Topalli thyen bojkotin e PD ne darken e Metes me japonezet

Topalli 'thyen' bojkotin e PD ne darken e Metes me japonezet

Ish-kryetarja e Kuvendit ishte e vetmja anëtare e grupit parlamentar të PD që pranoi ftesën e Metës për të marrë pjesë pak ditë më parë në darkën me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Bunmei Ibuki

Vizita disa ditore e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Bunmei Ibuki, e cila pati rëndësinë e saj në aspektin e marrëdhënieve parlamentare që ekzistojnë mes dy vendeve Shqipëri- Japoni, nuk do të kishte marrë ndonjë kuptim tjetër politik, nëse në këto ditë gushti ku nuk mbetet edhe shumë për të filluar sesioni i ri parlamentar, Partia Demokratike nuk do të kishte treguar disa lëvizje kaotike të shprehura në takimet që zhvilloi me këtë delegacion. Në rrethana të tjera, nëse PD-ja do të ishte pjesëmarrëse në Kuvend, takime të këtij lloji do të ishin thjesht kortezie, pa ndonjë interes të veçantë. Por në kushtet kur PD-ja ende nuk ka marrë një qëndrim zyrtar se çfarë do të bëjë me Kuvendin në muajin shtator, ngjarjet duken interesante në kampin blu.

 

Takimi

 

Fillimisht, një delegacion i PD-së zhvilloi një takim zyrtar në selinë e Kuvendit me delegacionin japonez, duke përcjellë sinjalin e parë se pas më shumë se një muaji partia më e madhe në opozitë kishte filluar të thyente bojkotin e saj edhe për takime të tilla që zhvilloheshin rëndom në selinë e Kuvendit. E njëjta situatë u përmbys më pas me një tjetër përfaqësues të lartë të nivelit parlamentar, zv.presidentin e Bundestagut, Johannes Singhammer, për vizitën e të cilit kryetari i Kuvendit, Ilir Meta rezervoi një ceremoni të veçantë. Delegacionin gjerman, deputetët demokratë nuk e takuan në kryesinë e Kuvendit, por në ambientet e selisë blu, duke përcjellë tek publiku situatën ende të nderë që qëndron mes PD-së dhe Kuvendit. Por kjo situatë vazhdon e bëhet ende më e paqartë kur ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pranoi dy ditë më parë ftesën e Ilir Metës për të marrë pjesë në darkën zyrtare që ai organizoi për nder të delegacionit japonez, i cili kryesohej nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Bunmei Ibuki. Burime nga PD-ja thanë dje për gazetën MAPO se Topalli ka qenë e vetmja nga PD-ja që ka pranuar ftesën për të darkuar në një nga restorantet e Tiranës për të nderuar vizitën e delegacionit japonez, duke thyer në njëfarë mënyre edhe “murin” e vënë prej më shumë se 40 ditësh nga opozita me deputetët e mazhorancës, pas vendimit për bojkot. Pas darkës, askush në selinë e forcës më të madhe opozitare nuk mund të thotë nëse ka një qëndrim të qartë se çfarë do të bëhet në raport me Kuvendin. Ajo që shihet me siguri është se vendimi për bojkot po thyhet, ose më saktë sinjalet e para nga drejtues me eksperiencë në PD po dalin në pah. Dhe shembullin e parë (pavarësisht vendimit për bojkot) me sa duket e ka dhënë vetë ish-kryetarja e Kuvendit dhe një prej figurave me eksperiencë në PD, Jozefina Topalli. Pranimi i ftesës nga ana e Topallit nuk mund të lidhet asesi vetëm me vizitën që kjo e fundit zhvilloi dy vite më parë në Japoni si kryetare e Kuvendit, vizitë të cilën vetë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Bunmei Ibuki e përmendi që në fillim të fjalës së tij në konferencën për shtyp që zhvilloi thuajse tri ditë më parë me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Pjesëmarrja e saj si e vetmja përfaqësuese nga PD-ja në darkën gjithëpërfshirëse të Ilir Metës duket se është shumë më kaq dhe një sinjal i qartë i politikës që ajo mendon se duhet ndjekur në raport me Kuvendin, edhe pse deri më tash zyrtarisht në PD po ndiqet një tjetër qëndrim.

 

Topalli dhe PD

 

Dihet tashmë që ish-nënkryetarja e PD-së ndër vite, Jozefina Topalli përfaqëson brezin e një opozite dikur të ashpër dhe të vështirë të drejtuar nga ish-lideri demokrat, Sali Berisha. Për pasojë, ajo është më afër me një tjetër mënyrë të të bërit opozitë të shprehur disa herë madje edhe në mbledhjet e Bashës me kryesinë e grupit parlamentar. “Është një mënyrë krejt tjetër e drejtimit, të cilën nuk e kam parë kurrë në PD. Është krejt ndryshe, nuk di si me ia vu emrin, por nuk e kam parë në PD. Sigurisht, ripërtëritja është e rëndësishme dhe kjo ka qenë konstante në PD. Ka nevojë sigurisht për ripërtëritje vlerash, por shmangia e gjithë zinxhirit nuk ka ndodhur kurrë në PD. Duhet parë. Unë nuk do ta kisha bërë, është një model që unë s’e njoh”, – është shprehur Topalli në intervistën e saj të fundit. Ajo nuk ka qenë akord me mënyrën sesi është vepruar deri më tash sa i përket procedurës së ndjekur për zgjedhjet e brendshme në parti, konkretisht për mënyrën se si u hartuan udhëzuesit për zgjedhjet, drejtimin e zgjedhjeve të strukturave nga koordinatorë pa ndonjë peshë politike në parti, si dhe shmangien e rolit të deputetëve në këto zgjedhje në zonat që ata përfaqësojnë. E njohur si një figurë politike që nuk ka krijuar një sistem korruptimi mbi vete, Topalli është përpjekur t’i shmangë debatet publikisht, duke folur gjithnjë parimisht për atë që ajo mund ta thotë lirisht; promovimin e vlerave në parti. Ajo e ka pranuar zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, edhe pse është shprehur se dorëheqja e Berishës ishte më e rëndë se humbja e zgjedhjeve parlamentare të PD-së. Megjithatë, përplasjet e saj me kryetarin në aspektin politik nuk e pengojnë ambicien e saj për të qenë sërish në kupolën drejtuese të partisë si një bashkëpunëtore e Bashës. Jozefina Topalli nuk ka dhënë asnjëherë një përgjigje të prerë nëse ka sërish synime për poste drejtuese në PD, edhe pse kjo kuptohet qartazi sa kohë që ajo shprehet se përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve e ndan po aq sa çdo deputet tjetër që nuk ka pasur poste ekzekutive. Sfida me sa duket, mbetet. Dhe ndoshta më e madhja për të.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama