Skandali i Sarandes Cane fyen ne sallen e gjyqit gruan qe e denoncoi

Skandali i Sarandes, Cane fyen ne sallen e gjyqit gruan qe e denoncoi

Gjykata e Sarandës ka administruar si provë dëshminë dhe video-përgjimin e dorëzuar nga nëna e katër fëmijëve kundër ish-sekretarit të deputetit Kokëdhima në Sarandë. Gruaja i ka qëndruar dëshmisë duke konfirmuar përpara gjykatës se Agron Cane i ka kërkuar marrëdhënie seksuale me vajzën e saj të mitur. Debate në sallën e gjyqit, i arrestuari fyen dhe ofendon denoncuesen.

Edhe pse pas hekurave, ish-sekretari i deputetit Koço Kokëdhima në Sarandë, nuk i ka kursyer fyerjet dhe ofendimet në adresë të gruas që e denoncoi për favore seksuale. Në sallën e gjyqit, 62-vjeçari Agron Cane ka fyer shtetasen E. G., e cila ishte thirrur për të dëshmuar në një seancë me objekt sigurimin e provës. Ajo është thirrur me epitete të pahijshme nga i arrestuari, edhe pse në sallën e gjyqit ishin të pranishëm gjyqtarja dhe prokurorja e çështjes. Seanca ka nisur mëngjesin e djeshëm, pasi prokuroria kishte kërkuar që Gjykata e Sarandës të siguronte provat ndaj të arrestuarit për ngacmim seksual dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se një kërkesë e tillë nga ana e prokurorisë ka ardhur pas vlerësimit të mundësisë se dëshmitarja E. G. mund të ndryshojë thëniet si pasojë e presioneve që mund të ushtrohen ndaj saj. Seanca ka zgjatur për rreth dy orë e gjysmë dhe të pranishëm kanë qenë i arrestuari, avokati i tij mbrojtës, prokurorja e çështjes, denoncuesja dhe gjyqtarja që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj shtetasit Agron Cane. Gjatë seancës së djeshme prokurorja ka kërkuar nga gjykata të administrojë në cilësinë e provës dy video-përgjime të realizuara nga denoncuesja E. G, kallëzimin e saj dhe dëshminë që ka dhënë mbi akuzat e bëra ndaj 62-vjeçarit. Për këtë arsye është thirrur përpara gjykatës edhe denoncuesja E. G, e cila i ka qëndruar dëshmisë së dhënë në polici. Ajo ka pohuar se ishte njohur me sekretarin e deputetit Koço Kokëdhima rreth 6 muaj më parë, kur kishte trokitur në këtë zyrë për të kërkuar punë. Gruaja ka treguar përpara gjykatës se shtetasi Agron Cane i kishte premtuar gjetjen e një pune, por në këmbim i ka kërkuar marrëdhënie seksuale me vajzën e saj të mitur, vetëm 14 vjeç. Nëna e katër fëmijëve ka sjellë në vëmendje të gjykatës disa nga bisedat e bëra në zyrën e sekretarit të deputetit, përfshi edhe bisedën e datës 14 gusht, të cilën ajo e ka regjistruar. Por pas dëshmisë së saj në gjykatë, i arrestuari ka lëshuar në adresë të gruas fjalë fyese, duke mohuar gjithçka kishte thënë shtetasja E. G. Agron Cane, i arrestuar për dy akuza, mohoi përpara gjykatës kërkesat e tij për favore seksuale, duke thënë se është i pafajshëm.

 

Cane ka deklaruar se gjithçka është e sajuar për ta goditur politikisht, pasi ai ka qenë aktivist i Partisë Socialiste. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe avokati i tij mbrojtës, i cili tha para gjykatës se klienti i tij është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me pretendimet e ngritura nga kallëzuesja. Por prokuroria i kërkoi gjykatës të administrojë si provë edhe video-përgjimin e realizuar nga kallëzuesja më 14 gusht të këtij viti, në zyrën e deputetit socialist në Sarandë, mes saj dhe sekretarit të zyrës, Agron Cane. Takimi është realizuar me kërkesën e të dyshuarit, i cili i ka telefonuar kallëzueses rreth orës 13:30 të 14 gushtit duke i kërkuar të shkonte në zyrë, pasi ndodhej i vetëm. Kërkesa e prokuroria është pranuar nga Gjykata e Sarandës, e cila ka administruar si prova dëshminë e kallëzueses E. G dhe videon e regjistruar prej saj, ku i dyshuari Agron Cane kërkon favore seksuale me vajzën e saj të mitur 14-vjeçare. Pasi siguroi dy provat kryesore të dosjes, prokuroria pritet të nisë me marrjen në pyetje të personave të tjerë, të cilët kanë qenë në dijeni të kësaj ngjarjeje, apo që mund të kenë informacione rreth sjelljes së të arrestuarit. Vetë Cane ka pranuar në video-përgjim se në zyrën e tij kanë shkuar shumë gra e vajza, të cilat i kanë kërkuar seks në këmbim të një vendi pune, por ai vetë nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Të gjitha dyshimet dhe informacionet që prokuroria ka marrë nëpërmjet video-përgjimit do të verifikohen nga prokuroria, e cila pritet të marrë në pyetje me dhjetëra persona.

Prokuroria: Tri video dhe një përgjim, provat kundër Canes

Prokuroria e Sarandës thotë se nga hetimet e deritanishme ka disa prova të rëndësishme që fajësojnë 62-vjeçarin e arrestuar, Agron Cane. Ndaj tij janë ngritur akuzat e “ngacmimit seksual” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kjo në bazë të provave të mbledhura. Bëhet fjalë për tri video të dorëzuara nga kallëzuesja E. G dhe një përgjim të bërë në ambientet e policisë së Sarandës mes saj dhe të arrestuarit. Videoja e parë, sipas prokurorisë është bërë më 14 gusht të këtij viti, në zyrën e deputetit socialist në Sarandë, ku Cane i kërkon E. G., marrëdhënie seksuale me vajzën e saj të mitur. Videoja zgjat rreth 17 minuta dhe gjatë gjithë kohës biseda e sekretarit të deputetit është e përqendruar te vajza e kallëzueses. Pas këtij përgjimi, Agron Cane vihet në dijeni se është regjistruar nga E. G, dhe i kërkon asaj takim në një lokal të njohur në qytetin e Sarandës. Në këtë bisedë, 62-vjeçari kërkon që gruaja ta fshijë videon, pasi ai do e ndihmojë atë. Po në të njëjtën ditë, Cane takon sërish E.G dhe këtë radhë i thotë se një miku i tij prokuror e ka siguruar që nuk do të dënohet, pasi nuk ka kryer asnjë veprim. Pas arrestimit, Cane dhe kallëzuesja janë gjendur vetëm në ambientet e policisë dhe gjatë kësaj kohe i dyshuari ka kërkuar sërish nga gruaja të tërheqë denoncimin, pasi sipas tij, po i shkatërron familjen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama