Tirana e para edhe pa tifoze

Tirana, e para edhe pa tifoze

Mungesa e tifozerisë së Tiranës në shkallët e stadiumit nuk e ka penguar skuadrën bardheblu që të shkëputet e vetme në kreun e renditjes së Kategorisë Superiore falë fitores 2-1 ndaj Elbasanit. Ashtu si në ndeshjen e mesjavës në Shkodër, bardheblutë kanë zgjidhur ndeshjen në minutat shtesë, ndërsa kanë përfituar nga hapat e gabuar të rivalëve direkt për të qenë të parët në kuotën e 10 pikëve, për më tepër, si ekipi i vetëm i pamposhtur deri tani në një kampionat shumë të luftuar.

Në stadiumin “Qemal Stafa” që ishte i boshatisur për shkak të vendimit të Komisionit të Disiplinës së FSHF pas ngjarjeve të ndodhura në Shkodër, pritej që Tirana të fitonte me lehtësi ndaj Elbasanit, duke pasur parasysh edhe krizën që po kalojnë verdheblutë. Por kryeqytetasit kanë kaluar me lehtësi në avantazh me anë të Bushiç në pjesën e parë, e më pas janë përgjumur, duke e menduar ndeshjen të mbyllur. Kjo bëri që Elbasani të mos ngurronte të kundërsulmonte disa herë rrezikshëm, por duke mos vënë në vështirësi të mëdha portierin Frashëri. Megjithatë, ky i fundit u mposht me gjuajtjen e parë të mirëfilltë në kuadratin e tij, në minutën e 45 të pjesës së parë, kur Kaçuli realizoi golin e barazimit për Elbasanin me një goditje dënimi të shkëlqyer. Rrjedhimisht, në pjesën e dytë, Tirana u hodh e tëra në sulm, por elbasanasit u mbrojtën të organizuar, ndërsa Kotorri tregoi vlerat e tij me pritje të shkëlqyera. Kur dukej se gjithçka kishte mbaruar në barazim, pasi Tirana kishte mbetur edhe me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq të Bakajt, vjen goli i Currit, kur regjistrohej minuta e tretë e shtesës së kësaj ndeshjeje. Mbrojtësi u shfaq i vetëm para Kotorrit, duke i dhënë fitoren dhe vendin e parë në renditje Tiranës me një gjuajtje të saktë në hyrje të zonës.

Një rezultat i rëndësishëm ka qenë ai i regjistruar në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, ku Partizani ka mundur 1-0 ekipin vendas. Ndeshja ishte një “fotokopje” e suksesit të ekipit kryeqytetas ndaj Skënderbeut në mesjavë, pasi skuadra e Duros nuk ka qenë thuajse asnjëherë e rrezikshme para portës kundërshtare, por ka dalë me 3 pikët nga sfida falë një goditje në minutat e fundit. Kukësi dominoi në lojë dhe krijoi shumë raste, duke goditur edhe shtyllën me Lushtakun. Por suksesin e dytë radhazi për Partizanin e siguroi përsëri sulmuesi serb Raçiç. Nëse në mesjavë ai siguroi një penallti në minutën e fundit, dje ai realizoi vetë golin e vetëm të ndeshjes me një goditje dënimi që la të shtangur portierin Halilaj.

As Flamurtari nuk ka mundur të ndjekë Tiranën, pasi është ndalur në shtëpi në një barazim pa gola nga Vllaznia, skuadër që po arrin të shfaqet mjaft mirë në këto javë. Edhe pse vlonjatët kanë luajtur gjithë ndeshjen në sulm, kanë vuajtur në finalizimin e aksioneve, duke mos gjetur kuadratin me anë të Fortunatos që kishte mundësitë më të mira për të shënuar në këtë sfidë. As epërsia numerike e minutave të fundit, pas kartonit të kuq të Demës në radhët e shkodranëve, nuk e ndihmoi Flamurtarin të merrte pikët e plota nga kjo ndeshje.

Në grupin e skuadrave në kuotën e 7 pikëve që ndjekin Tiranën gjendet edhe Skënderbeu, që është ndarë 0-0 në sfidën e luajtur në Fier ndaj Apolonisë vendase. Në një ndeshje mjaft të luftuar, skuadra e Demirajt ka treguar se nuk ka ardhur për shëtitje në këtë sezon të Superiores dhe se me përkrahjen e zjarrtë të tifozerisë së saj, mund të bëhet një kundërshtar i vështirë për çdo ekip. Fierakët kanë dalë të kënaqur nga kjo ndeshje kundër kampionëve në fuqi, ndërsa trajneri Josa nuk ka si të jetë i tillë me skuadrën korçare, edhe për faktin se për të dytën sfidë radhazi, lojtarët e tij nuk kanë gjetur rrugën e rrjetës pavarësisht morisë së rasteve të krijuara.

Pa gola është mbyllur edhe sfida mes Teutës dhe Laçit, në një sfidë krejtësisht të hapur me dy ekipe sulmuese. Korreshi dhe Hoxha kanë goditur shtyllën për ekipin vendas, ndërsa Xhejms ka goditur traversën për laçianët. Pas një fillimi të dobët të kampionatit, Teuta ka marrë rezultatin e dytë pozitiv radhazi, ndërsa Laçi mbetet ende në kërkim të fitores së parë në këtë edicion.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama