Si i fiton ISIS 1 mln dollare ne dite?

Si i fiton ISIS 1 mln dollare ne dite?

Grupi ekstremist islamik i njohur si ISIS, është duke luftuar një betejë të madhe me përpjekjet e tij për të kapur dhe kontrolluar territorin në Siri dhe Irak, territor në të cilin është shpallur një kalifat islamik, ose shtet i pavarur islamik. Por si është e mundur që luftëtarët ISIS arrijnë të zgjerojnë kontrollin e tyre?

Në fshatin e quajtur Besaslan, grupi i Shtetit Islam po arrin të bëjë një pjesë të parave që i duhen për të financuar luftërat e tij. Operacioni i kontrabandës së naftës, me zbulimin e miliona fuçive të naftës atje, është një nga burimet kryesore të pasurisë së ISIS.

Nafta vjen nga puset dhe rafineritë që ISIS ka marrë nën kontroll brenda Irakut të veriut dhe Sirisë, dhe deri kohët e fundit ajo ka qenë e lehtë për t’u kontrabanduar në skajin jugor dhe të qetë të Turqisë, aty ku nafta është aq e shtrenjtë, saqë nuk ka rëndësi se kush e ka shitur atë, edhe nëse ai është armik.

Por kontrabanda në kufi është vetëm një mënyrë përmes së cilës ISIS gjeneron para. Departamenti i Thesarit në SHBA pranon se nuk ka shifra të sakta të pasurisë së terroristëve, por beson se ISIS korr miliona dollarë në muaj.

“ Ne mendojmë se ata bëjnë rreth 1 milion dollarë në ditë”, tha një përfaqësues i departamentit.

Matthew Levitt, drejtor i Programit Stein të Antiterrorizmit dhe Inteligjencës në Uashington, tha se ISIS është "grupi më  i mirëfinancuar që ka parë ndonjëherë”.

Levitt është një ekspert ndërkombëtar për terrorizmin dhe financimin e tij, dhe ai thotë se, përveç të ardhurave nga kontrabanda e naftës, grupi merr para përmes donacioneve nga simpatizantë të pasur, në vendet si Katari dhe Kuvajti.

Por grupi ka edhe një tjetër metodë të financimit, krimin e organizuar.

“Ne nuk duhet të jemi të befasuar. Mos harroni që ata janë financuar kryesisht përmes aktivitetit të brendshëm penal brenda kufijve të Irakut. Kjo do të thotë që ISIS kërkon para nga kushdo dhe për çdo gjë.  Ai ka vendosur kontrollin kudo. Dëshironi të bëni  biznes në territorin e kontrolluar nga ISIS? Do  paguani një taksë. Dëshironi të lëvizni një kamion poshtë në një autostradë të kontrolluar nga ISIS? Do paguani një taksë”, thotë Levitt.

Në Mosul, ISIS plaçkiti Bankën Qendrore dhe bankat e tjera më të vogla, duke përfituar dhjetëra e ndoshta qindra miliona dollarë. Ndaj dhe sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA, që kanë filluar kohët e fundit, mund të duket jo të fuqishme, për sa kohë që ISIS kontrollon çdo terren ku civilët mund të tatohen, dhunohen dhe vidhen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama