Spanja triumf kunder Murinjos

Spanja triumf kunder Murinjos
Triumfi i Spanjës në Euro 2012 ka qenë një provë force, por edhe një mënyrë me të cilën përfaqësuesja iberike i është kundërvënë Zhoze Murinjos. I ati i Xavi Hernandez ka zbuluar një prapaskenë mjaft domethënëse rreth marrëdhënieve të futbollistëve katalanë dhe atyre madrilenë në përfaqësuesen spanjolle, ku përmend edhe trajnerin portugez të Realit të Madridit.

Prej momentit kur mori drejtimin e skuadrës “merengue”, Mou i shpalli luftë të hapur Barçës. Ai u ka kërkuar lojtarëve të tij të evitojnë maksimalisht stilin e lojës “blaugrana”, e madje arriti deri aty sa ishte kundër çdo kontakti të lojtarëve të Realit me ata të Barcelonës.

Babai i Ksavit ka treguar se tekniku luzitan nuk e pëlqen aspak faktin se kapiteni i skuadrës së tij, Iker Kasijas ka një miqësi të ngushtë me mesfushorin katalan që prej Botërorit 2010. Për këtë çështje është diskutuar shumë pas sfidave të tensionuara në “El Clasico”, ku e gjithë Spanja i trembej përçarjes së përfaqësueses.

Në gusht të vitit të kaluar, Murinjo u zemërua me Kasijas, që i ka telefonuar Ksavit dhe Pujol për ti kërkuar falje për sjelljen e lojtarëve dhe stafit të Realit në ndeshjen e Superkupës së Spanjës. Prej atij momenti marrëdhënia e trajnerit me portierin ka marrë një krisje, aq sa u përfol edhe që Mou po mundohej ta largonte “gardianin”.

“Iker ka probleme me trajnerin Murinjo për shkak të shoqërisë me Ksavin. Këto probleme u bënë publike gjatë sezonit të kaluar, por pavarësisht qëndrimit të trajnerit, Iker dhe Ksavi nuk kanë menduar asnjëherë ta prishin miqësinë e tyre”, bëri të ditur babai i Ksavit.

Në startin e Euro 2012, Murinjo ka qenë një prej kritikëve më të mëdhenj të Spanjës, për stilin e lojës “alla Barcelona”, por pas fitores së trofeut nga iberikët, tekniku nuk ka bërë më asnjë koment. Kjo ka bërë që mediat spanjolle të nisin të ironizojnë me Murinjon, duke e pyetur edhe pse fshihet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama