Provokohet Vllaznia pergjaket stadiumi

Provokohet 'Vllaznia', pergjaket stadiumi

Ka qenë një sinjal i dhënë që në një ndeshje që është luajtur në prill të këtij viti në Tiranë, që përballja e ardhshme mes tifozerisë shkodrane dhe asaj tiranase të ishte e ashpër. Në fakt, drejtuesit e klubit të Vllaznisë, për të parandaluar konfrontimin kanë sjellë në stadium rreth 200 fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët janë pjesë e akademisë së klubit dhe i kanë vënë në mes të dy tifozerive. Duket se dhuna nuk mund të ndalohet as nga prani fëmijësh, ndërsa gjithçka ka nisur rreth minutës së 70-të të takimit. Tifozë, që konsiderohen ‘ultras’ të Tiranës kanë provokuar, ndërsa mësohet se për të qetësuar situatën kanë ndërhyrë vetë futbollistët e Tiranës. Në një moment, presidenti i klubit, Refik Halili, është ngjitur tek tifozët e tij. Është goditur në anën e djathtë të kokës dhe i mbuluar në gjak është dërguar menjëherë te stoli i skuadrës, aty ku edhe mjekët e Sport Klub Tiranës i kanë dhënë ndihmën e parë. Dy ultras janë hequr nga stadiumi dhe janë mbajtur afër bankinës së klubit të Tiranës, ndërsa skuadrat janë kthyer në fushë. Ka rifilluar ndeshja, për t`u luajtur minutat e mbetura, ndërsa gjyqtari i ndeshjes akordon pesë minuta shtesë. Barazon Tirana dhe futbollistët e Vllaznisë nisin të dalin nga fusha, duke duartrokitur mbi 8 mijë tifozët e tyre. Në atë moment, një tifoz i Tiranës, heq fanellën që e kishte me ngjyrat e skuadrës së zemrës dhe e valëvit para tifozërisë shkodrane, akt ky që bëri të shpërthente dhuna, para së cilës policia ishte krejtësisht e pafuqishme.

Përleshja

Për mjete dhune janë përdorur stolat e stadiumit, shkopinjtë e flamujve të këndeve si dhe gjithçka tjetër që është gjendur në shkallët e stadiumit. Janë plagosur 10 persona, mes tyre tre fëmijë, ndërkohë që burimet nga policia e Shkodrës bëjnë me dije se në radhët e shkodranëve është një tifoz i plagosur me thikë. Emri i të plagosurit mbahet sekret nga ana e bluve, por sipas të dhënave të besueshme, saktësohet se i dëmtuari është goditur 4 herë me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin rajonal. Plagë kanë marrë edhe katër punonjës policie, një prej tyre, sipas të dhënave, ka plagë mjaft të rrezikshme në sy. Njëkohësisht janë plagosur edhe disa tifozë të Tiranës, të cilët ka qenë e pamundur të nxirren nga stadiumi për t`i nisur në drejtim të spitalit të Shkodrës. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policore, por në momentin e përleshjes ka qenë mjaft e vështirë ndërhyrja e tyre. Grupi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët fillimisht kanë qenë të paktë në numër e kanë patur të pamundur t`i bllokojnë 400 tifozët e Tiranës të mos nisin sherrin, ndërsa më pas gjithçka është kthyer në një fushë betejë brutale, ku nuk kursehet asgjë antinjerëzore kundër njëri-tjetrit. Trajnerët janë munduar të shpëtojnë futbollistët nga ndonjë gur apo karrige, ndërsa me fat kanë qëlluar gazetarët, të cilët janë marrë menjëherë nga organizatorët dhe janë nxjerrë nga stadiumi për të bërë të mundur kështu mos lëndimin e asnjërit prej tyre. Shtimi i forcave të policisë dhe FNSH-së ka bërë që të arrihet ndarja e grupeve, duke bërë të mundur nxjerrjen e shkodranëve nga stadiumi, ndërsa tifozët e Tiranës kanë qëndruar brenda ambienteve mbi 1 orë, derisa është bërë e mundur të hapet rruga jashtë stadiumit. Atëherë policia ka marrë masa për nisjen e tyre në drejtim të Tiranës, duke mos lejuar ndonjë konfrontim tjetër, i cili mund të kishte pasoja edhe më të mëdha.

Plagosja e policëve

Policia e Shtetit, rreth dy orë pas aktit të rëndë të dhunës së ushtruar në qytetin e Shkodrës, ka dalë në një deklaratë publike ku njofton për qetësimin e situatës. “Situata në Stadiumin e Shkodrës, tashmë është normalizuar. Në sajë të ndërhyrjes së forcave të policisë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, duke e normalizuar atë, megjithëse pati të lënduar nga forcat e policisë. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë të gjitha masat për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të akteve të dhunës. Po ashtu do të ndërmerren masa ligjore dhe ndaj organizatorëve të aktivitetit. Ndërkohë për garantimin e sigurisë së tifozëve të ekipit të Tiranës janë marrë masa për shoqërimin e tyre me forca të Ndërhyrjes së Shpejtë”, saktëson Policia ndërsa katër efektivët e plagosur janë shtruar në spitalin e Shkodrës. Referuar të dhënave që vijnë nga qyteti verior behët me dije se të plagosur janë Pjetër Bungaja, Tahir Lekëndreaj, Gjergj Dodani dhe Agim Lokja. Sipas të dhënave të policisë së Shkodrës bëhet me dije se policët e plagosur kanë marrë plagë në pjesë të kokës dhe janë që të katërt efektivë të sektorit të Ruajtjes së Rendit. Tashmë, pritet që policia dhe prokuroria të nisin hetimet për aktin e rëndë të dhunës, ku pritet të shfrytëzohen edhe pamjet filmike dhe me qindra dëshmi që priten të merren për të nxjerrë shkaktarët kryesor të ngjarjes së rëndë, ndërsa janë shoqëruar 37 tifozë të Tiranës dhe deri orëve të vona janë mbajtur në komisariatin e Shkodrës.

Plagoset tifozi me thikë 

Përveç punonjësve të policisë dhe një sërë tifozësh, të dhënat që vijnë nga Shkodra flasin për një person të plagosur me thikë. Zyrtarisht policia e Shkodrës nuk bën të ditur emrin e të plagosurit, ndërsa sipas burimeve të Gazetës, mësohet se i plagosuri është I.O, një shkodran dhe tifoz i Vllaznisë. Burimet saktësojnë se tifozi mund të jetë goditur nga një tifoz i Tiranës dhe mësohet se është paraqitur në spitalin e Shkodrës me disa plagë. Policia e Shkodrës bëri me dije mbrëmjen e djeshme se plagosja ka ndodhur jo me thikë, por me pjesën e karriges, që i ka shkaktuar plagë të tilla. Megjithatë pritet që ditën e sotme policia e Shkodrës dhe ajo e Shtetit të hedhin dritë mbi gjithçka ka ndodhur në stadiumin “Loro Boriçi”. Njëkohësisht mësohet se të plagosur janë edhe tre fëmijë, të cilët janë goditur me gurë gjatë tentativës për t`u larguar nga stadiumi, por që sipas policisë që të tre janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa plagosja me mjete të forta e Presidentit të Tiranës, Refik Halili, ka ndodhur rreth 20 minuta para se të niste përleshja e madhe mes dy palëve, kohë kur presidenti i Tiranës e kishte marrë mjekimin, por që e pati të pamundur të qetësonte mbështetësit e skuadrës së tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama