Seks droge dhe dashuri

Seks, droge dhe dashuri

“Kontradiktat e njeriut që do bukur e vërtetësisht, por për të pasur gjithçka është i rrethuar nga krimi”. Kjo është fjalia që regjisori Fatmir Koçi zgjedh për të shpjeguar fabulën e filmit të tij më të ri “Amsterdam Express”, i cili do të ketë sot premierën në Kinema Millenium. Një film ku Koçi vjen dhe si bashkëskenarist me autorin e njohur të filmave europianë Jonatan Preece. I janë dashur tre vite për të bërë këtë film, 33 ditë për ta xhiruar (10 ditë në Holandë dhe 23 në Tiranë), përgatitjet kanë zgjatur dy muaj, për të mbërritur te premiera e sotme. Por, Koçi ndihet mirë, që ka mundur të gërshetojë në këtë prodhim kinematografik tri gjëra thelbësore siç është substanca, struktura dhe stili. Vetëm tri skena të xhiruara nuk janë përdorur dhe e gjithë pjesa tjetër e xhirimeve ka shkuar sipas parashikimeve, duke bërë që filmi të përfundonte shumë shpejt. Fabula e këtij filmi shtrihet në dy shtete, Shqipëri dhe Holandë. Nëse do të bësh një film për tranzicionin, apo atë çfarë njeriu shqiptar ka përjetuar pas rënies së komunizmit, ajo do të përfshijë dhe një vend tjetër. Europa është ajo ku shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë një jetë më të mirë. Koçi nuk është përqendruar në dhënien e një mesazhi përmes kësaj historie. Mesazhi është brenda vetë historisë, dhe perceptohet në mënyra të ndryshme nga shikuesi. Ajo çfarë ai ka synuar është të japë një dramë me të gjithë elementët e saj, duke e bërë shikuesin ta ndiejë filmin. Në qendër të filmit është raporti i shqiptarëve me idenë për të arritur gjithçka. Përgjegjësia e një të riu, për të mos humbur traditën, dhe për ta mbajtur fort këtë virtyt dhe kur i duhet të përballet me një botë krimi. Në role kryesore në këtë film interpretojnë aktorët Blerim Destani, James Biberi, Flonja Kodheli, Carolien Spoor, Natasha Goulden, Gert Ferra. Producentë janë Rozeta Feri dhe Blerim Destani.

Por cila është historia që Koçi ka zgjedhur për “Amsterdam Ekspress” një film që në ngjizjen fillestare ishte menduar të quhej “Londra në çatinë time”. Është historia e një të riu shqiptar emigrant në Amsterdam, i cili është i kapur mes rreziqeve dhe joshjeve të qytetit të pasur, kërcënimeve të trafikantëve të seksit e drogës, por dhe martesës me një vajzë holandeze. Ndërsa në vendin e tij të prapambetur e pret një dashuri e vërtetë. Është historia e Bekimit, 30 vjeç, i cili bën çdo gjë për të bërë para. Në të vërtetë ai kthehet duarbosh në vendin e tij, pasi ka dhënë paratë e fundit për të shpëtuar një vajzë me emrin Ana, nga dritaret në distriktin e Dritave të Kuqe.

Historia zhvillohet në Tiranë dhe Amsterdam. Bekimi 30-vjeçar dhe komshia e tij Marta janë të dashuruar. Bekimi ka një ëndërr, të ndërtojë një shtëpi të re. Ai emigron në Amsterdam për të bërë para. Ai përfundon në një qendër emigrantësh ku takon Anën një 20-vjeçare nga Europpa Lindore dhe Van Doom, një trafikant të njohur droge dhe seksi. Bekimit i jepet leja e shkurtër për të qëndruar në Holandë dhe nis të punojë si pastrues plehrash. Në Tiranë, Marta jeton momentet e bukura që ka kaluar me Bekimin dhe i shkruan letra. Babai i saj konservator Elezi kërkon të dijë se kush është i dashuri i saj. Ajo refuzon t’ia tregojë emrin dhe Elezi, një personazh agresiv, e rreh. Bekimi përfshihet në trafikun e kokainës, pasi është e vetmja mënyrë të bëjë para për të përfunduar shtëpinë. Ai mëson nga e ëma se miku i tij më i mirë Roni ka filluar kokainën, dhe ka shpenzuar të gjitha paratë që Bekimi i ka nisur në shtëpi për ndërtimin e shtëpisë. Bekimi dëshiron t’i japë fund përfshirjes së tij në drogë, por Van Doom do që ai të vazhdojë në këtë biznes. Bekimi e vendos veten në rrezik. Dhe largohet nga Van Doom. Ai ka një histori dashurie me Suzanën, një holandeze që punon përkrah tij në kamionin e plehrave. Ajo i sugjeron që të martohen në mënyrë që Bekimi të bëhet holandez, dhe ai i ofron asaj 5000 euro për këtë martesë interesi. Suzana nuk i pranon paratë dhe merr Bekimin me vete në shtëpinë e saj. Në Tiranë, Roni blen makina sportive dhe hap një lavanderi me paratë që Bekimi i ka dërguar për të ndërtuar shtëpinë. Bekimi tronditet dhe nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kthehet sërish te Van Doom. Ky i fundit i ofron një biznes të ri, trafikimin e femrave. Në klubet e seksit, Bekimi takon Anën. Ajo i kërkon atij ndihmë. Kështu Bekimi e blen atë tek Van Doom dhe duhet t’i paguajë atij 5000 euro për të. Suzana dhe Bekimi martohen zyrtarisht. Në Tiranë, Elezi shkon të shohë familjen e Bekimit. Elezi e akuzon ashpër atë, pasi Bekimi e lë Martën pasi ka bërë dashuri me të, gjë e cila është e ndaluar në Kanun. Elezi i çon babait të Bekimit një plumb dhe një unazë, dhe i thotë të zgjedhë midis martesës dhe vdekjes. Marta shkon të punojë në lavanderinë e Ronit, ku takohet me Dorën, një lesbike shoqe e Ronit. Në klubin e seksit, Ana ka probleme me një klient gjerman i cili do të abuzojë me të. Bekimi përleshet me klientin dhe i krijon probleme Van Doomit, pasi policia mund t’i zbulojë. Bekimi i jep 5000 eurot për lirinë e Anës. Duke përfituar nga kaosi Ana merr 190 000 euro nga kasaforta dhe zhduket me paratë. Historia e trajtuar nga regjisori Koçi duket se ka brenda gjithë problematikat e shoqërisë shqiptare pas viteve ‘90.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama