Si u mesohet historia e Luftes I Boterore femijeve te Ballkanit?

Si u mesohet historia e Luftes I Boterore femijeve te Ballkanit?

“Ata njerëz ishin terroristë: Gavrilo Princip dhe gjithë të tjerët”, thotë Salih Mehmedoviç, duke qëndruar në vendin pranë Urës Latine në qendër të Sarajevës, aty ku serbi Princip qëlloi për vdekje arqidukën Franc Ferdinand, të Austro-Hungarisë, 100 vjet më parë, një vrasje që paralajmëroi 4 vite konflikti shkatërrues.

Mehmedoviç, një boshnjak, tha se nuk kishte dyshim se Serbia ishte përgjegjëse për vrasjen.

“Ata e bënë atë që thanë. Ne duhet të fajësojmë Serbinë për luftën”, këmbëngul ai.

Ndërsa vendet ballkanike po përgatiten për të përkujtuar 100-vjetorin e Luftës I Botërore këtë verë, secila prej tyre po u mëson nxënësve të shkollës një interpretim të ndryshëm të vrasjes që nisi konfliktin 4-vjeçar. Princip portretizohet në historinë e librave të shkollës së vendeve të ish-Jugosllavisë si terrorist ose rebel për një arsye: perceptimet që pasqyrohen në ndarjet bashkëkohore në rajon, të cilat ende po rimëkëmben prej konflikteve të tmerrshme të viteve 1990.

Si pjesë të ish-Jugosllavisë, fëmijëve të këtyre shteteve u është mësuar e njëjta histori. Tani, ata kanë versionet e tyre të së vërtetës - të formësuara nga luftërat e fundit – të cilat po i transmetohen brezit të ardhshëm.

 “Kishte vetëm një diskurs për Luftën I Botërore, kur vendi quhej Jugosllavi. Por vendi u shpërbë 23 vjet më parë dhe ky diskurs u zhduk bashkë me të, pasi shtetet e reja që u formuan pas shpërbërjes, kishin perceptime të ndryshme mbi të shkuarën,” shpjegon Nenad Sebek, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore, i cili ka analizuar tekstet e historisë në rajon. “Tani, e shkuara është përshtatur në përputhje me çfarëdo diskursi që duan të paraqesin elitat udhëheqëse në këto vende, në momentin aktual”, thotë Sebek.

 

Mësimet boshnjake pasqyrojnë ndarjen etnike

Në Bosnjë-Hercegovinën e ndarë nga pikëpamja etnike, nuk ka ndonjë pikëpamje të unifikuar mbi Princip-in, ose origjinën e Luftës I Botërore. Fëmijët boshnjako-serbë mësojnë interpretime të ndryshme, krahasuar me boshnjakët dhe kroatët. Për këta të fundit, Princip-i ishte një vrasës politik i nxitur nga Beogradi. Për boshnjako-serbët, vrasja shërbeu vetëm si një pretekst për Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë për të ndërmarrë një agresion ushtarak ndaj Serbisë.

Këto ndarje pasqyrohen në përkujtimet e 100-vjetorit, që do të mbahen në Bosnjë. Një seri eventesh do të organizohen në Sarajevë, ku përfshihen ekspozita, koncerte dhe takime mes aktivistëve të paqes, nga e gjithë bota. Boshnjako-serbët do t’i organizojnë eventet e tyre në qytetin lindor të Visegradit, ku është programuar një film, ndërkohë do të vendoset një statujë e Princip-it në Sarajevën serbe.

Librat e Sarajevës thonë se grupi i Princip-it “kishte mbështetje nga organizata sekrete serbe”, ndërsa libri “Bihac” shpreh në mënyrë më të drejpërdrejtë se “komplotuesit ishin mbështetur nga Serbia”. Libri “Zenica”  e përshkruan grupin si “një organizatë terroriste”. Po ashtu, libri i historisë që përdoret nga nxënësit boshnjako-kroatë, e përshkruan grupin si “terrorist”.

 

Serbia thekson “krimet e luftës” austriake

Në kryeqytetin Serb, në Beograd, do të vendoset një monument i Gavrilo Princip. Nxënësit e shkollës mësohen se vrasësi veproi thjesht për një kauzë.

Qeveria serbe do të organizojë ekspozita të shumta përkujtimore. Ndërkohë, Kisha Ortodokse serbe e ka shpallur vrasësin si një hero kombëtar.

“Gavrilo Princip thjesh po mbronte lirinë dhe popullin  tij”, tha një klerik së fundmi.

“Në Serbi, thuhet ende se Lufta I Botërore ndodhi për shkak të këtij heroi të madh, të quajtur Gavrilo Princip”, thotë Sebek. “Ai vrau arqidukën Ferdinand, i cili ishte personifikim i forcave okupatore austro-hungareze dhe gjermane dhe serbët trima luftuan dhe vuajtën gjatë luftës, por ata ishin në anën e drejtë”, vazhdon ai.

Shumë serbë këmbëngulin se Serbia nuk ishte shkaktare e luftës.

“Faji për Luftën I Botërore duhet të bjerë mbi Austro-Hungarinë dhe dëshirën e saj imperialiste për të vënë nën kontroll Ballkanin. Serbia nuk duhet të fajësohet për Princip-in”, tha një shitëse serbe.

Ndërkohë, tekstet shkollore serbe shkruajnë se shkaku i përgjithshëm i luftës ishte “konflikti midis fuqive të mëdha për kontroll ekonomik dhe dominim në Europë”. Libri i historisë së klasës së shtatë shkruan se “Austro-Hungaria e përdori vrasjen në Sarajevë, si një pretekst për luftën e pritur prej kohësh kundër Serbisë, edhe pse qeveria serbe nuk ishte përgjegjëse për atë vrasje”. Vrasësi i Sarajevës përshkruhet thjesht si “një i ri serb nga Bosnja”.

 

Kroacia fajëson zgjerimin serb

Megjithatë, shkollat në Kroaci mësojnë se Serbia duhet fajësuar për konfliktin e viteve 1914-18, për shkak të kërkesave për të zgjeruar territorin dhe për të mbështetur një terrorist. Librat e historisë në Kroaci shkruajnë se Serbia ishte një nga vende përgjegjëse për shpërthimin e luftës. Librat e klasës së katërt shkruajnë se “Serbia kërkoi zgjerim territorial mbi zonat që ishin nën Perandorinë Osmane deri në Luftën e Ballkanit”. Po ashtu, ai e përshkruan grupin e Princip-it si një grup që “kryente veprime terroriste ilegale” dhe që e favorizoi Serbinë për të fituar kontroll mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, me synimin e krijimit të “Serbisë së Madhe”. “Një organizatë sekrete, e quajtur “Bashkim ose Vdekje”, e njohur edhe si ‘Dora e Zezë’, u krijua në Serbi në 1911, me misionin e arritjes së qëllimeve të Serbisë së Madhe, përmes aktiviteteve terroriste”, shkruhet më tej.

 

Kosova qëndron neutrale, pavarësisht luftës së vitit 1990

Prindërit në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, ende me kujtimet e freskëta të represionit të dhunshëm të Beogradit mbi shqiptarët e Kosovës, këmbëngulin se agresioni serb ishte një faktor definitiv që shkaktoi Luftën I Botërore.

“E gjithë bota ka vuajtur për shkak të Serbisë”, thotë një banor i Prishtinës. 

“Serbia ka lënduar mjaft njerëz, po ashtu edhe ata të Kosovës, ndaj, ndaj ata u japin rëndësi të madhe kriminelëve të tyre (si Princip-i)”, thotë një tjetër.

Mirëpo nxënësve të Kosovës u mësohet një version i historisë, që ngjan me atë të librave të vjetër të Jugosllavisë, në të cilët Serbia trajtohet relativisht mirë, si një vend që u përpoq ta shmangte luftën. Pasazhet mbi LIIB, të shkruara pas konfliktit të periudhës 1998-1999, midis ushtrisë kosovare dhe forcave serbe, e përshkruajnë Princip-in si një “nacionalist serb”, por aty nuk akuzohet Serbia si përgjegjëse e konfliktit.

Arben Arifi nga Instituti i Historisë në Kosovë thotë se ka një arsye praktike për interpretimin relativisht beninj të rolit të Serbisë.

“Autorët që i shkruan librat e historisë para dhe pas pavarësisë, ishin, ose janë pak a shumë të njëjtët”, thotë ai.

Por Shkëlzen Gashi, një studiues politik argumenton se librat e shkollës në Kosovë janë plot “pasaktësi, gënjeshtra dhe falsifikime, të cilat shtojnë dyshimet tek nxënësit mbi Serbinë”.

 

Maqedonia akuzon fuqitë e mëdha “imperialiste”

Librat shkollorë në Maqedoni e përshkruajnë konfliktin si “luftën e parë botërore të imperializmit” dhe fokusohen në ndarjen e territorit maqedonas, që pasoi. Megjithatë, maqedonasit fajësojnë Bullgarinë fqinje për ekspansionin agresiv, jo Serbinë.

Historiani maqedonas, Novica Veljanovski, është i prirur ta shfajësojë Serbinë duke thënë se “është vërtetuar se shteti serb nuk kishte qëllim ose plan ta vriste Ferdinandin” dhe se “Serbia nuk mund të fajësohet për fillimin e luftës”.

Librat shkollorë thonë se Austria, Italia dhe Gjermania ishin iniciatoret, duke përdorur vrasjen nga “organizata revolucionare sekrete”, si pretekst.  Ndërkohë, Bullgaria akuzohet për “politikat ekspansioniste” dhe për përfshirjen në luftë për “ta uzurpuar të gjithë Maqedoninë”.

 

Ka shpresë për një të vërtetë të përbashkët?

Përsa i përket vrasjes së Franc Ferdinandit 100 vjet më parë në Sarajevë, disa banorë thanë se nuk shqetësoheshin për atë që u mësohej fëmijëve të tyre.

“Nuk e di dhe nuk shqetësohem” thotë një banor. “Ne duhet ta harrojmë atë të shkuar të largët”.

Të tjerë argumentojnë se duhen mësuar vetëm faktet, jo paragjykimet.

“Duhet t’u mësojmë fëmijëve faktin se vrasja ndodhi, por duhet t’ua lëmë atyre t"i gjejnë interpretimet”, thotë një tjetër.

Por, me ardhjen e 100-vjetorit, ka pak shpresë për grupet etnike dhe politike rivale në Ballkan që të ndajnë një pikëpamje të përbashkët për shkaqet e luftës së viteve 1914-1918, thotë profesori Zijad Sehic.

“Kurrë nuk do të biem dakord për këtë çështje. Pikëpamjet janë shumë të ndryshme”, shton ai. “Nuk do të ketë kurrë një të vërtetë të përbashkët”.

 

Denis Dzidic, Marija Ristic, Milka Domanovic, Josip Ivanovic, Edona Peci, Sinisa Jakov Marusic

Sarajevë, Beograd, Zagreb, Prishtinë, Shkup


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama