UEFA e kenaqur nga punimet Elbasan Arena

UEFA, e kenaqur nga punimet 'Elbasan Arena'

Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë shtohet interesimi për përmbylljen e punimeve të stadiumit të ri në Elbasan, ku do t’i luajë ndeshjet e saj edhe kombëtarja. Një delegacion specialistësh të institucionit më të rëndësishëm të futbollit europian, UEFA, të shoqëruar nga drejtues të lartë të FSHF-së, kanë ndjekur nga afër detaje teknike të ecurisë së punimeve në stadium. Këtij grupi i janë bashkuar edhe specialistë të RTSH-së, të cilët do të prodhojnë sinjalin televiziv të ndeshjeve të kombëtares shqiptare. Sipas burimeve nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët e UEFA-s, janë përqendruar në detaje të zbatimit të projektit dhe kanë kërkuar që gjithçka të plotësojë parametrat standarde të zhvillimit të ndeshjeve eliminatore europiane. Mësohet se delegacioni është shprehur i kënaqur me ecurinë e deritanishme të punimeve, duke shfaqur besimin, se gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve.

 

Delegacionit i është bashkuar në kantierin e punimeve edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe prefekti, Arben Kamami, të cilët kanë treguar interesimin e pushtetit lokal dhe qendror për përfundimin e këtij impianti të rëndësishëm. Sipas parashikimeve dhe premtimeve të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, stadiumi “Elbasan Arena” pritet të jetë gati për ndeshjen e dytë të kombëtares shqiptare, më 11 tetor kundër Danimarkës, e para që luhet në shtëpinë tonë në eliminatoret e Euro 2016 në Francë.

 

Vetë Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë surprizë disa ditë më parë në orët e vona të natës në mjediset e stadiumit për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Ka qenë një vizitë sa e bukur, aq edhe e sikletshme, pasi kreu i qeverisë, në mënyrë tejet sekrete, ka dashur të shohë vrullin e punës në stadiumin modern. Rama, si “nismëtari” i kësaj vepre kombëtare,ka parë nga afër gjendjen e tij para nisjes së punimeve në shkurt të këtij viti, Për të është kthyer një “fiksim” përfundimi sa më shpejt i punimeve, që Shqipëria të debutojë në këto eliminatore me një impiant modern. Shqipëria do të nisë fazën e eliminatoreve më 7 shtator në ndeshjen kundër Portugalisë, e cila do të luhet në Aveiro, ndërsa ndeshjen e dytë do ta zhvillojë në shtëpi kundër Danimarkës, më datën 11 tetor. Shqipëria është në grupin I, së bashku me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë.

KOSTOJA

Deri më tani, kostoja e stadiumit ka shkuar në vlerën e rreth 4 milionë eurove, e cila duhet thënë se ka pësuar rritje herë pas here. Fillimisht, kur u bë projekti, u parashikua një fond prej 1 milionë e 350 mijë eurosh, për të shkuar më pas mbi 2 milionë euro, pasi pësoi ndryshime rrugës. Sipas burimeve, mësohet se deri në përfundim, pritet të harxhohen edhe një herë kaq sa u parashikuan në fillim për këtë impiant, pra ndoshta më pak se 4 milionë euro. Pjesa e parë e financimit është bërë nga qeveria shqiptare, ndërsa pjesa tjetër, jo zyrtarisht, pritet të mbulohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Nuk dihet nëse do të marrin pjesë në financim biznesmenë apo kompani të ndryshme, të cilat më pas mund të shfrytëzojnë mjediset shtesë apo edhe reklamimin te ky stadium


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama