Rishikimi i historise me Greqine ne nentor takimet dypaleshe

Rishikimi i historise me Greqine, ne nentor takimet dypaleshe

Tekstet shkollore të gjeografisë dhe historisë që kanë të bëjnë me Greqinë, pritet të pësojnë ndryshime në përdorimin e terminologjisë dhe komenteve kryesisht për çështjen e Çamërisë. Në muajin nëntor do të nisin takimet konkrete dypalëshe mes autoriteteve të Tiranës dhe Athinës për rishikimin e teksteve shkollore shqiptare, ku përshkruhet historia e përbashkët e dy shteteve. Ministria e Arsimit, Lindita Nikolla bëri të ditur dje se çdo rishikim i teksteve do të bëhet për të respektuar fqinjësinë mes dy kombeve. Ndërkohë, komisioni i ngritur për këtë punë me ekspertë të dy shteteve pritet që të nisë punën intensive së shpejti, dhe pse bisedimet për këtë çështje kanë nisur që në muajin mars të këtij viti. Nikolla tha se është ngritur një komision për rishikimin e teksteve me Greqinë dhe në nëntor nisin takimet dypalëshe. “Grupet e punës do punojnë për të bërë të mundur që tekstet e shkollave të respektojnë fqinjësinë e mirë”, – tha ajo ndërsa shtoi se në muajin nëntor pritet të zhvillohen edhe takime mes palës shqiptare dhe autoriteteve greke, lidhur me këto tekste shkollore.

Shqetësimi për tekstet është shfaqur nga pala greke pas një debati në Parlamentin grek, ku disa deputetë kanë shprehur hapur kundërshtimet për përdorimin e termit Çamëri apo të etiketimit të fshatrave çamë si tokë shqiptare, që e ka konfiskuar Greqia në tekstet shqiptare të shkollave.

Sipas deputetëve grekë, Shqipëria nuk e ka respektuar marrëveshjen me Greqinë për heqjen e referencave irredentiste në librat e Gjeografisë apo ata të Historisë.  Deputeti i partisë së djathtë “Grekët e Pavarur”, Terenc-Nikolaos Kuik, dhe deputetja e partisë qeverisëse Demokracia e Re, Tania Iakovidhou duke kërkuar që Ministria greke e Arsimit të reagojë, thanë se në librat me të cilët nxënësit shqiptarë mësojnë gjeografinë e vendit të tyre, ende ka referime irredentiste për treva shqiptare brenda territorit grek. Ndërsa paralelisht, nga librat grekë të Historisë është hequr në bazë të marrëveshjes dypalëshe, historia reale për helenizmin vorio-epirot, nga lashtësia deri në ditët e sotme.

Disa muaj më parë, ministrja shqiptare e Arsimit ishte në Athinë me ftesë të ministrit grek të Arsimit, Kostantinos Arvanitopoulos, ku diskutuan mbi rritjen dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor të dy vendeve. Pikërisht në këtë takim Nikolla bëri të ditur  vendimin për ngritjen e grupeve të përbashkëta të ekspertëve për rishikimin e teksteve. Nënshkrimin e marrëveshjes për këtë çështje, ministrja shqiptare e cilësoi të rëndësishme për hapjen e rrugës për mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit për ekspertizë profesionale edhe për gjithë reformën e arsimit të lartë dhe shkencës në Shqipëri. Ndërsa homologu i saj grek në atë kohë e cilësoi këtë marrëveshje dhe rinisjen e punës për çështjen e hartimit të teksteve si “një vizion i përbashkët drejt së ardhmes”. Shqetësim për tekstet shkollore  në Shqipëri dhe Kosovë ka shprehur edhe Turqia. Ambasada turke i kërkoi miqësisht Ministrisë së Arsimit në Kosovë dhe asaj në Shqipëri të bëjnë kujdes me përdorimin e termave në përshkrimin e ngjarjeve gjatë pushtimit turk. Kjo kërkesë erdhi pasi dy ministrisë, e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kishin bërë publik lajmin për hartimin e një teksti të përbashkët të Historisë. Kjo kërkesë shkaktoi shumë debat në mesin e historianëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama