U lidh Papi!

Fejesën me një amerikan Roza e dëshironte edhe për një shkak të natyrshmë: i kish mbushur e kaluarë ditët. Po më shumë, Roza e kërkonte dhe për inat të atyre djemve, aty në Shqipëri, që i kishin shkuarë pranë e nuku kishin ndaluarë te hiret e saj. Kështu, një fejesë në Amerikë, për Rozkën tonë, sillte një fitore me shumë kënaqësira.
Koha po rend një çikë si shpejt për Rozën dhe sikur t’i dilte një fat i bardhë, sa nuk është vonë! Roza i dhimbsej gruas sime, por nuk e ndihmonte dot. Ime shoqe do kish mbetur vetë pa e prerë bishtin, sikur unë, para njëzeteca vjetësh, të mos kisha vajtur në atë dasmën në Gollokamje e sikur të mos ishte organizuarë ai vallzimi “kush ka shaminë, ia jep kavalierit e i merr damën” Ia dhashë shaminë kavalierit të Rezartës, i mora damën, kërcyemë me të e u lidhmë! Ajo ditë hyri në historinë e familjes sonë. Veç, kur mërzitem me Rezin, them më mirë të kisha mbajtur shaminë!
Rezi nuku gjen dot ilaç për shoqen e saj. Gruaja ime nuk e njeh artin e mblesërisë amerikane se, në radhë të parë, nuku njeh amerikanë të pamartuarë, e në radhë të dytë, se nuku njeh amerikanë fare. Ka vite që ime shoqe thotë, që do ish mirë që ta bënim Rozën për Papin, por kishim frikë, se kjo do të ishte shumë e rëndë për Rozën, se Papi qe shqiptar, e kjo e zbriste atypëraty në fund të listës së kandidatëve: çupa i urren shqiptarët.
Ama, kur mos i kem tërë, Roza do gjente te Përparimi një burrë ideal. Papi s’ia prish qefin njeriu, pale gruas së tij!
Sa herë vjen për vizitë Roza, Papi e nuhat e vjen dhe ai. Të rralla janë kornizat e dyerve në Nju Jork, ku Papi nuk duhet të ulë kokën. Merre me mënd në dhomën tonë të pritjes! Ama, sapo është brenda, ngre kokën, sytë i ka drejt e te Roza. Po si s’gjeti një llaf tjetër, kusuremadhi, por bëri pesë vjet, që sa herë i jep dorën Rozës, i thotë:
- Ua! Ç’koinçidencë!
- Po mjaft, o Papi, - i thotë mënjanë e kushërira, Rezi. Nuk di të thuash llaf tjetër? Thuaj “sa mirë të gjeta dhe ty këtu, moj Rozë!”, apo “e bukur kjo: sa herë vjen ti, vij dhe unë!”.
Po Papit ato i duken shumë banale dhe kur e ndërron donjëherë e ndërron me ca shprehje më pe protokolli: “ec e mos beso telepatinë!” Ose: “ua ç’surprizë e papritur!” Shkurt, edhe pa e kuptuarë mirë, ai në shprehjen e tij, ia ka enda ta ketë një fjalë të huaj dhe me të i shfaqet Rozës si një fshatar, që mes shajakëve, ka vënë nën mjekër, një papijon!
Roza është nga ato lloje çupash, që të etura për të kapërcyerë në shkallën e fejesës, rastin më të vagëllyerë për lidhje me ndonjë djalë, e quajnë të mbaruarë. E që kur e kemi këtu në Amerikë e kemi vënë re Rozën, që vjen me kutira çokollatash nga ato më të mirat dhe po nga ajo çantë nxjerr edhe një tortë e thotë me buzët vesh më vesh:
- I solla të më uroni, se jam fejuarë!
Sulet Rezi ta puthë e pastaj e puthim dhe ne të tjerët e dyke ngrënë çokollatat e tortën, dëgjojmë Rozën të na tregojë për dhëndrin:
- Merret me financat. Henri, e quajnë. Me origjinë, nga i ati është gjerman, po mamanë e ka irlandeze. Është katër gisht më i gjatë se unë. “Uau! Ti nuku ngjan fare si shqiptarkë”, më tha. “Unë të kujtoja ruse”. Ama kish kohë që po më vërtitej. Juve jua tregova të parëve, tani do ta dërgoj lajmin në Shqipëri.
E ne presim të na sjellë për vizitë të fejuarin e ajo, jo vetëm që nuku e sjell, po nis e flet gjithnjë pak e më pak, për atë gjermanoirlandezin e saj. Aq sa avash-avash, ne me zë më të unjur e pastaj me më të lartë, fillojmë e urojmë nga e para, hapur, sikur nuku ka ndodhur gjë: “Hajde, me një fat të mirë tashi!” E Roza qesh, e pranon urimin dhe thotë: “Eh, si të jetë shkrojtur tashi. Ku i dihet?!”
Sa kohë që banonte afër nesh, na e kish bërë nja tri herë këtë shfaqje. Edhe tashi që është zhvendosur në Astoria, këtë punë po na bën. T’i kemi ngrënë Rozës, kur mos i kem tërë, pesë torta gjer tashi! Papka, që e do dhe vdes për Rozën, ka qenë dhe ai në tri torta. I ha me buzë plasur, se sheh që vetëm sëra e tij nuku po vjen.
Ia thashë sime shoqeje, me myk të sëpatës një ditë:
- Do t’i thuash të na lerë rehat me këto fejesat e papjekura, që nxiton t’i pjekë vetëm për ne?! Nuku pret dot ajo, tyryfyçka, sa të mbarojnë pyetkat, hetimet, prerjet, matjet, që ka fejesa para se të bëhet?!.. Oj, budallaçkë e derrit! Sa herë ndonjë e pyet për orën, ajo mendon se ai ia ka vënë synë e rend në ëmbëltore të na blerë tortat! Po na sëmur me atë të sheqerit! Leri pordhët, i thuaj e merr Papkën, se më të mirë pe tij, nuku gjen!
I vjen zor mo, edhe gruas time të shkretë. Akoma ka fuqi e varfëra, të gëzohet e të lumtërojë në çdo fejesë të re të Rozës dhe t’i hidhet në qafë asaj.
- Uaa! Mrekulli, moj Rozkë! Pandaj të paska rënë ky nur kaq i bukur, me?!
Ama ka kohë që ime shoqe nuk i thotë më të na e sjellë të fejuarin në shtëpi, se e di që ai i fejuar nuku do vijë kurrë.
I thashë një ditë Papit:
- E do Rozën?
- E dua.
- E do akoma?
- Akoma e dua. Fejesat e saj nuku më trembin më. Ia kuptoj brengën, të gjorës. Ah, po është e mirë, bre, Peçkë! Do ta mbaj në pëllëmbë të dorës, o kur mos i kem tërë!
Dridhesh nga emocionet i gjori Papkë. Po unë, për ca gjëra jam i shkathtë.
- Këtë të dielë, merre në makinë, ta shpjesh në shtëpi dhe thuaja!
- Ashtu ta bëjmë, thua?
- Nuku kemi pse të presim më! Të dielën është dita jonë e madhe!
Vjen Papka të dielën i veshur e i ngjeshur me një kostum nga ata të Bllumingdellit. Mbante era livando e qe i mbërthyerë gjer më majë. Ish bërë gati të thosh “ua, ç’surprizë e papritur”, po Roza nuku kish ardhur akoma. Ia bëmë me shëndet kostumin dhe po prisnim Rozën. Kur, ç’të shohim? Ajo na erdhi gjene me tortë dhe me çokollata! Xheç i futa një të sharë, po gruaja m’u lut e më mbajti në fre.
Ama kur erdhi sëra e urimeve, nuk m’u durua dhe ia mbajta drejt e në ballë: nuk i thashë as “qoftë e hairit këtë radhë”, as “të trashëgohesh”, po mora një qoshkë torte për urim dhe i thashë:
- Hajde, me një fat të mirë, këtej e tutje!
Ime shoqe ma shkeli buzën e tmerruarë, po Roza bëri sikur nuk e kuptoi.
Roza po tregonte që këtë herë na e kish mbajtur fshehtë, sa të mbaronte kjo punë. Një muaj e gjysmë, nuk i kish thënë asnjeriu, që të siguroheshe mirë. Ky paske qënë italan me origjinë, po paskej lindur këtu, me mama polake. Djali u quake Çarls, por në mes italianve, i thërresin Karlo. Sot prindërit e djalit e kishin marrë Rozën në kishë dhe ua kishin prezantuarë rrethit të tyre, si nusen e Karlos. Të gjithë, sa s’po e përpinin me sy, e po mos ua kish thënë mamaja e djalit, nuku do ta kishin besuarë kurrë që Roza ish shqiptare!
Roza fluturonte, Papka me kostum të ri, po hiqte grahmat e fundit! Hiqte i gjori dhe si i gjatë që është psherëtima bënte goxha rrugë, që t’i dilte nga fundi i shpirtit. I bëra shënjë Papkës të dilnim nga dhoma tjetër. E lamë Rozën t’i tregonte sime shoqeje, se si e kishin ftuarë për drekë, si i kishin thënë disa herë që fare, fare, fare, nuku ngjante si shqiptarkë dhe se si në shtator kishin vendosur për dasmën, se ai qënkej djalë i vetëm dhe pleqtë ishin lodhur dyke pritur...
Me këto llafe që po shuheshin prapa shpatullave të tij, Papi tërhoqi derën pas vetes e m’u shtri meit, drejt e në krevat. Megjithë kostumnë e Bllumingdellit!
- Ujë - tha, - se po më bije të fiktë!
I solla ujë, i laga ballin. E mori veten po ashtu, i pikëlluarë, nuku gjente ngushëllim.
- Ua, sa isha përgatitur, unë i ziu! Më iku nata pa gjumë dyke menduarë të sotmen. Ah, bre, pafati nuku bëhet me fat! Do kishim krijuarë një familje të qetë. Puna e dokumentave të mia, do qe përfunduarë... Ai miku im italan, Xhani, më tha do m’i mbushte ai formularët...
- Ngreu, - i thashë i vendosur. Ngrehu, se do zhubrosësh kostumin!
- E ç’ta dua më?! - tha i gjori.
- Ngrehu, - ngula këmbë unë, me një nga ato shkëndijat e gjenive, që më shkrepin në tru njëherë në shtatëdhjetepesë vjet. Ti sonte, Rozën, merre me makinë, për ta shpënë në shtëpi. Rrugës, thuaja!
- Çfarë t’i them mo?!
- Të fejoheni. Propozoi për fejesë.
Papi më pa, siç shohim të lojturin nga mentë.
- Je në vete! Nuk e dëgjove?! - ma bëri. Nuk i kam thënë gjer tashi asnjë llaf. Tashi që ajo e përfundoi me atë Karlon e që kanë caktuar dasmën në shtator... Puh, Ti, Peço, je i lënë!
Unë, një ta mbërthyerë Papkën nga jaka e Bllumingdellit e një ta ngritur më bythë, në krevat!
- Bëj kështu si them unë! Dëgjomë njëherëzë! - e shkunda.
- Nuku mundem, bre! Nuk e dëgjove ti, ajo...
- Opo lere se ç’thotë ajo! Ti sot do t’i shfaqësh dashurinë. Dashurinë për Rozën, e ke të vjetër, apo na ke gënjyerë?
- E kam bre, kur mos i kem tërë! Si, o, ju gënjekam juve?! Po unë ty e Rezin ju kam këtu. Nuk e heq mëndjen pe Rozës, që më ora tetë të mbrëmjes, të 3 prillit ‘94! Gjen sot në Amerikë dashuri më të vjetër se kjo?!
E tunda dhe e shkunda të gjorin Papkë. Dy herë ma dha fjalën, dy herë ma ktheu. Më në fund sikur u kandis dhe e ftoi çupën në veturë, që ta shpinte në shtëpi. Po aq i emocionuarë ish, sa dukej se kish qejf që ajo të mos pranonte.
Ajo pranoi. Rrëzëllente e tëra. Na tundi doçkën e lumtur dhe na tha një “çiao” që nuk na e kish thënë kurrë ndonjëherë. Papka, me duar të dredhura për pasagjerkën e shtrenjtë, ia kuptosi derën, që mos i hapej rrugës dhe qarkoi me vrap te ana e shoferit. Është aqë i gjatë, kusuremadhi, sa që e tërheq sediljen e tij, prapa, gjer aty ku nuku mban. E vetë duket si pasagjer, kurse makina duket sikur lëviz pa shofer.
Makina shfryu dhe u nis. Pas dy orësh, xërrr, telefoni! Papka!
- Peço, mbaroi ajo punë! U fejuamë... Unë edhe Rozka, sonte, u fejuamë! Ia thashë. E di se ku ja thashë? Mu mbi Kuinsboro brixh! Në kat të sipërm të urës, në të zbritur. Pranovi...
Papka merrte frymë me zor nga lumturia.
- Po kam që më tre prill të ‘94, ora tetë, bre, që po vuaj! Po ti Peço, je gjeni. Gjeni o gjeni, po kush t’i di vlerat! Po si, bre, kur i kisha humbur shpresat...
Edhe unë isha i trazuarë. Thirra time shoqe dhe i thashë lajmin e ri. Ajo mbeti me gojë hapur.
- Ma jep cazë Rozkën, ta uroj tamam, - i thashë Papit.
Papi la telefonin dhe shkoi të thërriste Rozën. U kthye:
- Rozka kërkon ndjesë, po nuku vjen dot... Qan pa pushim.
- Mirë, thirre t’i flasë Rezarta!
- Nuku do, as për Rezartën. Po kullon nga lotët e gjora. Ca e ca lumturinë e kanë me të qarë, ore!.. Në shtator kemi dasmën. E vendosmë. Peço, ore, ta ka thënë njeri që je gjeni-o?...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama