Tragjedia ne Mirdite banoret Ishte e paralajmeruar

Tragjedia ne Mirdite, banoret: Ishte e paralajmeruar

Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Rrëshen, ku tre punonjës të Hidrocentralit të Qafë Mollës humbën jetën, ka tronditur qytetin. Banorët e zonës thonë se ata e prisnin një tragjedi të tillë, pasi kishin paralajmëruar disa herë për kushtet e këqija teknike ku punohej. Viktima, Ndue Legisi kishte 1 vit e gjysmë që punonte në ndërtimin e HEC-it në Qafë-Mollë, punimet e të cilit kryhen nga firma turke “Efato Glu”. Familjarët e tij thonë se ai punonte në një vend që nuk garantonte kushtet teknike, si dhe i diskriminuar nga paga. 50-vjeçari, baba i tre fëmijëve, punonte për të siguruar ushqimin familjes.

Gjovalin Legisi, i vëllai i Ndue Legisit, i cili gjeti vdekjen bashkë me dy shokë të tij nga shembja e dheut në tunelin e HEC-it të Qafë-Mollës, denoncon në media kushtet e vështira  në të cilat i vëllai detyrohej të punonte për të siguruar bukën e gojës.

“Vëllai punonte për bukën e gojës tek firma turke, nuk kishte asnjë kusht teknik dhe ishte ankuar disa herë edhe pranë firmës dhe familjarëve, por ishte i detyruar të punonte pasi jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe ishte baba i tre fëmijëve. Kishte 25 vjet që punonte nën tokë dhe prej një viti e gjysmë ishte punësuar tek kjo firmë. Punëtorët shqiptarë janë të diskriminuar, i paguanin me një pagë qesharake, ndërsa punëtorët turq marrin paga tepër të larta. Kjo tragjedi ishte e paralajmëruar. Shteti nuk ka marrë asnjë masë për të kontrolluar galeritë ku punonin 24 orë”, – shprehet Gjovalin Legisi për Tv “Ora News”.

Ndërkohë, Inspektorati i Punës në Lezhë nuk ka dalë ende në konkluzionet për shkaqet që çuan në tragjedinë që ndodhi në Hidrocentralin e Qafë-Mollës, ku si pasojë e shembjes së një pjese të tunelit të HEC-it humbën jetën 3 punëtorë. Sipas kreut të këtij Inspektorati, Valentin Gjetja, firma turke që po ndërton HEC-in respekton të gjitha kushtet e sigurisë. “Në firmën turke janë bërë disa herë kontrolle. Firma është serioze, respekton kushtet e sigurisë. Tre punëtorët ishin pajisur me veshjet përkatëse”, – deklaroi Gjetja. Sipas Inspektoratit të Punës në Lezhë, konkluzionet për ngjarjen e rëndë pritet të publikohen pas dy ditësh.

Kol Nikollaj: Shteti kontrollon sipërfaqen, jo zgafellet e korrupsionit

Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura, në një reagim dje pas humbjes së jetës së tre punëtorëve në HEC-in e Qafë-Mollës, thotë se fajtor është shteti që nuk kontrollon kushtet e punës së punëtorëve.

“Të zgjohemi nga gjumi letargjik apo të dalim nga dehja politike, etnike e krahinore dhe t’i themi ndal njëherë e përgjithmonë kësaj maskarade që po i bëhet Mirditës dhe mirditasve nga pushtetarët e radhës, kushdo qofshin, të cilët – dikush me qëllim dhe manipulim e mbështetje të ‘Hamza Kastriotëve mirditorë’ apo të tjerë, me mosveprime dhe indiferencë në zbatim të ligjit, po shkatërrojnë vlerat tona jo vetëm ekonomike, ekologjike, etnokulturore por edhe ato njerëzore, vetëm e vetëm për qëllime të pastra korruptive apo influenca politike. Jo vetëm agjencitë ligjzbatuese që po flenë mbi dosjet e krimit apo ministritë e linjës të qeverisë ‘Rama’, që po bëjnë rolin e sehirxhiut, por i gjithë opinioni publik e veçanërisht opinionbërësit mirditorë, duhet t’i shkojnë së vërtetës deri në fund dhe të merren masat ekstreme për të gjithë ata që, me dashje apo pa dashje, me mashtrime, me falsifikime, me trafiqe, me ndikime politike, suporte krahinore, me manipulim të ligjit dhe të së drejtës, kanë krijuar këtë gjendje shpërthyese në Mirditë”, – thotë Nikollaj ndër të tjera. Sipas tij, sot askush nuk kontrollon dhe ndjek zbatueshmërinë ligjore të sigurisë dhe ruajtjes së jetës e shëndetit të punëtorëve, në asnjë tunel apo punim tjetër xheniero-teknik civil.

 

Librazhd, banorët protestë kundër HEC-it të Polisit

Banorët e fshatit Polis të Librazhdit kanë protestuar dje kundër ndërtimit të HEC-it të ri në zonën e tyre, pasi rrezikon t’i lërë ata pa ujë. Protestuesit janë përplasur me policinë, e cila ka penguar avancimin e tyre drejt hidrocentralit. Burime nga vendngjarja thanë se disa banorë janë lënduar gjatë protestës. Deputeti i Librazhdit, Taulant Balla ka kërkuar që në shkurt të këtij viti nisjen e negociatave për këtë çështje të krijuar nga një leje koncesionare dhënë nga qeveria ‘Berisha’ dhe të kontrollit të lejes nga Ministria e Industrisë. Deputeti socialist i rrethit të Librazhdit tha se ka shumë leje koncesionare për ndërtime HEC-esh, dhënë në kundërshtim me ligjin. Qeveria e kaluar ka dhënë leje korruptive, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, ndaj Policisë së Shtetit i është kërkuar të ruajë dialogun me banorët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama