Rithemelimi i mireqenies ne optiken e pesembedhjete studiuesve

Rithemelimi i mireqenies ne optiken e pesembedhjete studiuesve

Në Shqipërinë e para tranzicionit, varfëria ishte një target i ndaluar, e eklipsuar nga propaganda për mirëqenie e të gjithëve njëlloj, një fenomen pothuaj i njohur për të gjitha vendet diktatoriale. Po t’u referohemi shifrave të asaj kohe, varfëria nuk ekzistonte jo vetëm në Shqipëri, por pothuaj në të gjitha vendet komuniste e diktatoriale. Në vitet ‘50 Rumania kishte rritjen më të shpejtë në botë, Brazili i viteve ’70 nën drejtimin e një junte ushtarake cilësohej “si mrekullia ekonomike” dhe në vitet ’80, të gjithë u mahnitëm nga suksesi i disa vendeve të lindjes, të etiketuar si “tigrat e rritjes ekonomike”, përfaqësuar nga Taivani e Korea e Jugut, vende diktatoriale, po ashtu.

 

Retorika e asaj kohe duket se vazhdoi të ndikojë edhe atë të ditëve tona. Në Shqipërinë e tranzicionit varfëria mbeti përsëri një target i pa adresuar shkencërisht, por e trajtuar dhe e kamufluar mbas shifrave për rritje e zhvillim. Për varfërinë është folur politikisht dhe mediatikisht kryesisht gjatë fushatave elektorale. Rrallë i jemi qasur me metodologji dhe teknika shkencore, përjashtuar, nëse mund të klasifikohet si e tillë “Anketa për Matjen e Standardeve të Jetesës”, organizuar me mbështetjen e Bankës Botërore, e cila ka matur dhe vlerësuar varfërinë në shifra. Të dhënat e këtyre anketave, të cilat janë zhvilluar periodikisht gjatë dekadës së fundit (2002, 2005, 2008, 2012) kanë ofruar një pamje, ndonëse jo të plotë, të varfërisë sonë, – flasim gjithmonë në termat e të ardhurave për frymë ose treguesve të tjerë që e rreshtojnë një vend në krye ose në fund të klasifikimeve sipas treguesve të përbashkët botërorë.

 

Megjithatë, problemi nuk qëndron te paplotëria e të dhënave, por te mungesa e vullneteve për t’i përdorur anketat për matjen e varfërisë si pikënisje për ndryshimin e politikave dhe luftës ndaj saj. Pra, përkundër nevojës për të zhdukur, ose të paktën për të reduktuar varfërinë, politikëbërësit tanë kanë preferuar apoteozat për suksese virtuale kundër saj. Në vend që të punojmë konkretisht për të përmirësuar cilësinë e jetës, kemi preferuar fjalët e fjalimet, që zakonisht mbarojnë me “arritje e suksese të mëdha”. Por, siç ka vë në dukje dijetari ynë, akademiku Rexhep Qosja, pasqyruar në parathënien e Kosta Barjabës: “Njerëzit nuk duan ide të mëdha në varfëri, por ide të vogla në mirëqenie”. Sigurisht që asnjë nuk mund të mohojë ndryshimet që janë bërë në vendin tonë, pra sa të mira ose të këqija kanë qenë këto ndryshime rrallë i janë nënshtruar një kritike të mirëfilltë.

 

Libri “Rithemelimi i mirëqenies” është një përmbledhje artikujsh kushtuar këtij problemi shumë të mprehtë të shoqërisë sonë. Për studiuesit që janë bërë pjesë e këtij botimi, konkluzioni është një: ne, shqiptarët, mbetëm të varfër se vendit tonë i kanë munguar politikat e drejta të zhvillimit, duke bërë pjesë të këtij konkluzioni jo vetëm konstatime – sa e thjeshtë është të konstatosh, por duke propozuar edhe zgjidhje, bazuar kryesisht në qasje ekonomike. Secili prej tyre, me përkushtim, kompetencë dhe vizion të qartë parqet përpara lexuesit idetë e mendimet e tij për ndërtimin e një mirëqenie reale, jo virtuale, larg fjalëve boshe dhe fjalimeve elektorale. Për ta, rritja ekonomike gjatë tranzicionit nuk ka prodhuar punësim dhe, për pasojë, ka anuar drejt një rritjeje varfëruese.

 

Akoma, boshti i gjithë artikujve është se lufta kundër varfërisë duhet të jetë e lidhur me zhvillimin e punësimin, një sentence sa e vjetër dhe e re, sa e njohur aq edhe e panjohur për realitetin tonë politik.

 

 

 

Kosta Barjaba: Ky libër, një sintezë kontributesh

 

Ky libër, një sintezë kontributesh të kolegëve të respektuar, nuk do të kishte dalë në dritë pa largpamësinë dhe vullnetin politik të Nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule; mbështetjen dhe angazhimin e akademikëve të nderuar Muzafer Korkuti, kryetar i Akademisë, Ethem Likaj, kryetar i Seksionit të shkencave shoqërore albanologjike, dhe Vasil S. Tole, Sekretar Shkencor; mënçurinë dhe logjikën e njohur të Arben Malajt; analizën elegante të Grida Dumës; mprehtësinë dhe maturinë tipike për Ilir Beqen; argumentet shterruese të Selami Xhepës dhe Mimoza Agollit; përkushtimin akademiko-institucional të Nevila Xhindit; energjinë e Irsida Dimoshit (Rusit); erudicionin e thellë dhe vizionin modern të Adrian Civicit; analizën sistematike të Kastriot Sulkës; finesën e Besart Kadisë; skrupulozitetin e Luljeta Minxhozit; optikën realiste të Pandeli Garos; oratorinë dhe elokuencën e Nora Malajt dhe këndvështrimin origjinal të Valbona Nathanalilit. (Në këtë shprehje mirënjohjeje i rendita sipas rradhës së kontributeve në përmbajtjen e librit).

 

Titulli:“Rithemelimi i mirëqenies”

 

Autorë: Autor Kosta Barjaba, në bashkëpunim me: Ilir Beqaj, Adrian Civici, Vangjel Dule,

 

Grida Duma, Pandeli Garo, Besart Kadia, Muzafer Korkuti, Ethem Likaj, Arben Malaj,

 

Nora Malaj, Luljeta Minxhozi, Valbona Nathanaili, Irsida Rusi, Kastriot Sulka,

 

Vasil S. Tole, Selami Xhepa, Mimoza Agolli, Nevila Xhindi

 

Botues: UET Press, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

 

*Libri botohet në kuadrin e “Forume Publike të Akademisë së Shkencave”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama