Rrefimi i xhihadistit shqiptar Plagosja dhe burgosja ime ne Siri

Rrefimi i xhihadistit shqiptar: Plagosja dhe burgosja ime ne Siri

Qëndrimi katërmujor në atë që xhihadistët e konsiderojnë si lufta e shenjtë dhe kërkesat e përfaqësuesve të “Al Nusra” që grupi i shqiptarëve t’u bashkohej formacioneve të tyre luftarake. Stërvitja në kampe të posaçme përpara luftës dhe dilema pas lirimit nga burgu në Siri. “Përvoja ime me xhihadin është një përvojë e paharrueshme”, – thotë i riu shqiptar.



Një i ri shqiptar, pjesë e luftës së Sirisë, rrëfen xhihadin siç e quan ai si një përvojë të paharrueshme. Rrëfimi i tij është në gjuhën shqipe dhe vjen nëpërmjet një videoje të publikuar në “Youtube” në mars të këtij viti. Në këtë rrëfim para kamerës, shqiptari me emrin Ebu Turabi Al Albany, tregon se ishte nisur për xhihad katër muaj më parë dhe përpara se të shkonte në frontin e luftës, është trajnuar në kampe të posaçme bashkë me vëllezërit e tij, siç i quan ai luftëtarët e tjerë. Ai tregon sesi grupi të cilit ai i përkiste, ishte rrethuar nga grupi “Jaysh Al Hur” apo Ushtria e Lirë, e njohur edhe si “Ushtria për Çlirimin e Sirisë”, rrethim i cili thotë të ketë zgjatur 10 ditë, ndërsa tregon se grupi të cilit ai i përkiste ka qenë i dobët, pa armatim e pa ushqim në këtë rast. “Po e filloj tregimin tim për rrugën e xhihadit. Unë kam bërë ixhret në tokën e shenjtë, në tokën e xhihadit, tokën e bekuar në të cilën Allahu e ka ngritur. Qëndrimi im në tokën e shenjtë është përafërsisht 4 muaj dhe përvoja ime me xhihadin është e paharrueshme. Gjëja e parë që bërë kur mbërrita në Siri, shkova në kampin Sulejman, aty kemi bërë ushtrime ushtarake, përgatitje për xhihad, dhe pas një kohe të shkurtër na ka rrethuar grupi që quhet ‘Zinki’”, – tregon i riu shqiptar.

 

Ai thotë se rrethimi ka zgjatur për rreth 10 ditë dhe nga luftimet janë vrarë e plagosur shumë luftëtarë të tjerë që ndodheshin bashkë me të. Të mbijetuarit janë kapur rob dhe janë dërguar në një burg, ku për disa ditë me radhë janë marrë në pyetje. “Pas një rrethimi 10- ditor në kapën të dobët, pa armë, pa municione dhe rrethimi ka qenë i papritur. Aty, pas rrethimit 10-ditor jemi sulmuar nga grupi i ‘Nuredin Zinki’. Gjatë sulmit të tyre jemi plagosur shumë vëllezër dhe unë së bashku me disa vëllezërit e mi u kapëm rob. Të gjithë ishim të plagosur, jemi dërguar në spital për të na mjekuar plagët dhe më pas na kanë futur në burg. Kemi qëndruar në burg, aty na kanë marrë në pyetje. Kur na kanë marrë në pyetje, na i kanë mbuluar sytë dhe nuk kemi parë gjë. Mua më kanë pyetur për ardhjen në xhihad, në atë kohë kisha 2 muaj në xhihad. Nuk flisja mirë arabisht dhe na sollën një përkthyes”, – thotë në rrëfimin e tij xhihadisti shqiptar. I riu, që nga dialekti duket se është shqiptar i Kosovës, thotë se në burg janë pyetur për xhihadin, për vrasjen e disa myslimanëve në një prej betejave të zhvilluara. “Më pyetën mua se për çfarë e keni vrarë Jabhah An-Nusrah dhe Jysh al Hurr.

 

Unë iu përgjigja se nuk i kemi vrarë, por ata na kanë vrarë ne, na kanë sulmuar. Kam dëgjuar fjalët e tyre dhe kam menduar se janë myslimanë. Ata na kanë gjuajtur ne me armë dhe nuk kemi pasur rrugëdalje. Më thanë që gjithçka është në rregull me ty dhe do dalësh për pak ditë nga burgu. Më thanë, çfarë do bësh pasi të dalësh nga burgu? Nuk e di u thashë, një herë për një herë unë jam këtu për xhihad, për të ngritur fjalën e Allahut”, – rrëfen i riu shqiptar. Sipas tij, qëllimi i burgosjes dhe marrjes në pyetje ishte bashkimi me grupin kundërshtar në luftime, që ai i identifikon si “Al Nusra”, një grupim radikal, pjesë e luftës së Sirisë. “Qëllimi i tyre ishte që ne t’i bashkoheshim grupit të tyre, por ne nuk pranuam. Në burg ka pasur edhe vëllezër të tjerë që kanë qenë të plagosur, edhe unë isha i plagosur por tani jam mirë. Ditën që kam dalë nga burgu, ata që na kanë marrë në pyetja i kam parë aty. Më pyeti një roje burgu, e a di kush të ka marrë në burg? Jo, i thashë. Aty ishte një drejtor burgu që nuk ia di emrin, dhe më tregoi që është ky dhe një tjetër. Unë e pashë, e njoh njërin prej tyre. Ai më tha se, nëse do t’i bashkohesh grupit tonë, do kesh gjithçka . Unë iu përgjigja se nuk i bashkohem grupit. Ju na i morët të gjitha paret, ju e hëngrët pasurinë e myslimanëve dhe tani doni të na mashtroni me pare”, – përfundon rrëfimin xhihadisti shqiptar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama