Regjistri i kredive kontroll 380 mije veteve

Regjistri i kredive, kontroll 380 mije veteve

Tregues i shtrëngimit të kredidhënies është edhe rritja e numrit të kërkimeve nga bankat të bëra në regjistrin e kredive. Për vitin 2013 raportohet të jenë kryer 381,395 kërkime nga subjektet bankare dhe institucione jo banka. Referuar auditimit vjetor të Bankës së Shqipërisë, kjo shifër është më e larta në këta 6 vjet që regjistri funksionon. Në vitin 2012, numri i kërkimeve ishte 333,549, ndërsa në vitin 2011, ky veprim u krye për 322,570 persona. Regjistri administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe liston 28 subjekte pjesëmarrëse, nga të cilat 16 janë banka dhe 12 institucione financiare jobanka. Në fund të vitit 2013, subjektet bankare dhe financiare kanë raportuar në total 954,307 kredi në këtë regjistër, nga të cilat 387,670 janë kredi aktive.

 

Zgjerimi i Regjistrit të Kredive me subjekte të reja ndër vite, reflektohet dhe në përdorimin gjithnjë e më shumë të tij nga ana e subjekteve raportuese. Në vitin 2013, rreth 26% e kërkimeve në regjistër u takon institucioneve financiare jobanka, unioneve të shoqërive të kursim-kreditit dhe shoqërive të kursim-kreditit.  Gjithashtu, pranë Zyrës së Regjistrit të Kredisë kryhet edhe procesi i nxjerrjes së raportit të kredimarrësit dhe rishikimi i të dhënave të kredimarrësve. Gjatë vitit 2013, numri i kërkesave për raporte të kredimarrësit ka qenë 665, ndërsa janë adresuar 15 kërkesa për rishikim të të dhënave të kredimarrësit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama