Pse Cana nuk krahasohet me Ivanovic

Pse Cana nuk krahasohet me Ivanovic

Jemi krenuar gjithnjë me Lorik Canën, jo thjesht për atë që jep në fushë, por mbi të gjitha jashtë saj. Kapiteni i kombëtares sonë është kthyer në një lider të vërtetë, të cilit nuk i vlerësohet më loja në fushë, por modeli dhe sjellja e tij në gjithë ambientin kuqezi. Një tjetër detaj mjaft i rëndësishëm vjen nga aktualiteti: jemi në “luftë” me Serbinë dhe UEFA-n për të marrë atë që meritojmë në Lozanë, ku shpresojmë se CAS do të vendosë drejtësinë e munguar, pas katrahurës së Beogradit, shkruan “Sportal.al”. Lorik Cana ka treguar edhe një herë veten, duke braktisur Lazion dhe duke marrë avionin për në Lyon, një distancë prej 747 kilometrash. Është veç fillimi, sepse më pas Loriku bën edhe 164 kilometra të tjerë deri në Lozanë me makinë dhe pasi ka kaluar tërë ditën e premte përballë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, nuk ka bërë pushim, por menjëherë është nisur sërish me makinë, këtë radhë për në Torino, aty ku të shtunën në mbrëmje Lazio do të ndeshet me Juventusin kryuesues. Sa për informacion, Lazio ka mungesa të rëndësishme në mbrojtje dhe trajneri Stefano Pioli Canën e ka pasur në planet e tij si titullar gjatë gjithë javës.

Ndërkaq, në kontrast të plotë është sjellja e kapitenit serb Branislav Ivanovic, i cili nuk ka lëvizur një centimetër nga shtëpia e tij në Londër, duke u lidhur me Skype gjatë marrjes në pyetje të delegacioneve të Shqipërisë dhe Serbisë. Ashtu si Lazio, edhe Chelsea luan të shtunën, ndaj është e qartë sa i vlerësojnë kapitenët kombëtaret përkatëse dhe çfarë respekti kanë për fanellën dhe kombin e vet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama