Razma puna e fundit e Jakupit

Razma, puna e fundit e Jakupit

Ndaj dhe gruaja e tij, Nezihati, shumë shpejt u bë mikja e tij e mirë. Ajo që jo vetëm i rrinte përkrah si gruaja apo bashkëshortja, por që mund të jepte mendimin e saj edhe për artin që Jakupi bënte.

"Ai gjithë jetën shumicën e kohës e kalonte në studio. Unë i shkoja atje. Në fillim nuk e kuptoja. Ishte shumë e vështirë se ai rrinte gjithë kohën duke punuar…", kujton ajo, teksa rrëfen për "Metropol" vitet që kaloi me Jakupin dhe një pjesë të dëshirave e pengjeve të cilat e shoqëruan piktorin derisa vdiq.

Thekson se kanë dëshirë që shumë shpejt të hapin një ekspozitë me punët e artistit, në këtë vit jubilar të tij. Një ekspozitë "të ideuar" tashmë në mendjen e familjarëve, por për të cilën pritet miratimi i GKA-së.

Si e kujtoni njohjen me Jakupin? Çfarë sillni ndër mend nga fillimet e jetës me të?

Jemi marrë me shkuesi, na kanë njohur. Por kemi kaluar shumë mirë. Si në fillim dhe më tej gjatë martesës kemi qenë shumë afër me njëri-tjetrin. Gjatë gjithë jetës, ai shumicën e kohës e kalonte në studio.

Studioja ishte si shtëpi për të, kështu që gjithë kohën e kalonte atje. Kur i shkoja në studio, ndërsa ai punonte më dukej sikur hyja në botën e pikturës bashkë me të.

Veç kësaj ishte shumë i afërt dhe me fëmijët. I ndihmonte, pasi unë isha në punë me turne. Për fëmjët kujdesej shumë. Albana fillonte bënte vizatime dhe ia tregonte. Ai i thoshte: "Kurrë të mos jesh e kënaqur. Arti nuk ka fund. Shko puno në studio". Edhe pse në fillim nuk kishte fort qejf t'ua jepte artin fëmijëve. "Do të vuash", i thoshte vajzës. Për aq pak vjet sa jetoi, me Jakupin ia kemi kaluar shumë mirë.

Megjithatë thonë që të jetosh me një artist nuk është dhe aq e lehtë…

Në fillim nuk e kuptoja për artin. Ishte shumë e vështirë se ai rrinte gjithë kohën duke punuar. Dhe unë isha e re e duhej të kujdesesha për fëmijët, përveçse shkoja dhe në punë. Më vonë e kuptova dhe fillova të hyj në botën e artit bashkë me të. Më në fund më dukej sikur po punoja bashkë me të. Më pyeste: “Si të duket kjo punë? Ke ndonjë vërejtje?”

Kur i bëja ndonjë vërejtje më thoshte: “Ke ndonjë, ke filluar të marrësh vesh edhe ti nga bota e artit.”

Më tregonte për kohën kur ishte student, për punën, se arti ka dhe të mira dhe të këqija.

Ndihej i vlerësuar për punën që bënte?

Jakupi gjatë kohës që ishte gjallë duhej të kishte më tepër, jo vetëm një titull Artist i merituar. Se në të vërtetë ishte një artist. Por vlerat e tij filluan të duken pasi vdiq Jakupi. Pasi ai rrinte në atë heshtjen e vet, nuk ishte tip që hynte shumë në biseda. Shkurt, e donte artin shumë dhe vetëm atje e kishte jetën.

Thatë se ishte tip që nuk fliste shumë. Megjithatë, kishte miq Jakupi? Si ishte në marrëdhënie me të tjerët?

Kishte shumë të njohur, shumë miq. Ishte natyrë shumë e qetë. Punonte në atë botën e vet. Por arti dihet që ka shumë miq dhe shumë armiq. Jakupi shikonte punën e vet, punonte gjithë kohën. Ishte shumë i qetë. Ndoshta vinin dhe i tërhiqnin dhe vërejtje për punën. Por ai kishte mendjen e vet.

Si e kujtoni gjatë viteve të fundit të jetës?

E kishte jetën të shkurtër, se iku i ri. Por gjatë kohës që ishte i sëmurë donte kavaletin, dosjen e vizatimit. Deri në momentin e fundit, Jakupi ishte i dhënë pas pikturës. Ai vdiq i ri, 53 vjeç. Ishte shumë i sëmurë në vitet e fundit të jetës. Aq i sëmurë, sa ndoshta e mendonte vdekjen, por unë si bashkëshorte dhe fëmijët nuk e prisnim. Deri në momentet e fundit ai qëndroi duke bërë muhabet, duke biseduar me mua. Dhe gjatë kohës fliste, përmendte vizatimin, pikturat, skulpturat, mësonte fëmijët. Edhe pse njërën dorë e kishte të paralizuar (të majtën), kavaletin ia kanë çuar te shtrati. Lodhej, por dosjen e vizatimit e mbante te koka. Bënte vizatime, skica. Jeta pa të ishte shumë e vështirë.

Cila është puna e fundit që ka realizuar?

Shpresonim se mos ndoshta ajri i pastër, natyra i bënte mirë. Kështu ikëm në Razëm. Dhe puna e fundit e tij ishte Razma. Jakupi ishte shumë sëmurë dhe ndenjëm 15 ditë atje. Ky peizazh dhe një portret ishin punët e fundit të tij. Filloi të vizatonte një majë mali, por që nuk arriti ta përfundonte. Kurse skica të thjeshta punoi deri në momentin e fundit.

Kishte ndonjë peng për diçka që nuk mundi të realizonte?

Vetëm këtë thoshte: “Sa të më shëndoshen këmbët që të kemi mundësi, majë Veleçikut do të çoj.” Mërzitej shumë ngaqë ishte i ri, unë isha e re dhe fëmijët ishin duke u rritur. Ishte një periudhë tepër e vështirë.

Po ndonjë brengë për sa i përket anës krijuese?

Ishte një emision i fundit që ia bënë. U mërzit shumë, sepse donte më tepër nga ai emision në Galerinë e Shkodrës. Kur e pa, i pikuan dy pika lot. Mbas dy ditësh Jakupi vdiq.

Nxënësi i ruses Puzanova, "shkëlqimi" në San Petërburg

Jakup Keraj u lind në Shkodër më 15 shtator 1933. Babai i tij, Ahmeti, njihej në të gjithë Shkodrën si mjeshtër i kuzhinës dhe kishte mundur të hapte dy restorante: një në qytetin e tij dhe një në Tiranë, aty nga fillimi i viteve '40 të quajtur "Bela Venecia".

Që i vogël Jakupi shfaqi prirje për vizatim. Kjo gjë ra në sy të prindërve, të cilët e dërguan për të marrë mësime private te një grua ruse, Puzanova, e cila në atë kohë jetonte në Shkodër. Më pas Jakupi u bë nxënës i Simon Rrotës, i cili e vlerësonte shumë Kerajn për talentin e tij. Më vonë Keraj ndjek Liceun Artistik "Jordan Misja", të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera. Një nga mësuesit e tij të kësaj periudhe ishte Nexhmedin Zajmi. Në vitin 1952 shkon për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Leningradit. Bashkëstudent me emra mjeshtrash të pikturës dhe skulpturës shqiptare, si Vilson Kilica, Guri Madhi, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, etj., edhe këtu ai u shqua për talentin dhe përkushtimin e tij. Nga kjo periudhë e studimeve në Leningrad, në fondin e familjes Keraj ruhen disa punë të mrekullueshme. Pasi mbaroi studimet në Bashkimin Sovjetik, kthehet në Shqipëri më 1954. Punon si mësues i Vizatimit Teknik në gjimnazin "29 Nëntori" në Shkodër. Këtu ai mundi të kishte dhe një studio, ku realizoi disa nga punët e tij më të mira. Më vonë arrin të ketë një studio afër shtëpisë së vet. Ai lëvroi të gjitha teknikat e gjinitë e pikturës, si peizazhin, portretin, kompozimin, etj. Impresionist, ai njihet sidomos për realizimin e disa portreteve të mrekullueshme, por dhe të disa nudove të paekspozuara deri më sot, për vetë kushtet në periudhën kur janë realizuar.

Ndër punët e tij mund të përmendim: Heronjtë e Mashkullorës, Kuvendi i Lezhës, Shkodra, Kalaja e Rozafatit, Buna, etj. Në vitin '64 hapi ekspozitën e parë vetjake në Shkodër. Në '84 hapi ekspozitën e tij të dytë po në Shkodër, për të çelur ekspozitën tjetër një vit më pas në Tiranë.

Në vitin 1970 i është dhënë Urdhëri "Naim Frashëri i Klasit të Tretë". Në vitin 1986 i jepet titulli Artist i merituar. Pjesëmarrës në Bienalen e Aleksandrisë, është fitues i medaljes së bronxit në dhjetor 1987. "Retrospektivë" ishte ekspozita e çelur në vitin 2002 me punë të Kerajt nga fondi i familjes, Galerisë së Shkodrës dhe GKA-së. Po në 2002 i është dhënë titulli Mjeshtër i Madh i Punës.

"I heshturi" Jakup Keraj

E "bluante" qetësisht dhimbjen e vet dhe nuk e shprehte, veçse me penel dhe ngjyra. I butë, i heshtur me një tërheqje gati të ndrojtur…. I tillë ishte Jakup Keraj. I ndarë nga jeta 20 vjet më parë, në fakt është pikërisht ky "pasion pa zë" që e bën edhe më të madh piktorin në sytë e gjithë atyre që kanë mundësi të kundrojnë dhe të joshen nga punët e tij.

I mënjanuar në vitet e regjimit komunist, gjë që shumëfishohej edhe nga natyra e tij modeste, Keraj është shembulli klasik i artistit që krijoi thjesht, sepse kështu ia diktonte brendësia, me natyrshmërinë dhe spontanitetin e ndjesive të thella.

Edhe fëmijët e tij (vajza, Albana,piktore dhe djali skulptor), të parën gjë që nënvizojnë teksa sjellin ndër mend të atin, është natyra e tij.

"Ishte shumë i qetë, i urtë. As servil, as hipokrit. Duke qenë se ishte natyrë e butë dhe sistemi në atë kohë ishte shumë i rreptë natyrisht që vuante shumë", shprehen ata, ndërsa nuk duan të flasin për "brengat" që atij iu desh të duronte apo pabesitë e "miqve" që e sulmonin. Por që pas vdekjes do të thoshin për të fjalët më të mira.

Mbi të gjitha, impresionist në artin e tij, një pjesë e mirë e veprave të Kerajt, mbi 100, nuk janë ekspozuar asnjëherë për publikun. Sot në Galerinë e Shkodrës ruhen 22 vepra të piktorit, ndërsa në Galerinë Kombëtare të Arteve rreth 26 vepra të tij. Familjarët janë ata që "vuajnë" mbi kurriz mungesën e një studioje të piktorit, studio që iu mor në Shkodër tre vjet pas vdekjes së tij. Pjesa më e madhe e punëve të Kerajt "strehohet" në fondin e familjes, ku për shkak të hapësirës mund të ruhen të ekspozuara vetëm një pjesë e vogël.


Blerina Goce - Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama