Shqiperia me 12 mije veterane lufte marrin pension lufte edhe te lindurit e 44

Shqiperia me 12 mije veterane lufte, marrin pension lufte edhe te lindurit e '44

Me statistikat zyrtare të ISSH janë mbi 12 mijë pensionistë që marrin shpërblim për kontributin që kanë dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit. Personat që marrin këtë përfitim duhet të jenë minimumi 85 vjeç. Por shumë nga ata që e marrin këtë pension, kanë lindur në 1944

Në një kohë që qeveria po ndërmerr një reformë në pensione me qëllim uljen e barrës që ajo ka krijuar në buxhetin e shtetit, vetë skema e pensioneve ka ende hapësira për t’u “pastruar” nga të ashtuquajtura pagesa të pamerituara. Shembull unik i abuzimit janë mbi 3 milionë dollarët që qeveria po i jep edhe këtë vit si shpërblime për veteranët e luftës së dytë botërore edhe pse kanë kaluar plot 70 vite që lufta ka mbaruar.

12 mijë  veteranë

Me statistikat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë mbi 12 mijë pensionistë që marrin shpërblim për kontributin që kanë dhënë gjatë luftës së dytë botërore për çlirimin e vendit. Por duke ndjekur logjikën e kohës, personat që marrin këtë përfitim duhet të jenë minimumi 85 vjeç. Nga ana tjetër të gjithë 85 vjeçarët që jetojnë brenda vendit nuk janë më pak se 16 mijë në total. Burimet nga ISSH pohojnë se, ka një situatë të qartë spekulimi me statusin e veteranit, po institucionet që e lëshojnë  këtë status janë jashtë varësisë së ISSH. Instituti kur merr  dëshminë është i detyruar të  nisë dëmshpërblimin. Të 12 mijë pensionistët që trajtohen si veteranë lufte duhet të kenë qenë të gjithë 15 vjeçarë  në1944. Por çudia nuk mbaron këtu. Ka edhe 70 dhe 75 vjeçarë që trajtohen me këtë lloj pensioni që i bie që gjatë luftës të kenë qenë 0-5 vjeç. Ligji që i trajton ata është i vitit 1994 i mbështetur edhe në dy VKM. Sipas bazës ligjore të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 prilli i vitit 1939, deri në ditën e çlirimit të Shqipërisë përfitojnë nga trajtimi i veteranit. Gjithashtu luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë, luftuan jashtë kufijve të Atdheut deri më 09.05.1945. Kërkesa për të përfituar shpërblimin e veteranit të Luftës bëhet pranë Komisionit të ngritur në çdo rreth, me VKM, pranë degëve ushtarake. Kërkesa me dokumentacionin dhe mendimin e komisionit të rrethit, i përcillet komisionit të ngritur për këtë qëllim pranë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili merr vendimin përfundimtar dhe një kopje e këtij vendimi i dërgohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore për zbatim. Në këto kushte ISSH vetëm sa zbaton ligjin në fjalë duke qenë i vetëdijshëm që po paguan pensione false.

Falsifikimet, fatura 29 mln USD

Ditët e fundit burimet zyrtare në ISSH bënë me dije se, përmes procesit të dixhitalizimit dhe krijimit të bazës së të dhënave në sistemin e pensioneve është arritur të konstatohen 1454 pensione me datëlindje të falsifikuara, me një dëm prej 672 milionë lekësh, nga të cilat 77 pensione të dubluara me një dëm prej 67.1 milionë lekësh, për të cilat mësohet se janë përllogaritur dhe detyrimet janë në proces vjeljeje. Ndërsa në procesin e kontrollit të pagesave të pensioneve, janë konstatuar 745 raste të tërheqjes së pensioneve nga familjarët e të vdekurve, me një dëm prej 27 milionë lekësh, ku janë arkëtuar 17,1 milionë lekë. ISSH, në kuadër të miradministrimit të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe shmangien e informalitetit në pagesat e pensioneve, në vite, ka nisur procesin e pastrimit të skemës, i cili konsiston në auditimin e pensioneve dhe përfitimeve të tjera, si dhe në informatizimin e proceseve të punës dhe dixhitalizimit të të dhënave. Përsa i përket ligjshmërisë së përfitimeve që iu lindin qytetarëve nga skema e sigurimeve shoqërore, është konstatuar një dëm ekonomik i konsiderueshëm, i cili llogaritet në rreth 2.9 miliardë lekë gjithsej.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama