Tetori muaji i sensibilizimit ndaj kancerit te gjirit

Tetori, muaji i sensibilizimit ndaj kancerit te gjirit

Tetori është edhe muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit. Në Shqipëri numri i grave të prekura është në rritje, ndërkohë që është ulur edhe mosha e femrave të prekura nga kjo sëmundje. Në bazë të të dhënave, rreziku i kancerit të gjirit vjen nga një sërë faktorësh. Mosha është një element i rëndësishëm. Me rritjen e saj shtohet edhe mundësia e riskut. Në moshën 20-vjeçare, mundësia e prekjes është 1 në 2000 raste. Ndërkohë te 50-vjeçaret ky rreziku shtohet, 1 në 50 raste, ndërsa në moshën 70 vjeç, 1 në 25 femra janë të rrezikuara. Gjithashtu, kanceri i gjirit në masën 99 për qind prek femrat dhe rrallëherë meshkujt. Faktorë të tjerë rreziku janë edhe mosushqyerja e fëmijës me gji apo edhe baza gjenetike. Konsumimi i duhanit nga femrat, është gjithashtu një faktor që shton riskun e prekjes nga kjo sëmundje.

Femrat, të cilat kanë një histori familjare me kancer gjiri janë shumë herë më të rrezikuara. Për të shmangur prekjen nga kjo sëmundje këshillohet që të bëhet ekzaminim i gjirit nga vetë femra çdo muaj. Ky ekzaminim duhet të fillojë që në moshën 20-vjeçare. Vetëkontrolli mujor bëhet çdo 5-7 ditë pas ciklit të menstruacioneve. Pas kësaj faze është ekoja, kontrolli shëndetësor i tij, si edhe mamografia. Shenjat e kancerit të gjirit janë: “Ënjtje e një pjesë apo e gjithë gjirit. Irritim ose dëmtim i lëkurës së gjirit apo trashje që ngjan me lëkurën e portokallit. Skuqje dhe zënie kore e thithit ose e lëkurës së gjirit. Rrjedhje nga gjiri, sidomos rrjedhje gjaku. Dhembje në gji apo në thithin e tij”, thuhet në studimin e Institutit të Shëndetit Publik. Më parë ekzaminimi ka qenë tabu, shumë pak gra drejtoheshin për të bërë mamografinë. Kjo më tepër ndodhte kur ato dallonin një problem në gji, por ishte numër i paktë. Më pas filloi një sensibilizim jo vetëm i mjekëve gjinekologë, por edhe i shumë shoqatave, sepse parimi i shëndetësisë është më mirë të parandalosh sesa të shërosh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama