Ringjallet Milani nuk ndalet Juventus

'Ringjallet' Milani, nuk ndalet Juventus

Viktima e radhës e “Zonjës së Vjetër” ishte Parma, e cila u mundua që të ndalte kampionët, por e pati të vështirë edhe për faktin se Amauri doli me karton të kuq në minutën e 65-të, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak. Dy gola nga Karloz Tevez i dërguan vendasit në pushimin mes dy pjesëve qetë-qetë në dhomat e zhveshjes. Argjentinasi shënoi golin e parë pas një depërtimi në minutën e 25-të e për të dyfishuar avantazhin shtatë minuta më vonë. Për t’u dhënë shpresë mysafirëve në këtë takim doli në skenë Molinaro, i cili në minutën e 62- të ngushtoi diferencat, por vetëm kaq. Napoli në anën tjetër, pas humbjes nga Fiorentina, ka mposhtur Katanian me rezultatin 4-2. Dy gola i shënoi Zapata e nga një Kalejon e Henrike për fitoren e 18-të të Napolit në këtë sezon.

 

Golat për vendasit i shënuan Monzon në minutën 54 dhe Gjombe në të 73-tën. Në takimin tjetër shqiptarët e Lacios u mposhtën nga Xhenoa me rezultatin 2 me 0. Të dy golat në takim u shënuan në pjesën e dytë. Të parin e shënoi italiani Alberto Xhilardino në minutën e 65-të dhe të dytin Fetfatizidis, 7 minuta para fundit të takimit. Berisha luajti si titullar, ndërsa Cana ishte në pankinë, por nuk u aktivizua për asnjë minutë. Rikthehet fuqishëm te fitorja Milani i Klarens Sedorf dhe e bën në mënyrën më të mirë ndaj një skuadre si Fiorentina dhe për më tepër në transfertë. Francezi Filip Mekses shënoi në minutën e 23-të, pas një goditjeje dënimi të Balotelit.

 

Topi u rikthye nga portieri, por mbeti aty dhe mbrojtësi me kokë e devijoi në rrjetë. Sakaq, sërish protagonist Baloteli, i cili në minutën e 64-t ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi duke e dërguar topin në trekëndësh. Kjo fitore u jep ende shpresa kuqezinjve për një vend në Ligën e Europës, i vetmi objektiv tashmë i mbetur në valle. Në takimet e tjera, Kaljari mund Veronën, Kievo fitoi me Bolonjën, ndërsa Sampdoria fitoi në fushën e Sasuolos. Juventusi kryeson renditjen me 14 pikë më shumë se Roma, e cila ndiqet nga Napoli që me fitoren e djeshme i largohet Fiorentinës 10 pikë. Lacio bie në vendin e tetë, ndërsa Milani në të 11-in.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama