Si te transferoheni nga universitetet qe iu eshte hequr licenca

Si te transferoheni nga universitetet qe iu eshte hequr licenca

Studentët që në vitin 2013- 2014 kanë ndjekur studimet në një nga institucionet e arsimit të lartë, të cilëve u është hequr licenca, mund të transferojnë studimet e tyre në programe studimi të njëjta apo të ngjashme të të njëjtit cikël studimi në një universitet publik ose privat të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit. Është shënuar kështu në Fletoren Zyrtare ditën e djeshme udhëzimi i datës 11 gusht nga Ministria e Arsimit. “Shekulli” ju përrcjell kështu procedurat që duhen ndjekur nga studentët për t’u transferuar nga universiteti i palicencuar drejt një institucioni tjetër të arsimit të lartë.

Në proces studimi

Të gjithë studentët që në vitin 2013- 2014 kanë ndjekur studimet në një nga institucionet e arsimit të lartë, të cilëve u është hequr licenca mund të transferojnë studimet e tyre në programe studimi të njëjta apo të ngjashme të të njëjtit cikël studimi në një universitet publik ose privat të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit. Por, këta të fundit duhet të kenë tërhequr dosjen e plotë, me dokumentacionin e nevojshëm, brenda datës 1 shtator 2014, për të nisur procedurat e transferimit në një institucion tjetër të arsimit të lartë.

Studentët që pritej të diplomoheshin këtë vit

Edhe për studentët të cilëve do t‘u duhej ta mbyllnin ciklin e studimeve brenda këtij viti, institucioni i arsimit të lartë të cilit i është hequr licenca duhet të organizojnë sesione të jashtëzakonshme provimesh dhe mbrojtje të temave të diplomës. Për studentë të cilët nuk kanë arritur të shlyejnë detyrimet e vitit akademik 2013-2014, institucioni përkatës duhet të përcaktojë një plan të qartë me data dhe objektiva konkretë, të cilin më herët duhet t’ia vendosë në dispozicion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Studentët e diplomuar

Për të gjithë studentët, të cilët kanë përfunduar studimet dhe mbrojtjen e temës së diplomës këshillohet që të pajisen nga universiteti (që i është hequr licenca) ku janë diplomuar, që të tërheqin diplomon dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përpara datës 1 shtator. Edhe për ata studentë të cilët rezultojnë të regjistruar në një program studimi pas datës së miratimit të hapjes së tij nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, dhe kur programi i studimit që kanë ndjekur është akredituar në Republikën e Shqipërisë, institucioni i arsimit të lartë, të cilit i është hequr licenca, do të duhet të marrë të gjitha masat për të lëshuar diplomën dhe suplementin përkatës, brenda datës 1 shtator 2014.

Dosja e studentit, pa detyrim financiar shtesë

Institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca, kanë detyrimin të përgatisin dosjen me dokumentacionin e nevojshëm për çdo student, brenda datës 1 shtator 2014, dhe t’ia vënë atë në dispozicion çdo studenti pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e studentit. Dosja e studentit duhet të përmbajë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të mundësuar çregjistrimin nga institucioni që lëshon dosjen dhe regjistrimin në një tjetër universitet. Dokumenti i çregjistrimit, plani i plotë i programit të studimit, lista e lëndëve të shlyera me notat dhe kreditet përkatëse, lista e notave dhe kreditet e fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, kopje e kontratës së lidhur në kohën e regjistrimit të studentit në universitetin përkatës dhe kopje e dokumentit që dëshmon zgjidhjen e kontratës janë disa nga dokumentet që duhet të përmbajë çdo dosje studenti. Në këtë dosje nuk duhet të mungojnë as diplomat e cikleve të mëparshme të studimit dhe / ose të shkollës së mesme të kryer nga studenti si dhe kopja e dosjes së regjistrimit fillestar të studentit në këtë IAL tashmë të palicencuar.

Aplikimi për transferimin e studimeve

Studentët, të cilët kanë ndjekur studimet në një nga institucionet e arsimit të lartë, të cilëve u është hequr licenca duhet që brenda datës 20 shtator të këtij viti të aplikojnë për transferimin e studimeve në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Ata mund të aplikojnë në cilindo institucion të arsimit të lartë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Raporti për “Shkollën e Lartë Ndërkombëtare të Tiranës”

Në vazhdën e institucioneve të arsimit të lartë që po mbyllen sot është bërë publik edhe raporti për shkeljet e kryera nga “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”. Nga 37 kritere të ligjshmërisë, ky institucion i arsimit të lartë ka shkelur 16 kritere. I pari ka të bëjë me licencimin nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, pasi ky institucion ka ofruar një program studimi të palicencuar. Nuk ekziston asnjë Urdhër i MAS për hapjen e programit të studimit MSc. në Menaxhim, ndërkohë që në këtë degë “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” ka diplomuar 22 studentë. Edhe në personelin akademik ky institucion shënon shkelje. “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” ka në përbërje personel mbi moshën 68 vjeç në kundërshtim me pikën 5, neni 50 të Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007 "Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë dhe ka punësuar si Drejtues të njësive/ departamenteve personel akademik pa gradë shkencore. Marrëveshjet kontratuale me studentet nuk janë të rregullta sepse kontrata e përdorur për lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale mes IAL dhe studentit parashikon “pagesa të tjera” për shërbime që i ofrohen studentit dhe “pagesa penalizuese” si p.sh. tarifë shtesë prej 50 euro në rast të përsëritjes së provimit në sezonin e tretë e vijim; tarifë shtesë prej 250 euro në rast se studenti diplomohet në sezonin e dytë; tarifat për transferimin eventual të studimeve, tarifa për udhëheqjen e diplomës etj. Të gjitha këto tarifa nuk janë të parashikuara në deklaratën e tarifave të studimit që “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” raporton në MAS çdo fillim-viti akademik. Edhe në infrastrukturë dhe në dosjet e personelit janë gjetur shkelje. Ky universitet ka probleme të theksuara me matrikullimin e studentëve dhe problemet me matrikullimin fillojnë që nga studentët e brezit 2011-2012. Thuajse çereku i studentëve janë të pa pajisur me NIM nga AKP-ja. Dhe në përfundim “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” nuk ka depozituar garanci bankare dhe nuk garanton vazhdimësinë e veprimtarisë akademike/ kompensimin e studentëve në rast falimentimi apo likuidimi.

Ja dokumentet që nevojiten për të transferuar studimet

Studentët, brenda datës 20 shtator 2014, kanë të drejtë të aplikojnë për transferimin e studimeve në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Pas kësaj date, institucionet pritëse do të ngrenë në nivel njësie kryesore komisionin e vlerësimit, njohjes dhe ekuivalentimit të krediteve të grumbulluara nga studenti që aplikon për transferimin. Në rastin e institucioneve private të arsimit të lartë, senati përcakton dhe numrin maksimal të studentëve që do të pranohen. Për të aplikuar, studentët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Dosjen e studentit;

b) Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese/diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri dhe të njohur nga komisioni i posaçëm për njohjen e diplomave të arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për shlyerjen eventuale të provimeve me zgjedhje. Në rastet kur dokumenti është lëshuar nga një institucion i huaj ai duhet legalizuar në vendin ku ndodhet institucioni që e ka lëshuar dhe duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe;

c) Për studentët që aplikojnë për transferim të studimeve në programe studimi të ciklit të dytë, fotokopje të noterizuar e diplomës/ diplomave të ciklit/cikleve të mëparshme të studimit të arsimit të lartë së bashku me certifikatën e notave dhe suplementin e diplomës/ diplomave përkatëse. Në rastet kur dokumenti është lëshuar nga një institucion i huaj ai duhet legalizuar në vendin ku ndodhet institucioni që e ka lëshuar dhe duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe, si dhe i njohur në Republikën e Shqipërisë nga Komisioni i Njohjes së diplomave të arsimit të lartë në MAS. Në qoftë se kandidati nuk ka diplome të Maturës Shtetërore apo dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/zyra arsimore përkatëse ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit;

d) Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë).

e) Dy fotografi;

f) Deklaratë e kandidatit që ai nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi në institucione të tjera të arsimit të lartë, dhe që nuk do të ndjekë njëkohësisht një program tjetër studimi, deri në përfundimin e programit ku ai aplikon;

g) Autorizimin për trajtimin e të dhënave personale.        


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama