Ryan Marreveshje te tregtise se lire mesh SHBA-ve dhe Britanise

Ryan: Marrëveshje të tregtisë së lirë mesh SHBA-ve dhe Britanisë

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve Paul Ryan bëri, sot, thirrje që Shtetet e Bashkuara të kërkojnë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Mbretërinë e Bashkuar, pas shkëputjes të saj formale nga BE-ja.

Ai propozoi që diskutimet për një marrëveshje të tillë të fillojnë menjëherë, me qëllim uljen e shqetësimeve të krijuara pas votës së Britanisë për të dalë nga BE dhe për të siguruar "marrëdhënie tregtare pa pengesa" mes dy vendeve.

Sipas tij, marrëveshja duhet arritur krahas përpjekjeve që SHBA-të po bëjnë për të arritur një marrëveshje me BE-në për tregtinë dhe investimet.

Ajo pason deklaratën e Presidentit Obama se "marrëdhënia e veçantë" mes SHBA-ve dhe Britanisë do të mbetet gjithmonë e tillë, pavarësisht Brexit.

Deklarata e sotme e Zotit Ryan, përveç efekteve pozitive që mund të ketë në qetësimin e gjendjes ekonomike e politike post-Brexit, është dëshmi se rirregullimi i marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar e BE-së dhe secilës prej tyre me palët e treta do të jetë një proces i ndërlikuar, ku të gjithë do të mundohen të përparojnë interesat e tyre në situatën e re.

Qëndrimet amerikane tregojnë se mendimi se BE do të mund ta "ndëshkojë" MB-në në marrëdhëniet ekonomike dhe politike ndërkombëtare, me qëllim shkurajimin e largimit të vendeve të tjera, mund të jenë jo realist.

Çka është e sigurtë, është se përpjekjet e vendeve të treta, si SHBA-të, për të përfituar nga dalja e MB-së dhe për të forcuar marrëdhëniet tregtare me të, do të balancojnë në një masë efektet e kufizimeve që BE mund t'i vendosë MB-së pas largimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama