RAI hyn ne Lazarat rrefehet transportuesi Tani ska me klandestine bej 2 rruge marijuane ne muaj

RAI hyn ne Lazarat, rrefehet transportuesi: 'Tani s'ka me klandestine, bej 2 rruge marijuane ne muaj'

“Drogën e transportojmë me kafshë. 100 kilogram mban secila. E fshehim në pyllin e Semanit më pas nisim transportin. Rrugën e bëjmë thuajse dy herë në muaj”. Kështu i rrëfen gazetarit të RAI-t një transportues marijuane Lazarati, ndërsa duket se për çmimin gënjen. Ndonëse i kamufluar me mjete që ne jemi mësuar të shohim vetëm forcat speciale të policisë, transportuesi i drogës nuk ka drojë nga gazetari italian dhe tregon se dikur punonte me klandestinë, por meqë tashmë s`ka më të tillë, ai është mjeshtër i transportit të drogës. Rrëfimi i tij nuk është i vetmi në udhëtimin e gazetarit të kanalit televiziv italian. Me kamera dhe përkthyes, i dërguari i RAI-t hyn deri në zemrën e fshatit famëkeq. Filmon natën dhe ditën, ndërsa pritet edhe nga kreu i fshatit, Dashnor Aliko. I rrëmben një mesazh që duket ka vite që kryekomunari e thotë për kureshtarët e huaj, kurse gazetari në rrugëtimin e tij vjen deri në Ministrinë e Brendshme. Largësinë e kryeqytetit shqiptar, gazetari e mat me ekzistencën e Lazaratit, ndërsa duket se shqiptarët e intervistuar prej tij janë më shumë italianë; veç punonjësve të mitur dhe kryekomunarit Aliko, gjithë të tjerët flasin në gjuhën e gazetarit! 

 

Lazarati në RAI

 

Rreth një muaj më parë, ekipi i televizionit shtetëror italian, RAI, mbërriti në Lazarat dhe kreu një vëzhgim të hollë mbi gjithçka ndodh aty dhe të gjitha masat që janë marrë të ndërhyhet për të minimizuar kultivimin e lëndës narkotike që furnizon Europën. Në pamjet e servirura shikohet qartë impenjimi i trafikantëve për të vijuar punën e tyre. Tregohet se një kilogram shitet me 200 euro, ndërkohë që kultivuesit thonë që një kilogram kushton 300 euro. Në fshatin e drogës thuhet se punojnë fëmijët, gratë dhe të moshuarit, ndërkohë që në fshat mbërrijnë edhe punëtorë nga zonat e tjera. Mjetet janë furgonë dhe parkohen në qendrën e fshatit, ndërsa, sipas të dhënave që ka mbledhur gazetari italian, mësohet se mblidhen rreth 320 hektarë tokë. Fshati me mbi 4 mijë banorë kultivon thuajse i gjithi lëndën e kushtueshme, ndërsa lënda shitet e gjitha në vend. Gazetari tregon se në Lazarat policia nuk mundet të hyjë dot, ndërsa kreu i fshatit duket se i jep garanci se po përpiqet të bindë banorët që të heqin dorë nga kultivimi i lëndës narkotike. Të intervistuarit tregojnë se kultivojnë lëndën për arsye ekonomike, ndërkohë që gazetari italian mbërrin deri te Ministri i Brendshëm duke i shkëputur edhe përpjekjen që po bëhet nga ana e shtetit për të minimizuar kultivimin dhe trafikimin. Mirëpo gazetari vëren se daljet portuale të Durrësit dhe të Vlorës mbahen nën kontroll gjithë kohës nga forcat e Guardia di Finanza, ndonëse transportuesi i tregon rrugën që e bën të paktën dy herë në muaj në drejtim të brigjeve të vendit nga vjen gazetari. 

 

Esati dhe Endri         

 

Dy personazhet e ‘fshehur’ që rrëfejnë për gazetarin janë njëri transportues dhe tjetri punonjës. I pari, dëshmon mënyrën se si operohet për të hyrë në Bari, Leçe ose në Brindizi, ndërsa Endri 17-vjeç i tregon dramën e punësimit: Punoj rreth 7 muaj në Lazarat. Marr 10 euro në ditë. Unë jam në rregull, pasi nuk ke mundësi tjetër të punosh. Endri përfaqëson fëmijët që punojnë në Lazarat, të cilët udhëtojnë nga rrethe të tjera për të bërë të mundur nxjerrjen e bukës së përditshme. Bashkë me fëmijët punojnë edhe gratë, ndërsa të moshuarit janë jo vetëm punonjës, por edhe rregullatorët e procesit të kultivimit, rritjes dhe grumbullimit të lëndës së kushtueshme. Lazarati prej vitesh funksionon në të njëjtën mënyrë, ndërsa gazetari italian në kronikën e tij tregon se, pavarësisht faktit se trafikanti i saktëson si mjet transportues gomonen, mjetet transportuese bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Autoritetet italiane pretendojnë se përqindja më e madhe e marijuanës që hy në brigjet e tyre vjen nga Shqipëria, pasi i referohen tonelatave që prodhohen në Lazarat dhe sekuestrohen në brigjet e tyre, por edhe në dy portet kryesore të vendit që destinacioni kanë Italinë. Për mediet e huaja Lazarati është gjysma e GDP-së së vendit, duke e konsideruar marijuanën dhe substancat e tjera narkotike që dalin nga vendi ynë, si përfitim në shifrat e 4 miliard euro-ve.      

 

Divjaka në Parlament; banorët s`kanë parë avionë 

 

Ndërsa në sallën e Parlamentit ka zbritur debati i avionëve misteriozë që janë ngritur nga Divjaka dhe Ghadri, dhe me të cilët pretendohet se është kryer trafiku i lëndës narkotike, banorët dhe fermerët e dy fshatrave mohojnë në mënyrë kategorike të kenë parë avionë apo të kenë dëgjuar për ndonjë mjet të tillë atyre anëve. Zonat e përfolura janë Bedati dhe Adriatiku, dy fshatrat e Divjakës, ku opozita akuzon se janë ulur dhe ngritur avionët e narkotikëve. Banorët bëjnë të ditur se nuk kanë dijeni për gjëra të tilla: “Nuk jam në dijeni. S’kam parë gjë”, thotë njëri, “unë për hesapin tim jo-, thotë tjetri. Nuk dihet ende nëse banorët e asaj zone janë në dijeni për ato që janë thënë në Parlament për ta, ndërkohë që një tjetër thotë se ka dëgjuar për atë histori, po ai vetë nuk kishte parë as dëgjuar asgjë. Prej më shumë se një javë opozita ka hedhur akuza se infrastruktura e ushtrisë po përdoret për trafikun e drorgës dhe se avionët e ngarkuar me lëndën narkotike, po ngarkohen në disa zona të vendit, si Divjakë, Gjadër apo edhe Gjirokastër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama