Tirana triumfon ne Korce tifozet akuzojne ne kor E shitet

Tirana triumfon ne Korce, tifozet akuzojne ne kor: E shitet

Gurë, ofendime dhe tymuese, ja çfarë ndodhi në Korçë

Një ndeshje ku protagonistë, më shumë se sa lojtarët në fushën e lojës, u bënë tifozët në shkallët e stadiumit “Skënderbeu”. Ashtu sikundër edhe ishte parashikuar, përballja e radhës mes Skënderbeut dhe Tiranës dhuroi ofendime të shumta mes dy tifozërive, përplasje me policinë, të arrestuar para dhe pas takimit, fishekzjarrë e tymuese të panumërta të hedhura në fushë, stola të shkatërruar dhe natyrisht thirrje për tolerim të takimit dhe braktisje të skuadrës vendëse nga ana e tifozëve.

 

Në fakt, kjo sfidë pat nisur që ditë më parë në media, me deklarata e thumbime nga të dyja kampet, por kjo vetëm në teorikë. Praktikisht, gjithçka nisi dje rreth orës 11:00, kur në Korçë u mor vesh zyrtarisht se ishin nisur plot 15 autobuzë nga kryeqyteti. Nën këtë nismë, si për t’iu kundërpërgjigjur homologëve nga Tirana, edhe tifozët vendës kanë shpejtuar në organizimin e gjithë koreografisë në stadium.

 

Kështu, në orën 15:30, filloi marshimi i bardhekuqve drejt stadiumit, e shoqëruar me këngë në kor, ndërsa nuk mungonin ofendimet drejtuar rivalëve. Sakaq, forca të shumta policore ruanin gjithçka, për të evituar në kësi rastesh problematikën që mund të shkaktojnë përplasje mes dy tifozërive. Korçarët hyjnë shumë shpejt në stadium në pritje të tifozëve të Tiranës. Sakaq, këta të fundit mbërrijnë në Korçë 30 minuta para fillimit të sfidës me grupe autobusësh tre e nga tre dhe pikërisht në këtë moment u shënuan edhe shoqërimet e para nga ana e forcave të rendit për në komisariat. Pesë tifozë të Tiranës janë vënë nën pranga nga forcat e rendit pas sjelljeve aspak normale dhe ofendimeve pafund karshi vendësve. Ndërkohë, incidentet u shmangën me shumë kujdes nga ana e forcave të policisë, përfshi edhe ato të ndërhyrjes së shpejtë. Numri i madh i tifozëve bardheblu solli problemet e para, pasi u bë radhë e gjatë pritjeje për të hyrë në stadium, aq sa takimi filloi me 3 minuta vonesë derisa të gjithë tifozët të hynin në tribunën E.

 

Që nga momenti i parë i futjes në stadium dhe deri në fund nuk kam munguar ofendimet në kor mes dy tifozërive. Mirëpo, në minutën e 33-të, do të vinte heshtja e vendësve, kjo pasi Kahata do të shënonte golin e parë. Nuk kalon shumë kohë, vetëm tetë minuta, dhe Morina dyfishon. Kaq është dashur që korçarët të shpërthejnë në revoltë kundër klubit dhe drejtuesve duke hedhur në fushë mjete ndezëse, por edhe prishur e thyer stolat e stadiumit. Në këto momente u dëgjuan edhe thirrjet e para: “E shitët! E shitët!”. Me përfundimin e pjesës së parë regjistrohen edhe daljet e para të tifozëve të Skënderbeut nga tribuna C dhe në këtë kohë drejtohen drejt “Fanatiks”-ve për t’i sulmuar, por gjithçka është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave të FNSH-së. Me fillimin e pjesës së dytë Tirana shënon sërish dhe tifozët acarohen më tepër. Tashmë nuk janë vetëm nga tribuna C që largohen, por nga i gjithë stadiumi.

 

Ofendimet janë të shumta karshi futbollistëve të Skënderbeut, drejtuesve dhe stafit, duke i akuzuar për bashkëpunim me Tiranën për ta shpëtuar këtë të fundit. Në momentin kur Skënderbeu reagon, duke shënuar dy gola të tjerë, një pjesë e tifozëve të dalë në fillim të pjesës së dytë tentojnë të rifuten sërish, por nuk janë lejuar nga punonjësit e kompanisë private për sigurinë në stadiume. Ndërkohë, tifozët nuk kanë kursyer edhe pankinën e Tiranës, në përfundim të ndeshjes. Ka mjaftuar vetëm një provokim nga bardheblutë, që tifozët e mbetur pas pankinës të godisnin me shishe dhe të ofendonin në kor. Por, me kaq mbyllet kjo ndeshje, me vendësit të zhgënjyer nga mënyra sesi skuadra humbi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama