Superkupa Real-Atletiko ne aktin e pare

Superkupa, Real-Atletiko ne aktin e pare

Me orare që përkojnë me pikun e sezonit veror dhe në kohë shumë-shumë pranë njëra-tjetrës, një derbi i dyfishtë madrilen do të shënojë Superkupën e Spanjës. Sonte në mbrëmje, në orën 23:00 (me tonën), do të luhet Supersfida e parë Real-Atletik, me ndeshjen e kthimit të premten në orën 22:30 në “Vinsente Kalderon”. Është sfida e pestë e këtij viti mes dy skuadrave që shkruan historinë sezonin e shkuar, si në Spanjë, ashtu edhe në Europë. Reali i Ançelotit i fitoi të dyja ndeshjet që në shkurt vendosën gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit. Pastaj barazoi në “Kalderon” për La Liga-n dhe në fund finalja e Champions-it në Lisbonë, me përmbysjen në sekondën e fundit, falë golit të Ramosit që u pasua me rezultatin final 4-1 në kohën shtesë.

 

Tashmë këto dy ndeshje do të luhen në kulmin e këtij sezoni veror dhe në prag të nisjes së kampionatit, i cili fillon këtë të shtunë (Atletiko dhe Real do të luajnë të hënën). Në të vërtetë është një verë e çuditshme për “Merengesët”: 3 humbje dhe 1 barazim në ndeshje miqësore, por fitorja kundër Seviljes në Kardif për Superkupën e Europës, solli të parin nga 6 trofetë e mundshëm në dispozicion për skuadrën e Ançelotit, me “gjashtëshen” që është shndërruar tashmë në një fiksim të ri pas “Decima”-s për të cilën u prit 12 vjet. Sa i takon Simeones, ka qenë një verë me stilin e vërtetë të “colchonerove”: rezultate të mira dhe vetëm një gol i pësuar. Skuadra e argjentinasit, duhet të tregojë se largimi i Diego Kostës nuk e ka dëmtuar aspak dhe do të vazhdojë të rivalizojë me gjigantët e Spanjës. Në këtë aspekt, ky trofe do të shërbejë më shumë si një dozë morali për të dyja ekipet në kuadër të një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm.

Reali vjen në këtë sfidë pas disfatës së papritur kundër Fiorentinës në Varshavë, ndërsa James Rodriguez dhe Toni Kros duhet të konfirmojnë besimin që Ançeloti iu dha kundër Seviljes, ku gjermani nuk zhgënjeu duke marrë përsipër çelësat e mesfushës, ndërsa kolumbiani tregoi se ka nevojë për më shumë kohë. Dilema më e madhe që ishte ajo e portës, u zgjidh nga Ançeloti, që konfirmon kapitenin Iker Kasijas, ndërsa Bejl dhe Pepe do të rikthehen titullarë. Në pikëpyetje është edhe Kristiano Ronaldo, që po vuan nga një dëmtim i mbartur që në Kupën e Botës. Në krahun tjetër, Simeone konfirmon në portë të riun Moja, ndërsa Oblak do ta nisë sfidën që nga minuta e parë. Kjo është “antipasta” e parë e sezonit në Spanjë, ku Reali dhe Atletiko do të përplasin “brirët” në një akt që do të shërbejë thjesht për të ndezur shkëndijën e një sezoni, ku pritet që rrugët e tyre të kryqëzohen sërish.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama