. Të pranishëm gjatë prezantimit ishin përfaqësues nga UNESCO-s dhe Ministria e Kulturës, ajo e Mjedisit si dhe përfaqësues nga pala maqedonase.

Sinisa Sesum, përfaqësues i UNESCO tha se duhet punë e madhe nga autoritetet shqiptare në këtë periudhë 30 mujore.

“Mundësitë që liqeni i Ohrit të bëhet pjesë e UNESCO-s në anën shqiptare janë të mëdha, por mbetet shumë punë nga ana e autoriteteve shqiptare. Do të ishte mëse e zakonshme që i gjithë liqeni të jetë pjesë e trashëgimisë botërore, por janë shumë kushte që duhet të plotësohen. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e vlerave natyrore të këtij liqeni”, tha Sesum.

Virgjil Muçi nga Komisioni Kombëtar i UNESCO-s e cilësoi projektin si ogur për zhvillimin e mëtejshëm të zonës. Ndërsa Pëllumb Abeshi, përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit e cilësoi projektin si mjaft të rëndësishëm në ruajtjen dhe mbrojtjen në mënyrë të qëndrueshme të vlerave natyrore të liqenit.

Ana maqedonase e liqenit e ka fituar statusin si pjesë e trashëgimisë botërore që prej vitit 1979, ndërsa pjesa shqiptare e liqenit vuan prej vitesh për shkak të mungesës së angazhimit dhe dëshirës për të mbrojtur këtë pasuri të rrallë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama