Studentet e Mjekesise depozitojne kerkesat ne Kuvend

Studentet e Mjekesise depozitojne kerkesat ne Kuvend

Studentët e Mjekësisë së Tiranës kanë protestuar sërish ditën e djeshme pranë selisë së Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar nga deputetët e komisionit të ligjeve të mos miratojnë projektligjin për arsimin e lartë, që sipas tyre cenon autonominë e Universitetit. Të thirrur në Komisionin e Edukimit për ndryshimet e pritshme në ligj dhe funksionimin e Universitetit, rektori i Mjekësisë dhe dekanët kanë replikuar në distancë.

 

Kreu i Universitetit të Mjekësisë Ali Refatllari dhe kryetari i këshillit të profesorëve Mihal Tase kanë sqaruar para deputeteve se amendimet në ligj janë të përkohshme deri në miratimin e ligjit të ri të arsimit të lartë. Ndërsa, ngritja e departamenteve sipas tyre rikthen lirinë akademike në Universitet. Refatllari ka garantuar se shpërndarja e diplomave do të nisë javën e ardhshme.

 

“Të gjithë fakulteteve dhe shërbimeve i kemi dërguar të dhëna për aftësitë pritëse që kanë për të specializuar studentët e rinj dhe kemi marrë feedback-un e parë, ka ardhur numri përkatës. Pra, në tetor fillojnë specializimet”, - ka shtuar Refatllari.

 

Pavarësisht kërkesave të një grupi pedagogësh për rikthimin Mjekësisë në Fakultet, drejtuesit e Universitetit të ri kanësqaruar se nuk do të ketë mbyllje të tij. Universiteti i Mjekësisë do të funksionojë normalisht dhe sipas rektorit ai ka hyrë në procesin e akreditimit si gjithë institucionet e tjera të arsimit të lartë. Studentët kanë protestuar para kryesisë së Kuvendit, ku diskutohej projektligji i ri për arsimin e lartë.

 

Ndërsa, dekanë e pedagogë kanë shqetësimin për emërimet në postet drejtuese, këta të rinj rrezikojnë diplomat e tyre. Prej muajsh, studentet protestojnë për mosnjohjen e diplomave, që pas kalimit në UM dhe shkëputjes nga Universiteti i Tiranës. Ndërkohë, kërkesat e tyre, përfaqësuesit e Këshillit Studentor i kanë depozituar edhe në Komisionin e Edukimit, mbledhje e cila ishte caktuar të niste në orën 11:00, por është shtyrë prej më shumë se 4 orë. Niko Pano tregon për “Shekullin” se kërkesat e tyre kanë gjetur mbështetje nga deputetët Gerti Bogdani, Kejdi Mehmetaj dhe Mimoza Hafizi.

 

“Kjo e fundit bëri dhe një sqarim për çështjen e departamenteve. Nuk pati asnjë rezultat për kërkesat tona”, - shprehet Pano. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama