Sherbimi Informativ Shteteror pranon pergjimet

Sherbimi Informativ Shteteror pranon pergjimet

Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka përgjuar askënd në mënyrë të paligjshme. Deklarata zyrtare është bërë dje nga kreu i Shërbimit, z. Visho Ajazi Lika, në të cilën ai theksoi gjithashtu se SHISH-i në çdo moment ka zbatuar ligjin ndërkohë që akuzat e ngritura ndaj tij kanë qëllim denigrimin e këtij institucioni. Ajazi theksoi më tej se puna e Shërbimit Informativ Shtetëror ka marrë vlerësime nga institucione kombëtare por dhe ndërkombëtare siç ishte rasti i fundit gjatë vizitës së Papa Françeskut. Reagimi i kreut të SHISH-t erdhi pas publikimit në media të përfundimeve paraprake të hetimeve të grupit të kontrollit të ngritur nga kuvendi mbi punën e këtij Shërbimi. Mbi bazën e këtyre përfundimeve të prezantuara tashmë në Komisionin e Sigurisë, SHISH-i ka përgjuar zyrtarë, ka bërë emërime të paligjshme por dhe nuk ka respektuar ligjin sa i përket ruajtjes së sekretit shtetëror.

Reagimi

Kreu i SHISH-it ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediet duke pohuar se ditët e fundit, institucioni që ai drejton është vënë në shënjestër të goditjeve të mediave të ndryshme, përmes deklarimit të të pavërtetave, sipas tij, lidhur me aktivitetin ligjor të SHISH-it. “Duke sqaruar se SHISH-i nuk e ka në natyrën e punës së tij të bëjë publike veprimtarinë e vet, për hir të së vërtetës dhe mbrojtjes së punës së tij, na lejoni t’i bëjmë me dije gjithë opinionit publik shqiptar se institucioni ynë ka vepruar, vepron dhe do të veprojë gjithmonë vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative që rregullojnë këtë veprimtari. Janë tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan përgjuar nga SHISH-i, në mënyrë të paligjshme, persona publikë të profileve të ndryshme apo ndonjë qytetar tjetër”, - deklaron Visho Ajazi Lika. Sipas kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror ata persona që servirin këto lloj informacionesh në media synojnë të denigrojnë këtë agjenci të rëndësishme të sigurisë kombëtare, ta pengojnë dhe shkurajojnë në punën e saj aq të dobishme, sipas tij, dhe të vështirë. “Ju sigurojmë se kemi kaluar situata shumë më të vështira se sa situatën e stisur me këto të pavërteta, por ne thjesht i kemi injoruar të gjitha ato përpjekje të cilat kanë pasur si qëllim përbaltjen e veprimtarisë sonë”, - shton Ajazi. Ai thekson më tej se puna e institucionit që drejton është vlerësuar jo vetëm nga strukturat shqiptare por dhe ato ndërkombëtare. “Përmes këtij komunikimi, e sigurojmë publikun shqiptar se veprimtaria e SHISH-it, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, në këta dy vjet, është vlerësuar mjaft pozitivisht si nga institucione të shtetit shqiptar, ashtu edhe nga shërbime partnere strategjike. Jemi krenarë t’ju informojmë se, në rendin e këtyre vlerësimeve, për suksesin e vizitës së Papa Françeskut, në mes të institucioneve të tjera, edhe SHISH- i mori falënderime të veçanta nga Shenjtëria e Tij”, - shkruan më tej Ajazi. Ai premton se SHISH-i do të vijojë punën në shërbim të vendit për sigurinë kombëtare por dhe luftën kundër xhihadizmit. “Duke qenë të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë në drejtim të rritjes së profesionalizmit në SHISH, ne po punojmë me vetëmohim dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe atë globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria, dhe SHISH-i në veçanti, janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte”,- përfundon deklarata e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Reagimi zyrtar i Visho Ajazi Likës vjen pas publikimit të media të përfundimeve paraprake të hetimit të kryer në zyrat e SHISH-it nga tre deputetët e mazhorancës. Nga hetimet e kryera është konstatuar përgjimi i personave me imunitet apo dhe shkresa e kreut të SHISH-it, dërguar në rrethe ku urdhërohet përgjimi i shefave të policisë por ndërkohë që ka dhe indice për përgjimin e krerëve të lartë të politikës.

Deklarata e Ajazit, grupi i punës: I përmbahemi raportit

Deputetët socialistë, pjesë e grupit të punës për hetimin në zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror nuk panuan të të komentojnë deklaratën e bërë dje nga kreu i këtij Shërbimi, Visho Ajazi Lika. I kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, deputeti socialist, Xhemal Qefalia deklaroi se: “Nuk dua të prononcohem për aq kohë sa kemi ushtruar një kontroll, kemi bërë një raport për problemet e evidentuara dhe i qëndroj raportin. Po u qëndrojmë procedurave parlamentare”. Në emër të zbatimit të ligjit për të ruajtur sekretin shtetëror, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe deputetët Pjerin Ndreu dhe Pirro Lutaj. Tre deputetët e PS-së u caktuan si pjesë e një grupi kontrolli që më 23 prill të këtij viti për të hetuar në zyrtar e Shërbimit Informativ Shtetëror. Pjesë e grupit të punës u caktuan dhe 2 anëtarë të opozitës por ligjvënësit demokratë kontestuan nismën dhe për pasojë nuk propozuan dy anëtarët për vendet bosh. Pavarësisht këtij qëndrimi të opozitës mazhoranca ngriti grupin e punës i cili prej muajsh ka ushtruar tashmë detyrën e caktuar nga kuvendi dhe ka nxjerrë dhe konkluzionet e para. Raporti final i hetimit do t’i përcillet kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama për të përcaktuar dhe procedurat e mëtejshme ligjore të veprimit. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama