Rinovohet sistemi i faturimit ne CEZ tani me pak abuzime

Rinovohet sistemi i faturimit ne CEZ, tani me pak abuzime

Të gjitha modulet e sistemit të faturimeve në CEZ-Shpërndarje janë rinovuar. Tani përllogaritje automatike e debisë dhe kamatës së abonentëve në kohë reale. Në funksion është edhe një sistem informimi me SMS. Pasi ka përmirësuar disa tregues emergjentë në lidhje me gjendjen financiare, tani administratori i CEZ-Shpërndarjes, Sait Dollapi, ka promovuar shërbimet e teknologjisë së lartë për ankesat dhe pagesat e faturave online.

Shërbimet e reja

Rikthehet shërbimi i faturës online. Abonenti në çdo moment dhe në kohë reale mund të informohet për të gjithë historikun e tij të detyrimeve, pagesave, si dhe të printojë faturat në sistemin CEZ-Shpërndarje. Ka hyrë në funksion shërbimi i ankesave online, ku abonentët mund të bëjnë kërkesë apo ankesë në lidhje me shërbimet e CEZ-it. Gjithashtu është aktiv një sistem informimi me SMS (nr. 069 41 40 000).

 

Nëpërmjet këtij sistemi abonentët mund të realizojnë kërkesë ose ankesë, mund të informohen për vlerën e faturës së fundit të tyre, detyrimin që ata kanë në sistemin e CEZ-Shpërndarjes, si dhe mund të marrin fjalëkalimin për sistemin e faturës online. Kështu, dërgimi i tekstit “F” apo “Faturë” do t’ju informojë për vlerën e faturës aktuale dhe dërgimi i tekstit “D” apo “Debi” do t’ju informojë për vlerën aktuale të debisë. Dërgimi i tekstit “P” apo “Password” do t’ju informojë për fjalëkalimin tuaj në modulin online të informacionit. Nga ana tjetër, Posta Shqiptare, si dhe bankat online, posta si të gjithë bankat e nivelit të dytë të cilat kanë akt-marrëveshje me CEZ-Shpërndarjen, janë të lidhura online dhe shkëmbejnë në formë elektronike online të gjitha pagesat e faturave. I gjithë informacioni në kohë reale mund të konsultohet direkt nga abonentët online në Shërbimin e Faturës Online.

Ndryshimet

Drejtori i CEZ-Shpërndarjes, Sait Dollapi, sqaroi se sistemi i faturimit (Billing), që më parë merrej si shërbim dhe mirëmbahej nga një kompani e huaj, sot ai mirëmbahet dhe zhvillohet nga departamenti i teknologjisë dhe informacionit në CEZ-shpërndarje. “Janë përmirësuar të gjitha modulet e sistemit, ndër të cilat veçohen: përllogaritje automatike e debisë dhe kamatës së abonentëve në kohë reale, detajimi i saktë dhe shfaqja e dallueshme e të gjithë informacionit në sistemin e faturimit” tha Dollapi.

 

Gjithashtu është rikonceptuar i gjithë procesi i gjenerimit dhe printimit të faturave, me qëllim shmangien e vonesave në shpërndarjen e tyre. “Sot realizojmë identifikimin nëpërmjet koordinatave të vendndodhjes së lexuesit në momentin e leximit të matësve, rifreskimi ditor i Sistemit të Faturimit (Billing) me të dhënat e reja të regjistruara nga lexuesit”, thotë Dollapi. CEZ-shpërndarje është aktualisht në menaxhim nga qeveria shqiptare, pasi kjo e fundi i hoqi licencën kompanisë çeke CEZ, (që kishte privatizuar operatorin e shpërndarjes në vitin 2008)  në janar 2013, pasi çekët nuk arritën objektivat e përcaktuar në momentin e privatizimit, sidomos ata në drejtim të reduktimit të humbjeve.

Drejtori i CEZ-Shpërndarjes, Sait Dollapi, tha se është rikonceptuar i gjithë procesi i gjenerimit dhe i printimit të faturave, me qëllim shmangien e vonesave në shpërndarjen e tyre


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama