Sfide dritheruese Belgjika eliminon ne shtese amerikanet

Sfide dritheruese, Belgjika eliminon ne shtese amerikanet

Edhe çerekfinalistja e fundit e Botërorit 2014 ka dalë nga një sfidë e çmendur dhe drithëruese. Argjentina e Lionel Mesit do të presë Belgjikën e Eden Hazardit, e cila e dominoi për 120 minuta SHBA-në, pavarësisht se në fund rezultati final tregoi shifrat 2-1 (3 golat e shënuar në kohët shtesë, pasi 90 minutat u mbyllën me rrjeta të paprekura). Gjithsesi, “banda” në të cilën bën pjesë edhe Adnan Januzaj u drodh jo pak në minutat e fundit të shtesës, ku Xhons dhe Dempsej iu afruan shumë një barazimi (rezultati u ngushtua nga Grin) që mund të kishte qenë dramatik, edhe pse rastin i Vondolovskit në fundin e kohës së rregullt mund t’i kishte dërguar “marinsat” amerikanë në çerekfinale. Gjithsesi, të gjitha këto gabime as që mund të krahasohen me atë lumë rastesh të pastra për gol që shpërdoroi skuadra e Vilmotsit, një surprizë e këndshme, e cila vuan shumë mungesën e eksperiencës.


Emocione pa gola - Belgjika mbase është skuadra më e frikshme në zonën e sulmit, falë cilësive të mëdha që ka në grupin e këtyre të rinjve, por ftohtësia për të tundur rrjetën mungon ende. Gjithsesi, De Bryne, edhe pse vetëm 23- vjeçar, duket më se i kompletuar, Kompani është një siguri në mbrojtje, ndërsa Vitseli është një organizator me vlera. Ai që po habit disi është Hazard, i cili nuk po gjen vazhdimësinë në lojë, por nëse “ndizet”, di t’i bëjë keq kundërshtarit. Mjaft mirë edhe talenti Orixhi, të cilit i mungon vetëm ftohtësia përpara portës, ndonëse duket disi e tepruar të presësh perfeksionin nga një talent i datëlindjes 1995. Ndërsa amerikanët, me Dempsejn e lënë të vetëm në zonën e sulmit, lënë shumë hapësira prapa dhe nëse nuk do të kishte qenë për 16 pritje vendimtare të Hauardit, atëherë 90-minutëshi i djeshëm do të ishte shndërruar në një goleadë. Gjithsesi, nëse Orixhi godet një traversë, “marinsi” Vondolovski në sekondat finale ka në këmbët e tij golin që mund t’i kualifikonte, por prekja e tij është e tmerrshme vetëm dy metra larg portës, duke dërguar sferën mbi traversë dhe mbyll takimin pa gola.


Zëvendësime decizive - Pasi paniku i aksionit të fundit u shua nga belgët, Vilmots bën zgjedhjen e duhur me fillimin e shtesës. Jashtë Orixhi, në lojë Lukaku, me këtë të fundit që thyen ndeshjen. Sulmuesi në pronësi të Çelsit kombinon me Gonzalezin që pason për De Brynen, i cili me një diagonale në zonë tund rrjetën. Belgjika mund të nisë festën, sepse 15 minutat e para do të mbyllen me dyfishimin e Lukakusë. Takimi duket i mbyllur, por edhe Klinsman bën zëvendësimin e duhur, duke hedhur në fushë Grinin me një gol të bukur në zonë. Spektakli është në maksimum, sepse 6 minuta nga fundi amerikanët ofrojnë një skemë fantastike nga goditje dënimi pranë zonës, por portieri Kurtua i mbyll portën Dempsejt, duke shmangur penalltitë.

Klinsman: U ndëshkuam në 2 gabime


“Ku dreqin e gjete vetëm një minutë shtesë ti i mallkuar?”. Kështu iu drejtua trajneri i SHBA-së, Jurgen Klinsman, gjyqtarit të katërt kur akordoi minutat shtesë. “Ishte një vendim i nxituar, sepse tensioni qe shumë i madh. Nuk e kam në natyrë të ofendoj askënd, por thjesht isha shumë i tensionuar. Ndiej keqardhje, por edhe krenari për këtë skuadër. Luftuam si luanë dhe ishim shumë pranë kualifikimit, por në dy gabime që bëmë, e pësuam. Patëm raste të mira të barazonim, por nuk u treguam gjakftohtë dhe në fund u eliminuam. Jam i hidhëruar, sepse për disa lojtarë ky ishte botërori i fundit dhe unë e di mirë se sa shumë donin ata që të shkonin në çerekfinale. Ndoshta mund të bënim më shumë se kaq, por kjo do të analizohet më vonë”, u shpreh Klinsman pas ndeshjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama