Skandali i vjedhjes Arvizu takon Fullanin

Skandali i vjedhjes, Arvizu takon Fullanin

Ndërkohë që pritet të mblidhet Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, është takuar me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në selinë qendrore të BSH-së te sheshi "Avni Rustemi", rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm.

Pas përfundimit të takimit i cili zgjati rreth një orë, Aleksandër Arvizu, në një deklaratë për shtyp, tha se stabiliteti i bankës sipas mesazhit të SHBA-ve, është shumë i rëndësishëm.

 ”Folëm për situatën e fundit. Vjedhja është raportuar nga autoritetet e vetë bankës. Është e rëndësishme të mos ketë ndikime politike. BSH-ja ndërvepron me FMN-në, BB-në dhe BERZH-in. Mesazhi i SHBA-ve është që stabiliteti i bankës është shumë i rëndësishëm. Është e rëndësishme që të lemë hetimin të zhvillohet, por dhe banka dhe guvernatori të bëjnë detyrën e tyre të pavarur. Kur parlamenti të mblidhet në shtator besoj se do ketë seanca dëgjimore, sepse njerëzit kanë të drejtë të dinë “, u shpreh Arvizu.

Takimi erdhi pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, në institucionin më të lartë financiar në vend dhe në momentin kur shoqëria civile dhe disa deputetë, kanë kërkuar dorëheqjen e Fullanit dhe të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, duke i bërë përgjegjësit kryesorë për vjedhjen e Thesarit, për mënyrën se si kanë menaxhuar funksionimin e këtij institucioni.

Ndërkohë, Këshilli Mbikqyrës pritet të mblidhet rreth orës 13:00.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama